Vdekja e Ivan Iliçit – Leon N. Tolstoi

Në këtë kohë, Ivan Iliçi u gremis, pa dritë dhe iu qartësua në mendje se jeta që kishte bërë nuk qe ajo që duhej bërë, por atë mund ta riparoje. E pyeti veten: “Po kjo ç’është?” Dhe mbajti vesh që të dëgjonte përgjigjen. Ndjeu që se kush po ia puthte dorën. I hapi sytë dhe pa të birin. I erdhi keq për të. Iu afrua dhe e shogja. Ai dhe atë e pa. Me gojën të hapur, me lotët të pafshirë, që i zbrisnin nëpër hundë dhe faqe, me një shprehje ankthi në fytyrë, e shoqja nuk po ia ndante sytë. I erdhi keq edhe për të.

“Po, unë ata po i mundoj, – mendoi. – Atyre po u vjen keq për mua, por do ta ndiejnë veten më mirë kur të vdes unë”. Donte t’ua shprehte këtë mendim që i feksi, por ja që nuk ishte në gjendje, s’kishte forca. “E ç’duhen llafet, më mirë po e bëj,” – tha me vete. I tregoi me sy, të shoqes në drejtim të të birit dhe mërmëriti:

– Merre… gjynah… Dhe ty gjynah… Deshi t’u thoshte edhe “më falni”, por tha: “Lërmëni…” Dhe duke mos qenë në gjendje që ta korrigjonte veten, tundi krahun, duke ushqyer shpresën se kush duhej që ta kuptonte, do ta kuptonte.

Dhe sakaq iu bë e qartë se ajo që e kishte munduar aq pamëshirë deri më tani dhe nuk po e lëshonte, zuri të terratisej vrullshëm: nga të dyja anët, nga dhjetë anë, nga të gjitha anët. Po i dhimseshin të vetët, duhej bërë diçka për ta, që të mos vuanin.

Duhej që t’i shpëtonte ata, por të shpëtonte dhe vetë nga gjithë këto heqje. “Sa mirë dhe sa thjesht, – mendoi. – Po dhembjen? e pyeti veten. – Atë ku ta shpie? Pa hë? Ku je, moj dhembje?” Mbajti vesh.

”Ja ku është. E po, le të jetë”.

“Po vdekja? Ajo ku është?” E kërkoi frikën e pakmëparshme që kishte patur nga vdekja dhe nuk e gjeti. Ku ishte? Cila vdekje? Frikë nuk ishte më, sepse as vdekje nuk kishte. Në vend të vdekjes ishte drita.

– Ja se ç’na qenka! – këlthiti i befasuar. – Ç’gëzim!

Për atë, të gjitha këto ndodhën brenda një çasti dhe kuptimi i këtij çasti nuk ndryshoi më. Për të pranishmit, agonia zgjati edhe dy orë. Në kraharor i llokoçiste diçka.

Trupi i tronitur i regëtinte. Pastaj llokoçitjet iu pakësuan dhe regëtimat sa vinin e i rralloheshin. – Mbaroi! – tha dikush që ishte përkulur mbi të.

Ai e dëgjoi këtë fjalë dhe e përsëriti në shpirtin e vet. “Mbaroi vdekja, – tha me vete. – Ajo nuk është më”.

E thithi ajrin, por i mbeti në gjysmë të rrugës, u drodh dhe dha grahmën e fundit.

Përktheu: GURI SHYTI

Redaktoi Gazmend Krasniqi

Botimet ABC

SHKARKO FALAS

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj