MENU
klinika

Mentor Nazarko

Kush e humbi kohën për të çrrënjosur drogën?

21.03.2017 - 14:14

Pas goditjes së Lazaratit, u krijua një momentum i jashtëzakonshëm për të imponuar një model të ri jetese dhe pune në fshatin shqiptar: larg drogës. Por dështuan të gjithë, qeveria, faktori ndërkombëtar, por dhe opozita heshti. Në vend që të propozonte një model të ri, mbrojti Lazaratin. Gabuan të gjithë si me piramidat. Por dhe opozita gaboi

Kur u godit Lazarati si kështjellë e drogës shqiptare, si çibani më i ndërkombëtarizuar i prodhimit të hashashit cilësor shqiptar, u krijua me siguri një momentum i jashtëzakonshëm. Jo thjesht për imazhin tonë si komb. Jo thjesht për forcën e policisë dhe qeverisë Rama që guxoi të godiste një kështjellë të krimit të organizuar. Nuk po e politizojmë diskutimin për të thënë se me cilën forcë politike ishte e lidhur ajo kështjellë, ai bastion ekonomiko-politiko-kriminal.

Momenti ishte për të ofruar një model të ri pune, jete për bujqësinë, popullin e Lazaratit dhe gjithë Shqipërinë. Për ta bërë këtë, megjithatë nuk mjaftonte qeveria. Duhej angazhim i faktorit ndërkombëtar, i cili vuante prej Lazaratit që helmonte rininë europiane. Duhej angazhim i opozitës, kësaj here jo në funksion denoncues, sepse do të ishte vetëdenoncues për shkak të lidhjeve të veta kërthizore me Lazaratin. Por në funksion propozues.

Për Lazaratin duheshin propozuar politika zhvillimore. Për bujqësinë e Shqipërisë duheshin propozuar gjithashtu politika të tilla. Për fshatin shqiptar në përgjithësi. Dhe për këto politika do duheshin programe, financime, të cilat duhet të vinin nga perëndimi normalisht. Zotërinj të nderuar perëndimorë: nuk po harxhoni shumë para për policinë tuaj në ndjekje të gomoneve apo trafikantëve me hashash made in Lazarati, dhe na jepni ne për të zhvilluar bujqësinë, artizanatin, industrinë përpunuese, agriturizmin-duhej të thoshte me një zë politika shqiptare. Ky mesazh nuk u dëgjua asgjëkundi.

Nuk duhet marrë për e mirëqenë se në kohën e qeverisjes së PD-së hashashi kultivohej vetëm e vetëm në Lazarat. Ka patur dhe vatra të tjera jo dhe aq të propaganduara, si në Lumin e Vlorës, në Malësi të madhe, etj, etj. Këto vatra sot me siguri janë rigjallëruar, dhe njolla e vajit të drogës, (jo vajit të hashashit që ka cilësi të mira shëndetësore) është shtrirë në gjithë Shqipërinë. Sipas raportit të Departamentit të Shtetit, sasia e identifikuar e vatrave të mbjella është pesëfishuar.

Çfarë ka ndodhur realisht? Qeveria shqiptare ka dështuar të implementojë programe të tilla zhvillimore në bujqësi, në nivel kombëtar dhe jo thjesht në Lazaratin e frustruar se tashmë ata po mbjellin më pak dhe se gjetiu po mbillet më shumë.

Qeveria e ka asnjanësuar efektin pozitiv në imazhin e vet për shkak të goditjes së Lazaratit. Sot, goditja shembullore e Lazaratit nuk mund të përdoret për mburrje asgjëkundi.

Perëndimi, burokracia e vet, e shteteve të veçanta, Italisë përshembull se Greqia është në krizë të madhe ekonomike, nuk lëvizi ta ndihmonte Shqipërinë.

Kërkesa e madhe e tregjeve të perëndimit për hashash, krijoi ofertë të re.

Ideja e një njeriu të afërt me kryeministrin për të lejuar kultivimin e hashashit për qëllime mjekësore me gjasë është konsideruar si njëlloj leje e heshtur për të mbjellë, pavarësisht se atij ju kundërvu publikisht ministri i brendshëm apo dhe kryeministri. Me gjasë ideja e tij është e shëndetshme deri diku, por ne nuk u morëm seriozisht me këtë propozim si me shumë propozime të tij. Mungesa e themeltësisë në një pjesë të propozimeve dhe ideve të tjera të Kokëdhimës, ka zhvlerësuar racionalen tek ideja e kultivimit të hashashit mjekësor. Efekti mbase ka qenë i njëjtë si me një konferencë shtypi të Berishës për piramidat: paratë tona janë të pastra.

Me siguri faji më i madh qëndron tek këta faktorë: politika qeveritare dhe tek bashkësia perëndimore.

Po ku qëndron në luftën ndaj prodhimit dhe trafikimit, prokuroria? Ajo mund të udhëhiqte hetime kryesisht pas denoncimeve mediatike për shumë zona.

Ku qëndron opozita që sot e ka drogën argumentin kryesor të luftës së saj, të bllokimit të jetës institucionale në vend?

Kur zëra të arsyeshëm propozonin krahas goditjes së Lazaratit, apo menjëherë pas mbarimit të operacionit atje, politika të reja zhvillimore për Lazaratin dhe fshatin shqiptar në përgjithësi, opozita heshti. Më saktë nuk heshti, por mbrojti Lazaratin. Mjafton të shikoni gazetat e atëhershme, mediat në përgjithësi për ta kuptuar këtë.

Kur analizohet me realizëm kriza e piramidave, përgjegjësitë kërkohen jo thjesht tek qeveria, regjimi i kohës që i toleroi, apo u bë bashkëfajtore. Por dhe tek opozita që heshti, nuk i denoncoi piramidat. Dhe mund të ketë përfituar prej tyre.

Përgjegjësitë kërkohen dhe tek perëndimi, institucionet financiare perëndimore që heshtën gjithashtu.

Për analogji edhe sot, si me piramidat, përgjegjësitë do duhet të kërkohen dhe tek opozita. Që heshti atëherë, por sot e ka armën kryesore politike për të ndenjur në çadër. Si opozita e djeshme me piramidat.