Artan Shabani, i “rrethuari” nga Arti i shekullit XX

Drejtori i Galerisë Kombëtare flet për Konica.al mbi veten, artin shqiptar dhe “Novecenton” italian me vlerë 11 milion euro.

Intervistoi: Mira Tuci

Kur flet me Artan Shabanin a është e pashmangshme të flasësh për artin por edhe për një stil të jetuari me artin dhe a është ekspozita e kryeveprave të artit Italian të ‘900-s rezultat i këtij pasioni që ka Artani me artin?

Sa i përket të jetuarit me artin nuk ekziston një mënyrë të jetosh jashtë ose brenda por jetohet në marrëdhënie me artin, që do të thotë marrëdhënie intelektuale dhe shumë intime e cila furnizon ndjesinë e personit në fjalë. Pra unë furnizohem çdo ditë nga informacioni për artin, nga kurioziteti, nga kjo kulturë që ka një horizont shumë të hapur.

Në rastin konkret unë jam shumë i apasionuar, si artist dhe si menaxher arti që lind edhe si koleksionist, pasi kam një marrëdhënie me artistët, me fondacionet e artit, me galeritë, një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me koleksionistët. Ka gati 30 vite që unë e aplikoj këtë gjë, nuk është thjesht një profesion i ndikuar nga mandati apo emërimi. Drejtimi institucional thjesht sa e shton përgjegjësinë dhe forcon kornizën e njohjes, pra me përditësimin se çfarë ndodh në panairet e artit siç është Archo në Madrid, Artefiera në Bolonja, Fiach në Paris apo Art Bazel që është edhe një nga panairet më të rëndësishëm në botë, por edhe më larg, në Kinë.

Në këtë panoramë që e rrethon Shqipërinë, një koleksion me vlerë artistike por edhe me vlerë financiare specifike vjen dhe ekspozohet për publikun shqiptar, i cili jo gjithmonë e ka mundësinë të shkoj e ti shohë këto vepra arti në muzetë e tyre përkatës. Në statistika si ka qenë kjo ekspozitë?

Që nga momenti i hapjes ka patur një interes të jashtëzakonshëm nga publiku shqiptar, edhe si pasojë e jehonës apo asaj që unë e quaj marketing muzeal. Në këtë gjithpërfshirje elementi më i rëndësishëm janë shkollat, sepse ne i edukojmë fëmijët dhe i familjarizojmë ata me artin dhe institucionet e kulturës. Ata kështu rriten me kulturë për njohjen e artit nëpërmjet ciceronëve, që në këtë ekspozitë janë të një niveli evropian.

Fëmijëve u shpjegohet 900-ta, periudha mes dy luftërave, entuziazmi pas viteve ‘44-45, u shpjegohet çfarë është futurizmi, çfarë është piktura metafizike, kush është Giorgio de Chirico apo Alberto Savino, kush janë Felice Carena dhe Felice Casorati, Mafai apo Guttuso, Tamburo etj etj pasi lista është shumë e gjatë: janë mbi 102 vepra dhe rreth 60 artistë.

Nëse shqiptarët i edukojnë fëmijët me art, këtyre do ti  mbetet një ekzigjencë, një kërkesë për ta jetuar atë. Ajo që mungon në Shqipëri nuk është mundësia por sa interes ka një individ shqiptar apo një familje për artin dhe kulturën. Besoj kjo është pyetja dhe çështja që duhet ngritur!

Duke lexuar pikturat që janë pjesë e koleksionit tuaj…Vepra me figurimin e Enver Hoxhës provokon jo pak sensibilitete…

Jo, kjo është Konferenca e Paqes, një pikturë e realizuar në vitin 2016 nga një bocat e viteve ‘70 të mjeshtrit Zef Shoshi. Një ditë që isha me të e pata pyetur nëse i kishte mbetur peng ndonjë vepër e parealizuar në një dimension të konsiderueshëm dhe Zefi më thotë që po, është  një vepër, Konferenca e Paqes e mbajtur në Palais du Luxembourg në Paris në vitin 1946, ku janë rreth 150 personazhe dhe figura e Enver Hoxhës.  

Piktori ka punuar shumë me gdhendjen e psikologjisë së këtyre personazheve. Kjo është një vepër që ka një kontekst historik por nuk ka lidhje me realizmin socialist sepse është totalisht jashtë kohe. Ka një lloj teknike midis neorealizmit dhe hiperrealizmit, pra është e gjitha e kuruar në detaj në çdo cep të tablosë. Zefi e realizoi dhe unë për momentin e mbaj në murin e  zyrës time.

