Baritoni Gëzim Myshketa: “Të qënit Shqiptar, më ka bërë më të fortë”

Nga Mira Tuci

Solisti i Operas së Shtetit në Shtutgart, baritoni Gëzim Myshketa, i ndarë mes formimit muzikor në Itali dhe suksesit të arritur në Gjermani dhe skenat ndërkombëtare, nuk resht së kërkuari rrënjët. Një nga yjet e Grand Gala në Berlin dhe po aq mes shndritjes së artistëve shqiptarë në Vatikan, Gëzim Myshketa përveçse me një vokal të spikatur është edhe djaloshi i apasionuar pas modës, jetës së bukur dhe “në mënyrë konstante i dashuruar”.

Sapo ke nisur një vit plot impenjime duke lënë pas një vit shumë të ngjeshur operistik, me turne dhe role që të  kanë shtyrë në eksplorim hapësirash të reja gjeografike por edhe të vetvetes. Ka ndonjë ngjarje që do e ndaje veçmas? 

Padyshim “Koncerti për Shenjtërimin e Nënë Terezës” në Vatikan  dhe “Grand Gala në Berlin” janë dy momente që do ti veçoja nga viti 2016.  I pari për  kontekstin dhe botëkuptimin e tij thellësisht shqiptar dhe shpirtëror. I dyti për nderin e të qenurit i përzgjedhur ndër artistët operistikë  më të mirë në Galanë më të rëndësishme të vitit në Berlin e organizuar nën kujdesin  e Presidentit të Republikës Federale Gjermane, Shkëlqesisë së Tij,  Joachim Gauck.

Në Grand Gala në Berlin, mesa di, marrin pjesë personazhet më të spikatur evropiane të elitës kulturore dhe të modës.

Po, Grand Gala Berlin është mbrëmja Gala më e rëndësishme e vitit. Çdo fond apo biletë që kushton nga 600€ shkon në kërkimet mjekësore. Përveç Presidentit Gauck dhe bashkëshortes së tij,  ishin prezentë ajka e shoqërisë gjermane dhe yje të kulturës, modës dhe sportit. Kapiteni i kombëtares gjermane Manuel Neuer, Stilisti Jean Paul Gaultier , këngëtarja Conchita Wurst, modelja Toni Garrn e cila shprehu edhe një falënderim special për mua në gazetë meqë këndova arien nga Traviata, opera e saj e preferuar.

Bota është e mbushur me zëra dhe personalitete të rrallë, çfarë e bën unik, Gëzim Myshketën?

Nuk besoj se  jam unik. Kjo jo për ndonjë modesti të shtirur por për faktin që  çdo artist është unik në qenësinë e tij. Në këtë kuptim mundet të jem unik vetëm sepse quhem Gëzim Myshketa e s’mundet të ketë një kopje të dytë me të mirat por edhe mjaft mangësitë e tij. Në profesion dy shtyllat ku mbështetem fort janë nga njëra anë besnikëria në interpretimin  muzikor të asaj çka kompozitori ka shkruar dhe nga ana tjetër përparësia jo vetëm e melodisë  por edhe e fjalës dhe e lojës aktoriale në realizimin e personazheve. Duken gjëra të qarta e të kuptueshme thjesht por fatkeqësisht sot të rralla në skenë. Këtu qëndron edhe ndryshimi themelor  midis një artisti dhe një solfezhisti notash.

Edhe pse një axhendë të ngjeshur, sa herë të është dhënë rasti, nuk i ke munguar skenës shqiptare, ka një emocion të veçantë Gëzim Myshketa kur interpreton shqip?

Të interpretosh Shqip është emocionuese por edhe e vështire sepse ekziston gjithnjë krahasimi me kollosët e të kaluarës. Në këto vite kam patur mundësinë të interpretoj disa perla të muzikës Shqiptare si “Për ty Atdhe”, në 100 vjetorin e Pavarësisë,  “Hej ju male” në Vatikan për Shenjtërimin e Nënë Terezës  etj. “Unë biri yt Kosovë“ është një pjesë e të madhit Feim Ibrahimi që të rrëqeth. Më ka bërë përshtypje gjithnjë se si një bir i Gjirokastrës i ka kënduar Kosovës sikur të ishte rritur në luginat e Preshevës apo Mitrovicës. Kjo tregon fuqinë mbinatyrore të muzikës dhe se ndjenja që na bashkon është e njëjtë e nuk njeh ndasi krahinore. E kam kënduar me disa kolegë në Katedralen e Prishtinës para dy vitesh dhe emocioni ka qenë i  papërshkrueshëm. Të gjithë në ato momente edhe pse nga të katër anët e shqiptarisë ishim me të vërtetë bij të Kosovës.

