Jam karagjoz i lindur. Humori im, instinktual si seksi. E nisa në facebook duke bërë humor me foto banjosh, sot jam numri 1!

Mamaqi tregon në pjesën e dytë, se megjithëse lexon shumë libra, nuk bën humor të thellë, sepse njerëzit nuk kanë kohë të thellohen

(Pëlqeni Konica.al në Facebook)

Vijon nga pjesa e parë

 Mentor Nazarko: Të gjithë ata që ëndërrojnë të bëhen dikushi kështu thonë “unë e kam këmbënguljen, unë ëndërroj të bëhem. Po flas, nëse ti e ke analizuar mirë suksesin tend: cili është emëruesi yt i përbashkët i arësyeve të suksesit tënd? Unë përshembull mendoj që humori yt është urban, e duke qenë i tillë, ngjan i pakuptueshëm për ata që vijnë nga zonat rurale…

Ermal Mamaqi: Mentor, në gjithë këtë eksperiencë, le të themi, 15-vjeçare që unë kam në fushën e humorit, sepse kam qenë që në ditën e parë që është hapur Top Channel dhe Portokallia, pra që në vitin 2003, që punoj në botën e humorit. I kam provuar të gjitha format,  llojet e humorit dhe ndoshta unë nuk jam më i talentuar ose më profesionist se shumë aktorë të tjerë të së njëjtës gjini, që kanë mbaruar shkollën për aktrim, por ajo që di unë të bëj më mirë është manaxhimi.

Domethënë, ujin unë e çoj aty ku njerëzit e pinë, nuk e lë të rrjedhë vërdallë dhe tentoj herëpashere të përmirësohem dhe ky është qëllimi. Zgjedh se cila nga këto është ajo që funksionon më mirë dhe këtë e bëj shpesh, jo vetëm me humorin, por me çdo gjë që unë provoj.

Mentor Nazarko: U bëre prapë i mërzitshëm, nëse mund ta them këtë.

Ermal Mamaqi: E di.

Ilnisa Agolli: U mërzitëm, edhe unë u mërzita.

Ermal Mamaqi: Atëherë… Do të thuash ti, si u bëra unë personazhi më i ndjekur në Facebook? Duke nxjerr banjo.

Mentor Nazarko: Si banjo? Tualete?

Ermal Mamaqi: Tualete. Banjo, banjo. WC.

Mentor Nazarko: Po.

Ermal Mamaqi: Bënim foto, i thoja njerëzve. Unë e mora faqen me 10 mijë veta edhe e ngrita derisa u bënë 500 mijë, pastaj Facebook-u më konfirmoi dhe mblodha gjithë Ermal Mamaq-ët fallco që ishin…

Ilnisa Agolli: Ata që ishin vërdallë…

Ermal Mamaqi: Dhe numri shkoi mbi një milion. Tani është dy milion e tetëdhjetë mijë. Po të marrësh pastaj dhe Instagramin…

Mentor Nazarko: Nuk ke blerë “like”?

Ermal Mamaqi: No, no, no. Never. Dy milion e gjashtëqind e tetëdhjetë mijë është numri im në të gjitha rrjetet sociale që unë kam. Tani…

Ilnisa Agolli: Të duan të gjithë njësoj?

Ermal Mamaqi: Ka edhe njerëz që s’më pëlqejnë, por më ndjekin. Si e bëra unë këtë? Duke bërë një gjë shumë të thjeshtë. Nxirrja foto komike, i komentoja pa u menduar gjatë…

Mentor Nazarko: Ndoqe një model të dikujt, apo e improvizove vetë?

Ermal Mamaqi: Sigurisht që unë ndjek  shumë frymë të huaj. Më pëlqejnë amerikanët, anglezët, italianët jo shumë, por marr më të mirën, e shqipëroj edhe e fus në prodhim.

Ermal Mamaqi:  Për shembull, më trego një arsye, duke mbetur në boshtin e bisedës tonë,- pse djali im Erlisi, që është 13 vjeç dhe ka bërë fotografi me ty para dy vitesh, të pëlqen ty?

Ermal Mamaqi: Ngaqë unë nuk thellohem.

Mentor Nazarko: Je i përciptë? Shiko, unë nuk dua që nëpërmjet teje t’i bëj një antireklamë kulturës: pra të them se suksesi i Ermalit është prej mungesës së kulturës.

Ermal Mamaqi: Jo. Nuk ka lidhje.

Mentor Nazarko: Ushqehesh me kulturë ti, apo nuk ushqehesh? Se pastaj, të gjithë fëmijët mendojnë se mund të bëhesh i suksesshëm pa lexuar, pa mësuar.

Ermal Mamaqi: Në momentin kur unë mbarova Akademinë e Arteve, kam mbaruar  për kanto. Edhe liceun, edhe Akademinë e Arteve, pra unë jam këngëtar i trajnuar për t’u bërë tenor. Jam tenor për të interpretuar në opera, për të kënduar muzikë klasike.

Kjo është ekzaktësisht ajo që unë nuk doja të bëja në jetën time dhe bëra atë që ndieja. Bëra aktorin e humorit sepse unë jam një karagjoz i lindur, i cili ka vuajtur gjithë jetën nga prindërit: “Mjaft, se me këto karagjozllëqe, nuk do të hash bukë!” dhe është pikërisht ajo gjë me të cilën unë po ha bukë.

Mentor Nazarko: E fute në krizë familjen.

