Xhakomino dhe shpirtbardhi Robert Ndrenika

Robert Ndrenika i jep tiparet e veta të jashtme dhe të brendshme personazhit të Luigi Pirandelo.

Nga Mira Tuci

Ai është Toti, një profesor në prag pensioni, me shpirtin e bardhë si bardhësia e flokëve të tij. Për t’i shpëtuar shkurtimit në punë ai bën një martesë fiktive me të bijën e rojes së shkollës, e cila është shumë më e re në moshë dhe ka mbetur shtatzënë me Xhakominon.

Profesori i pranon të dy në shtëpinë e tij dhe i ndihmon, por kjo mirësi i shpërblehet me një kundërvënie banale nga i gjithë qyteti që përflet profesorin për perversitet. Ndërsa bota e përflet, ai vijon të ndihmojë gati pa kushte këtë familje të re duke i pranuar si bijtë e tij.

Ky është sinopsi i pjesës teatrale shkruar nga Luigi Pirandelo, por ajo që publiku pa në skenën e Teatrit të Metropolit ishte Robert Ndrenika që i jep tiparet e veta të jashtme dhe të brendshme personazhit. Një interpretim emocionues që në shumë raste përkon me realitetin social shqiptar, edhe pse personazhet kanë emra tipikë napoletanë.

Ndrenika nuk flet veçse përmes fjalëve të personazhit, por çdo fjalë ka peshën e një mesazhi që përcjell dhe e çon, madje, edhe përtej sallës së vogël në teatrin e metropolit ku shfaqja prej disa netësh prek publikun në regjinë e Milto Kutalit.

Një gërshetim brezash aktorialë që lartëson figurën e Ndrenikës, duke iu dhënë dritë edhe aktorëve të tjerë përballë tij, ku dinjitozë qëndrojnë Arben Derhemi dhe Marjana Kondi.

A shpërblehet sakrifica, apo bota e merr bamirësinë dhe ekzistencën si diçka që nuk duhet jetuar si të pëlqen por siç duan të tjerët ta bësh. Robert Ndrenika, në rolin e Totit, thotë: Unë jap fjalën dhe burrat e vërtetë e mbajnë fjalën. Ai mbetet pafundësisht i adhurueshëm edhe kur nuk kërkon më shumë vëmendje se duartrokitjet dhe emocionimi i publikut në mbyllje të siparit.

Çastin kur loti rrokulliset në faqe prej pafundësisë së thjeshtësisë së njeriut dhe mjeshtërisë së aktorit, mundet veçse të thuash: Robert Ndrenika, FALEMINDERIT që ekziston dhe ngjitesh sërish në skenë për të na kultivuar shijen estetike.