Tabloja tjetër që kam i përket artistit Eltjon Valle, një vepër nga cikli që ka ai për tokën në Kuçovë, marrëdhënia me ambientin, ndotja, nafta… Në anën tjetër kam një afishe të Andy Warhol,  “Jezu Krishti në darkën e fundit”, detaj frymëzuar nga Da Vinci, është me firmën e tij origjinale dhe këtë e kam dhuratë nga miku im Giancarlo Polliti.

Duke parë figurën e Enver Hoxhës të vjen ndërmend  mënyra si trajtohej arti në realizmin socialist, ndërkohë që në sallën ngjitur qëndrojnë Casorati,  “gratë e paturp”  të Felice Carena…?

Janë dy realitete të ndryshme, unë e konsideroj veten me shumë fat sepse e kam jetuar deri në thellësi realitetin italian për 23 vite dhe jam ende i pashkëputur nga realiteti social, kulturor dhe politik atje. Po ashtu kam jetuar në Shqipëri nga viti ‘69 (viti i lindjes) deri në vitin ‘90. Arti shqiptar ka patur të tjera referenca, që janë referenca të ideologjisë, një periudhe ku arti ishte tërësisht i pilotuar në bazë ideologjike… por edhe Italia ka patur periudhat e veta të diktaturës, siç ka qenë arti në kohën e fashizmit, me tematika të mirëvendosura në arkitekturë, art, letërsi etj.

Ndërsa kur flasim për Felice Casoratin, ka patur tjetër frymëmarrje, ai e zhvillonte aktivitetin e tij në Piemonte ku lindi moda, radiotelevizioni, parlamenti Italian  me Cavour. Pra ai ka një tjetër ushqim, një tjetër menu. Ose Felice Carena, i cili riviziton antikitetin me figurat nudo të cilat nuk kanë absolutisht vulgaritet. Nudo ka ekzistuar edhe para 90-ës në Shqipëri, lëvrohej mjaft si gjini në akademinë e arteve.

Në konfiguracionin e tërësishëm të realizmit socialist artistët shqiptarë kanë një portretizim shumë interesant, siç kemi te Spiro Kristo, tendenca moderniste te Ali Oseku, Edi Hila, Edison Gjergo dhe artistë të tjerë.  Maks Velo nuk ka lidhje fare me realizmin socialist, Bujar Zajmi ka krijuar në fshehtësi por pa asnjë lidhje me realitetin jashtë. Mos harrojmë që shumë artistë shqiptarë kanë studiuar në Romë, Firence, Milano, Torino,  Paris, Shën Petërsburg, Pragë, Moskë dhe kanë sjellë diçka që e kanë elaboruar brenda atyre kornizave të realitetit të kohës.

Ne duhet të promovojmë artistët tanë jashtë Shqipërisë, nga ekspozitat personale tek ekspozitat tematike, siç mund të jetë për shembull diçka si “Historia e kinemasë shqiptare përmes posterit”. Kujtoj që në Kinë një ndër filmat më të ndjekur është filmi shqiptar.

Mund të themi se ekspozita e kryeveprave të artit Italian të 900 s nuk ka gjetur një fushë bosh përsa i përket artit në Shqipëri?

Në fondin tonë muzeal kemi mbi 5 mijë vepra, e ndër to edhe vepra të autorëve italian si Mimo Paladino, koleksionin e dhuruar nga Ian Tibets, Christo, Ian Hirst e shumë e shumë vepra të tjera.

Edhe para se unë të merrja detyrën këtu ka patur ekspozime me shumë vlerë: fondacioni Martani nga Mantova, Salvator Dali, Marc Chagall, Gunter Ucker, ku vetëm një vepër kushton 20 milion euro. Pra nuk është se Galeria Kombëtare pëson një shok, dhe automatikisht as publiku shqiptar…

Gjithsesi, kjo ekspozitë mbetet një gjë shumë e mirë për njohjen më të thellë të artit Italian. Kemi të bëjmë me gjysmën e parë të 900 të artit Italian,  që është shumë interesante dhe me artistë të një kualiteti shumë të lartë. Kjo na nderon, sepse e fut institucionin në një database ndërkombëtar, krijon një mundësi bashkëpunimi për të patur në Shqipëri pse jo një retrospektivë apo një prej periudhave përfaqësuese të Pablo Picasso.

U përfol shumë në media vlefta e veprave për këtë ekspozitë…

Në  lidhje me vlerën e veprave nuk mund të abuzohet asnjë cent pasi vlerën e tyre e kanë muzeumet me kartelat përkatëse e mbi bazën e tyre pritet dhe siguracioni dhe shifra, që është 11 milion e 200 mijë euro.