“Të thyerit” e mëdhenj të shoqërisë

“Të thyer” i propozohet publikut shqiptar si një akuzë e fortë ndaj sistemit që pasurohet duke shkatërruar ambientin. Një sistem korruptiv ngërthyer me pushtetin dhe mafien që përplaset në raportin e vështirë babë e bir interpretuar nga Edmond Budina dhe Laert Vasili.

Nga Mira Tuci

“Të thyer” jemi ne? Është një brez i tërë që u rrit duke u arratisur nga mjerimi në kërkim të pasurimit të shpejtë, sa më shumë dhe me çfarëdo çmimi?! Madje duke shkelur edhe mbi jetën e babait, duke e mohuar atë për vite të tëra, duke e harruar për së gjalli në burgun që duhet të kryente biri….ky është preludi  i një drame që thellohet si një vorbull ku e keqja përthith, gërryen dhe shkërmoq cdo vlerë, cdo afeksion.

Ky është edhe seti hyrës për filmin më të ri nga regjisori Edmond Budina. “Të thyer”  i propozohet publikut shqiptar si një akuzë e fortë ndaj sistemit që pasurohet duke shkatërruar ambientin. Një sistem korruptiv ngërthyer me pushtetin dhe mafien që përplaset në raportin e vështirë babë e bir interpretuar nga Edmond Budina dhe Laert Vasili.

Para se të kalonte testin e publikut me sukses të dielën në mbrëmje,  filmi ka kaluar  më parë testin në projeksionin për gazetarët edhe pse jo pa polemika sidomos prej faktit se është  një film që ka në qendër  temën e ambientit, ndotjes dhe ligji I mbetjeve përqas shumë ndodhi të dhimbshme që evokojnë kujtesën e publikut.“Mos futni mbeturina radioaktive ju lutem, mos ndotni ambientin, mos e shkatërroni Shqipërinë ju lutem dhe mos heshtni ju gazetarët ju lutem.

Po shpesh ndodh që goja na kycet, goja u kycet jo vetëm gazetarëve, por edhe ne artistëve. Ne të gjithë kemi detyrë të mos heshtim, qoftë edhe përmes mesazhit artistik me një vepër filmike.” – kështu shprehet regjisori Edmond Budina.

Ai ka shkruar skenarin e gjithashtu ka rolin kryesor atë të babait ë film, I cili në përpjekje për tu kthyer te I biri zbulon që Andi është përfshirë thellë e më thellë në spiralen e së keqes. Një degradim që fillon me kalbjen e tokës ku Andi Budi ka groposur lëndët radioaktive që po marrin jetë të pafajshme fëmijësh e te deri shkatërrimi I dashurisë përgjithnjë mes atit dhe birit.

“Ai rrënim, -thotë regjisori Budina, është imazhi I rrënimit shpirtëror dhe fizik që shohim realisht rreth nesh. Atë fshat të braktisur, atë shtëpi të rrënuar, me atë antenë të hedhur..këtë realitet unë e kam gjetur në Shqipëri shumë, shumë.”

Regjisori bën thirrje jo vetëm përmes filmit ku një raport babë e bir ka filluar të ndjejë radioaktivitetin, raporti mes gjeneratave të ndryshme merr rrokopujën në joshjen agresive të parasë që duke shkëlqyer merr përpara dhe shkatërron gjithçka. Përmbys  dashurinë e birit Andi Budi interpretuar bindshëm nga aktori Laert Vasili i cili i errur nga pushteti dhe paraja nuk ndalet para asgjëje, as para faljes sublime që i ati i bën.

Mafia e pushtetit dhe mafia e mbetjeve tashmë e ka kthyer në skllav pak a shumë si shoqëria shqiptare që trulloset dhe tromakset nën luhatje interesash shumë më të fuqishme se e drejta e saj për të vendosur të ardhmen e vet. Një dinamikë që gjen shprehje në rrëfimin e aktorit Vasili: “ kur ky popull të kuptojë që ka një fuqi të jashtëzakonshme në dorë që quhet votë e të mos e shesë për një thes miell, apo për tre fuci që Andi Budi i varros aty dhe i gënjen me 100 metra rrugë  asfalt atëherë mund të shpresojmë se ndoshta në brezin e fëmijëve tanë do ndryshojë kjo gjë.”

Me një kast aktorësh të shkëlqyer ku frymëmarrje dhe një freski japin disa grimca humori të zi që vijnë nga interpretimi i aktorëve Nikolla Llambo dhe Ola Harizaj, një moshë e tretë që kapet pas gruas së bukur me kthetra si pas jetës duke lartësuar të bukurën, femëroren si e vetmja spirancë shpëtimi. Filmi ku bie në sy fotografia e shkëlqyer e Daniele Baldacci ngre çështje kritike ku ndotja e ambientit është paradhoma e një shoqërie të intoksikuar moralisht dhe shpirtërisht e cila komprometon shëndetin e të ardhmen e fëmijëve në këmbim të pasurimit të shpejtë.

Nëse dëshironi të merrni emocione të forta dhe pa ambalazhimin e të qenurit politikisht korrekt mos e humbisni në kinema filmin “Të thyer”. Kur e kupton ku je thyer mbase do të marrësh mundimin për tu shëruar e për të shpëtuar atë që mundesh, nga trupi, nga shpirti, nga kombi dhe Njeriu.