Alizoti shpërthen ndaj Bashës: Dorëhiqu, ose futu në garë!

Kreu i Departamentit të të Përndjekurve në Partinë Demokratike, Tomor Alizoti, ka pohuar se zgjedhjet në PD janë thjeshtë një farsë, ndërsa zbuloi edhe propozimin nga Basha për të qenë pjesë e partisë. Gjatë një interviste në “News24″ ai e ka konsideruar dorëheqjen si fisnikëri, e për rrjedhojë, Basha kështu duhej të kishte vepruar. Në morinë e kritikave, ai shtoi se nëse Basha e bën këtë garë pa garë, në PD do ketë pakënaqësi.

“Dorëheqja e kryetarit dhe e kryesisë, dhe nënkryetarëve, do tregonte një standart tjetër. Do ndodhte për herë të parë. Dorëheqja është fisnikëri. Basha duhet ta kishte bërë, dhe do mbahej mend si i pari që e bëri. Kështu do të bënte që edhe me Partinë Socialiste të ndodhte më vonë. Kandidati tjetër po legalizon një farsë, këtu nuk ka garë, ku janë ata njerëz që kanë studiuar jashtë vendit. Ç’është kjo garë, pa lista? Garë në mes të korrikut, pa lista. Ç’është kjo demokraci ku s’ka mendim ndryshe. Në PD ka mendime ndryshe, nëse Basha e bën këtë garë, pa garë, në PD do ketë pakënaqësi”, tha Alizoti.

Alizoti tha ndër të tjera se ftesën e Bashës e kishte refuzuar, pasi do dëshironte që kontributin e tij ta jepte nga jashtë.

“Unë jam i ftuar nga Basha, nuk kam dashur të hyj në PD, jam i djathtë, dhe e kam votuar, por kemi pasur një bisedë që ai ka menduar që unë duke qenë pranë PD, i bëja mirë kësaj partie. Por unë nuk kam dashur, kam thënë që mund ta mbroj më mirë partinë nga jashtë. Ne kemi rënë dakord në fund, që të kem një liri mendimi. Unë nuk kam aderuar në PD, ka qenë një ftesë”, u shpreh ai.