Ermal Mamaqi: E kanë pranuar se fëmijën duhet ta lesh të lirë të bëjë atë që do, etj. Ajo që doja të të thoja është se mua më evidentuan si një talent në aktrim. Më propozuan të vazhdoja shkollën si aktor.  Dikush që nuk po ia përmend emrin, një nga aktorët e njohur, pedagog në Akademinë e Arteve, më tha: “Mos u fut në shkollë për aktrim sepse do të prishesh”. Tani dalim te ‘pse më pëlqen djali yt’.

Mentor Nazarko: Ilnisa ka bërë shkollën e aktrimit…

Ilnisa Agolli: Edhe unë kam bërë shkollë aktrimi…

Ermal Mamaqi: Në qoftë se do e ndajmë një batutë ‘Ma jep pak atë gotën e ujit’ unë e them ‘Ore, ma  jep çik atë gotën e ujit’. Nëse do të kisha mbaruar shkollën do të thoja “Ma jep pak atë gotë me ujë’. Nuk po them se ata që kanë mbaruar shkollën nuk janë të aftë. Të vijmë tani tek çuni yt. Unë nuk thellohem, kjo nuk do të thotë se unë nuk studioj, nuk lexoj. Lexoj shumë, lexoj çdo ditë, shoh shumë televizion, kam ato kanalet e mia.

Mentor Nazarko: Çfarë lexon ti?

Ermal Mamaqi: Një nga mësuesit e mi, le të quhet si guru, është Brian Tracy, Robert Kiyosaki. Janë personazhe që me librat e tyre më kanë udhëhequr në aspektin e biznesit, por në të njëjtën kohë edhe në manaxhimin e suksesit dhe të gjithë burimeve që unë kam për karrierën time artistike. Unë lexoj shumë romane në kohën time para gjumit, ai është sinjali që unë tani duhet të fle. Lexoj shumë kur udhëtoj, udhëtoj shumë, por nuk mund të them që udhëtoj për të lexuar. Në qoftë se unë do të thellohesha, do të bëja atë që i pëlqen njerëzve mendimtarë, që vlerësojnë njerëzit me vlera…

Mentor Nazarko: …të ndriturit…

Ermal Mamaqi: …por… Të ndriturit, po. Por, do të humbja masën, atë që po ndodh në të gjithë globin. Do të humbja komercialitetin. Njerëzit nuk kanë kohë tani për t’u thelluar, duan të hanë shpejt.

Mentor Nazarko: Qartë.

Ilnisa Agolli: Ma jep çik atë gotën e ujit.

Ermal Mamaqi: Ma jep pak…

Mentor Nazarko: Raporti i suksesit me llojin e gjësë që bën ti, të çon në një pyetje të pashmangshme: Mos vallë ti je shumë afër instinkteve njerëzore saqë është instinktuale? Për shikoja mënyrën si qesh ti. E qeshura jote ka momente ku është shumë instinktive, gjysmë histerike.

Ilnisa Agolli: E ke çik me nota kështu…. E ke nga pak…. Ty të pëlqen e qeshura jote?

Ermal Mamaqi:  Kur e shoh veten, them s’ka mundësi që njerëzit nuk të vrasin rrugës për këtë të qeshur, por që…

Mentor Nazarko: Një nga llojet e të qeshurës është histerike. Se ti ke disa lloje.

Ermal Mamaqi: Modifikohen. Puna e… Më fal, e humba fillin. Ti më pyete për…

Mentor Nazarko: Të qeshurën, humori yt a është instinktual? A është i thjeshtë?

Ermal Mamaqi: Te instinkti, po. Instinkti është ai që më udhëheq që në mëgjes deri në darkë. Unë shpesh shkoj me instinkt, kam një organizim shumë të mirë. Axhenda ime është vetëm kalendare, lista, takime edhe në qoftë se nuk e shkruan, unë filloj dridhem. Por, kur e lë veten të më udhëheqë instinkti, atëherë vendimet i marr në kohën e duhur.

Mentor Nazarko: Për shembull si seksi. Seksi është diçka që lidhet me instinktin. Është i vjetër sa bota dhe njëlloj është. Por, ama, është kënaqësia më e madhe. Domethënë, këto kënaqësitë natyrale të jetës së njeriut….

Ermal Mamaqi: Tani ka filluar edhe programohet. Jo… madje edhe…

Mentor Nazarko: Madje programim në familje, apo…

Ermal Mamaqi: Madje po të lexosh shumë… Jo, jo, për seksin domethënë…

Mentor Nazarko: E kuptoj, po programim… Në familje…

Ermal Mamaqi: Sepse është si sporti, si ushqimi…Është diçka që…

Mentor Nazarko: Apo ndërtohet në kështu rastësore, apo jo?

Ermal Mamaqi:  Seksi brenda familjes thua?

Mentor Nazarko: Po?

Ermal Mamaqi: Po, për atë po flasim, Mentor, çfarë kuptove?

Mentor Nazarko: Po për atë po flasim, o burrë. Dëgjo, dëgjo…

Ermal Mamaqi: Të rrimë tek instinkti. Unë me instinktin kam fituar gjithmonë sepse instinkti më flet vazhdimisht, më thotë kur duhet të tërhiqem.

Mentor Nazarko: E shikon? Kapa mirë këtë gjë.

Ermal Mamaqi:  Shumë bukur. Instinkti më tregon, më flet vazhdimishtkur duhet të tërhiqem, kur bëhem i mërzitshëm, kur duhet të vazhdoj të rri dhe kur duhet të filloj të bërtas.  Ose si person me instinkt, jam i qartë kur t’i heq njerëzit nga puna dhe kur t’i marr në punë. Pavarësisht se e lexoj tri herë në tre vende të ndryshme CV-në dhe intervistën me një person që do ta marr që të punojë për  mua. Instinkti është ai që më flet dhe më thotë ‘merre këtë person’ edhe rrallëherë gaboj.