Shqipëria shpall Himarën si nder i kombit, PD dhe PBDNJ bojkotojnë

16 vjet më parë një ceremoni presidenciale dekorimi, në Himarë u zhvillua në një atmosferë bojkoti të hapur nga filogrekët, ndërsa sot Nishani, në bashkëpunim me autoritetet vendore, veproi si kudo nëpër pjesë të tjera të atdheut

Të përfshirë në raportime dhe llogaritje skenarësh krize dhe pajtimi partiak, mediave u shpëtoi një ceremoni, në dukje rutinore, por bash për këtë, një ceremoni domethënëse : dekorimi i Himarës nga Presidenti i Republikës me Urdhërin « Nderi i Kombit ». Së bashku me qytetin, apo këtë vis shqiptar u dekoruan dhe veprimtarë të njohur, të gjallë dhe të vdekur, që i kanë shërbyer identitetit kombëtar të shqiptarëve në këtë zonë, për të cilën flitet shumë. Apo dhe debatohet midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë.

Po pse nevojitej më shumë vëmendje për këtë fakt, që mbeti mënjanë analizave të banaqeve dhe shumicës së raportimeve të proletarëve të shtypit?

Ceremonia në fjalë, në gjithë detajet e saj artistike dhe jo vetëm, dekorimi, motivacioni i dekoratës për këtë trevë të ndritshme të esencës sonë kombëtare, ishin afirmim aktual, domethënë modern i përkatësisë shqiptare të Himarës. Në këtë kuptim, vendimi i presidentit ishte veprim shumë i mençur dhe i duhur.

Ky afirmim ndodhi si pasojë e bashkëpunimit të pjesëve të shtetit, kreut të bashkisë me Presidencën dhe ky është gjithashtu një moment tjetër shumë pozitiv i asaj që ka ndodhur. Bashkia ka propozuar nderimin e Himarës dhe Presidenca ka vlerësuar propozimin, duke e integruar atë me nderime të tjera individuale apo përzgjedhje të tjera, për të cilat nuk hymë në konsiderata se a ishin të gjitha të përpjesëtuara drejt. Ky bashkëpunim ka ndodhur midis një kryetari socialist bashkie dhe një presidenti që vjen nga PD-ja, dhe të kontestuar shpesh nga e majta, të bojkotuar prej saj në aktivitete të caktuara ndërkombëtare, dhe e gjitha kjo është nga ato momentet e rralla kur pjesët e shtetit veprojnë në harmoni. Të udhëhequra nga i njëjti interes, ai kombëtar.

Është krejtësisht e qartë se në këtë veprim Presidenti Nishani ka vepruar i nisur nga vetëdija e tij individuale dhe jo nga përkatësia e tij e dikurshme partiake. Nuk ngjan se Presidenti është nisur për t’i kontribuar partisë së tij të dikurshme me një ceremoni më shumë, megjithëse ligjërisht jemi në fushatë elektorale. Ai ka shkuar me frymëzim individual për të bërë një tribut të duhur një krahine me kontribute të jashtëzakonshme në historinë tonë kombëtare. E ka bërë këtë nderim me sukses, me domethënie, pavarësisht faktit se disa fshatra janë dhe greqishtfolëse, apo se brenda Himarës militojnë bërthama të financuara nga fqinji ynë jugor apo të vetëndjera si greke.

Ceremonia, si raportojnë pjesëmarrës të kualifikuar të saj, shkoi në normalitet të jashtëzakonshëm dhe ky është treguesi më real i suksesit të saj. Morën pjesë afro 200 vetë, pa lajmërime të sforcuara partiake, pa transferime nga Vlora, apo nga zona të tjera patriotësh. Muzika e ofruar ishte nga grupe folklorike vendore, të Himarës, Pilurit, etj., dhe himni u këndua shqip nga të rinj të zonës.