Në çfarë përmase të mungon qyteti yt i lindjes, Durrësi dhe në tërësi Shqipëria. Më kujtohet një rrëfim yti ku shprehje pengun e të mos qenurit aty, kur njerëz të dashur largohen nga kjo jetë!

 Profesioni im është sa i bukur por edhe i pamëshirshëm. Më ka mbajtur larg në ditëlindjet e mbesave, dasmat e kushërinjve dhe shokëve të ngushtë dhe të lamtumirave me njerëzit e dashur. Xhaxhai që më mësonte këngët në vegjëli,  Skënder Myshketa, që ishte një kompozitor e mbi të gjitha pianist fantastik u nda nga jeta së fundmi e unë nuk pata mundësi te jem prezent . Durrësi më mungon por mbi të gjitha më mungon “Durrsakëria”. Për “Durrsakëri” kam parasysh, ato vlera të urtësisë, kulturës qytetare e bujarisë me të cilat jam rritur.

Rrënjët i sheh si dyzim apo qartësim për atë që je dhe rrugëtimin që i ke vënë qëllim vetes të bësh?! 

Për të ditur ku shkojmë patjetër duhet të dimë prej nga vijmë e cilët jemi. Të qenurit Shqiptar duke më ofruar në fillim më pak mundësi realizimi se të tjerët, më ka bërë më të fortë e  me më tepër vullnet për të arritur qëllimet . Jo rrallë talenti fle në agoni në një mungese vullneti i cili shpesh herë duhet ngacmuar dhe sprovuar nga vështirësitë.

Cila është pika e fortë e artistëve shqiptare,  shumë prej tyre, edhe miq të tu kanë bërë dhe po bëjnë një rrugëtim me vlerësime, mirënjohje dhe jo pak evidentim në arenën ndërkombëtare?

Pika e fortë e artistëve shqiptarë është padyshim talenti i spikatur në radhë të parë si dhe  nevoja dhe “uria” për të  arritur.  Në  Shqipëri kemi artistë të mrekullueshëm të operas si Eva Golemi, Marjana Leka, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjeri etj. Lista është e gjatë e nuk arrij ti përmend dot të gjithë por kam ndërmend të gjithë solistët dhe forcat artistike të operës pa përjashtim. Gjithashtu edhe realizuesit skenikë e muzikor si Nikolin Gurakuqi, Edmond Doko, Dritan Lumshi, Ardi Asllani etj . Të gjithë këta artistë kanë dhënë e japin një kontribut artistik cilësor e të çmuar për teatrin tonë në gjithë këto vite, në kushte tejet të vështira  të cilat më në fund duket se do të ndërrojnë përfundimisht  me rinovimin total të Operas.

Gëzim Myshketa, nuk është thjesht baritoni me zë të ngrohtë që të mbështjell butë, por edhe djaloshi i apasionuar pas të bukurës, pas modës. Është meritë e Italisë dhe “la bella vita” në Bolonja? 

 Kam patur fatin të kem prejardhje nga të dy prindërit nga familje me traditë. Nëna ime është mbesë Frashërllinjsh kurse familja e tim eti nga një oxhak nga më të vjetrit e Durrësit. Veshja e gjyshit tim ne vitet ‘30 si në Durrës  apo Milano e zbeh krejt stilin tim të 2017. Pra nuk është meritë e Italisë pasi me shaka mund të përgjigjem   “modën nuk e gjeta tek ju por ua solla vetë “… “La bella vita” më pëlqen, më pëlqen të rrethohem nga e bukura dhe të jetoj në të. Aspekti estetik në kuptimin e thelle të tij me siguri më ka ndihmuar të trajtimin e muzikës dhe të shijes personale të teatrit.