Menu

Mentor Nazarko

Sporti, kryevepra që bashkon njerëzit

24.03.2017

Një reflektim i thellë mbi ndikimin e sportit në forcimin e ndjenjës së përkatësisë kombëtare në një ditë historike si e quajti profesor Matteo Mandala, autori më i kuotuar i bashkësisë arbëreshe.

Intervistë me Matteo Mandala (Pjesa e parë)

Matteo Mandalà është profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në universitetin e Palermos, Itali. Ai është albanolog i mirënjohur, autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti dhe atë shqiptare në përgjithësi.

-Si iu duket kjo ceremoni, në pikëpamjet e ringjalljes së përkatësisë arbëreshe këtu?

-Duket fantastike po ringjalljen ne e kishim prej kohesh, tani më pas i kemi shtuar pak faktin ringjalljes, domethënë janë marrëdhënie shumë pozitive besoj për të dyja palët, edhe për ato arbëreshe por edhe për shqiptarët dhe shpresoj që në të ardhmen t’i fuqizojmë këto marrëdhënie, duhet të kemi akoma më shumë shkëmbime kulturore, në fushën e ekonomisë, sidomos në biznes.

-Unë kam bërë një refleksion për rolin e futbollit në ringjalljen e ndjenjës kombëtare përkatësisht te diaspora e Shqipërisë, diaspora e re diaspora e vjetër, ju çfarë mendimi keni për këtë, për rolin e futbollit?

– Sigurisht që futbolli si të gjithë sportet është një nga mjetet që bashkon njerëzit, pavarësisht nga vendet ku jetojnë, nga puna që bëjnë, nga idetë politike, nga ato ndarje shoqërore që normalisht njerëzit i largojnë, sporti është kryevepra njerëzore që i bashkon njerëzit. Fakti që sot këtu në një fshat të vogël të Sicilisë janë bashkuar shqiptarë nga të gjitha viset e botës ku jetojnë është një mrekulli në vetvete. Jemi me të vërtetë shumë të lumtur për këtë ngjarje që sot po jetojmë.

– Po një reflektim për imazhin, ju e patë tifozerinë shqiptare në Francë, çfarë ndikimi ka kjo për imazhin?

-Është një ndikim i madh pozitiv sepse tregon shqiptarët kur janë tifozë, një dashuri ndaj sportit por edhe ndaj vetes që na bën krenarë dhe ka lartësuar imazhin e Shqipërisë sidomos këtu në Itali për një periudhë të gjatë pati disa paragjykime dhe kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Sot mund të themi që Shqipëria ka fituar pikë, ka ndryshuar dhe sot mund të themi që imazhi i Shqipërisë fluturon lart sa shqiponja.

– Pse një arbëresh sot ka më shumë motive për të thënë që unë kam lidhje me atë Shqipërinë atje?

-Po sigurisht, atë nuk e kanë mohuar kurrë. Të gjithë shqiptarët në fillim të viteve 90-të në Itali ne i kemi mikpritur e i kemi mbajtur si vëllezërit tanë edhe sot e kësaj dite ka qindra familje që jetojnë në fshatrat tona arbëreshe.

-Si në Sicili edhe në Kalabri kjo domethënë që s’ka pasur kurrë një ndërprerje ndjenjash?

-Ne i dinim shkaqet e rebelimit shqiptar në ato vite të vështira, nuk kemi pasur kurrë paragjykime ndaj shqiptarëve dhe sot mund të themi me plot gojë që ne arbëreshët kemi qenë ura e perëndimit për Shqipërinë.