Krahasim me një episod të ngjashëm 16 vjet më parë

16 vjet më parë, kam asistuar në një ceremoni të ngjashme dekorimi të një shkolle dhe personalitetesh të njohura të zonës nga Presidenti Meidani për kontributin e tyre në kulturën kombëtare, në gjuhën shqipe si Pano Bixhili, etj., dhe pata një ndjesi të përzier. Kur dëgjova himnin kombëtar të kënduar nga nxënës të vegjël, u ndjeva mirë, sepse mendova që në shkollat e zonës ku asokohe debatohej për ngritjen e një shkollë greke, tradita e përkatësisë kombëtare kultivohej drejt dhe që në rrënjë. Por dikush ma ftohu entuziazmin duke më thënë se ata nxënës ishin të sjellë nga Vlora, dhe se drejtorët e shkollave në Himarë e kishin të vështirë në atë klimë të fortë greqizimi të bënin një gjest të vogël, por domethënës të nxjerrjes së fëmijëve të këndonin himnin kombëtar në qendër të Himarës. Akti presidencial i kohës ishte kurajoz, sepse zhvillohej në anormalitetin e varfërisë, blerjes me viza, pensione dhe snobizmit të qeverisë së majtë për aktivitete kësisoj.

E sot, diçka normale ndodhi. Jo vetëm nga ceremonia, dekorimi, motivacioni, folklori, që është dëshmia më e fortë e rrënjëve shqiptare të Himarës. Gjithçka ishte shqiptare. Dhe kreu i shtetit shqiptar që ishte në fund të mandatit, kur karriera e tij pas 24 korrikut nuk është përcaktuar ende, rezonoi me këtë frymë normaliteti që vinte nga poshtë. Dhe kjo është për duartrokitje.

Heshtja, bojkoti që nuk u shndërrua dot në sabotim

Përkundër kësaj, heshtën ata që ishin të zëshëm jo vetëm 16 vjet më parë, por për një pjesë bukur të gjatë historisë së këtyre viteve të pluralizmit shqiptar. Heshtën dhe nuk u dukën. Nuk u dukën as në version ceremonial me hipokrizinë e kuptueshme, dhe shkëlqyen me mungesën e tyre. Nuk u dukën as me gjeste rrëmuje, sabotimi, afishesh apo formash të tjera distancimi, ndërsa Greqia zyrtare buçet në sinkron kundër rrezikut imagjinar të Shqipërisë së madhe.

Mund të ketë shumë arsye të mëdha dhe të vogla për këtë sukses të normalitetit shqiptar në Himarë. Janë arsye vendore, rajonale dhe lokale. Mundet që Greqia nuk ka kohë, fuqi, ndikim të sabotojë këtë akt përkatësie shqiptare, akt që nuk ka mundur ta nënvlerësojë për shkak të simbolikës së fuqishme. Mbase janë shkëputur ato fije që vijnë prej saj dhe mund të mbajnë tërë kohën në alarm çdo shfaqje të shqiptarësisë së Himarës, apo gjeste të presidentit dhe autoriteteve si ky. Mundet që banorët vendës, në prag të sezonit turistik, me inteligjencën e tyre, ndalojnë akte rrëmuje që mund t’i prishin biznesin që tashmë e bëjnë kryesisht me shqiptarë Kosove, apo Shqipërie në përgjithësi.

E rëndësishme është që Himara dha një shfaqje tjetër normaliteti në rrëmujën tonë të përgjithshme. Fushatë elektorale është dhe nuk është, dhe PD-ja, parti nga vjen presidenti ishte dhe nuk ishte në ceremoni. Ishte PD-ja e vjetër lokale që është mënjanuar nga PD-ja e re, e drejtuar tashmë nga kuadro të emigruar lokalisht prej OMONIA-s, që e bojkotoi aktivitetin e Presidentit. Kthimi i faqes, apo konfirmimi i martesës së gjatë: tanimë PBDJNJ bashkëpunon fuqishëm me PD.

Janë pra shumë arsye pse kjo shfaqje e normalitetit të Himarës, brenda një procedure rutinore dekorimi fitojnë një vlerë të re, dhe veprimi individual i Presidentit, një arsye shtesë për duartrokitje.