Frikë nga endrrat e këqija?

Egla Take di si t'i zhdukë ato

(Konica.al)-  Ka përfunduar studimet për Infermieri të Pergjithshme teksa aktualisht punon me kohë të pjesshme si dado. Pasioni i saj është diku tjetër. Egla Take realizon “Kapës ëndrrash (Dream Catcher)”, të punuara me dorë, në mënyrë autentike nga ajo. Origjina e tyre vjen prej kulturës indigjene amerikane dhe janë parë gjithmonë si fatsjellës, mbrojtës nga çdo e keqe, energji negative dhe mbi të gjitha… kapës të ëndrrave të këqija.

Nëse i shikon me vëmendje këto punime, kupton, sipas intepretimit të kulturës, se ëndrrat e këqija ngecin në rrjetën e endur, që ngjason me atë të merimangës. Por nuk mjafton vetëm historiku, në këto punime shikon edhe shumë art, ngjyra, origjinalitet.

Çfarë të ka ngacmuar që nise të krijosh “Kapës ëndrrash”? Në vendin tonë ato njihen shumë pak, ndryshe nga vendet e tjera…

Është e vërtetë që deri para pak kohësh, kultura e “Kapësit të ëndrrave” ka qenë thuajse e panjohur në Shqipëri. Falë rrjeteve sociale, kjo gjë ndryshoi. Si shumë gjëra të tjera, u kthye shumë shpejt në një trend.

Sa e informuar ishe rreth tyre para krijimit tënd të parë?

Ashtu si dhe pjesa më e madhe e njerëzve, edhe unë kontaktin e parë me to e kam pasur nëpërmjet internetit. Si fillim u bëra kurioze nga fakti që kanë një pamje të veçantë. Më pas, duke kërkuar edhe për kuptimin e tyre, me tërhoqën akoma më shumë. Derisa më ra rasti të blej vetë një “Kapës ëndrrash”. Duke e parë nga afër punimin, doja patjetër të provoja ta realizoja një.

Si ishte realizimi i parë dhe çfarë ruan me dashuri nga ky moment?

Punimi i parë ishte diçka shumë e thjeshtë. U realizua me sende që më ndodheshin rastësisht në shtëpi, pasi kisha parë 2-3 video ndihmëse. Atëherë nuk e kisha menduar që vetëm pas pak kohësh, do përkushtohesha kaq shumë ndaj realizimit të “Kapësve të ëndrrave” dhe që do të hapja edhe një llogari në Instagram ku do publikoja punimet e mia.

Çfarë dëshiron të krijosh me punimet e tua, ka ngjyra, modele të preferuara që i jetëson në to?

Faktikisht, jam gjithmonë duke eksperimentuar me modelet, ngjyrat, përmasat dhe materialet me të cilat punoj.  Synimi është krijimi i diçkaje të veçantë. Mund të përmend një model të krijuar me lule natyrale të thara dhe një tjetër në formën e bufit.

Ua sugjeron shpesh miqve, të afërmve të tu? Ëndrrat janë më të qeta me to?

Një pjesë e mirë e personave të afërt me mua, qoftë miq apo familjarë, e kanë tashmë nga një “Kapës ëndrrash” të realizuar prej meje. Ëndrrat janë shumë më të qeta për ata që besojnë vërtet.

 

Të pengon kjo punë nga impenjimet e tjera të ditës? Sa orë dedikim të merr një realizim i tillë?

Në të vërtetë, nuk punoj çdo ditë me Dreamcatcher-at. Kështu që nuk mund të them se më pengon. Më shumë është diçka të cilës i dedikohem gjatë kohës së lirë. Një punim, në varësi të modelit dhe madhësisë, mund të kërkojë 2-3 orë punë.

Ke pasur ndonjë kërkesë të veçantë në realizimin e tyre?

Më pëlqen shumë kur dikush që porosit një “Kapës ëndrrash”, më jep edhe ide për modelin. Edhe nëse nuk e bën personi që e porosit, unë vetë pyes lidhur me shijet apo gjërat që i pëlqejnë, duke u perpjekur të realizoj nje “Kapës ëndrrash” të personalizuar.

Punimet me dorë shtohen gjithmonë e më shumë, të kënaq kjo gjë? Mendon se duhet t’i drejtohemi punimeve autentike, origjinale?

Jam adhuruese e punimeve me dorë të çdo forme. Në një kohë kur gjithë ç’shohim janë prodhime fabrike në seri, ndjesia që përjeton kur sheh një punim të realizuar me dorë, nga dikush që ka dhënë një pjesë nga vetja, është e jashtëzakonshme.

Çfarë ke së fundmi në duar…

E frymëzuar nga pranvera, momentalisht jam duke punuar me një model me lule dhe ngjyra të ndezura.

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj