Brenda korrikut, Dimitrov do vizitojë Tiranën

Kosova dhe Shqipëria do të jenë dy vendet të cilat do ti vizitojë Ministri i Jashtëm i Maqedonisë gjatë këtij muaji. Përfaqësues të Ministrisë së Jashtme së vendit fqinj kanë konfirmuar për mediat vendase se Nikolla Dimitrov, do të vijë për vizitë zyrtare në Shqipëri.

I pyetur se kur do t’i vizitojë këto dy vende fqinje, vetë kryeministri Zoran Zaev, zëdhënësi i ri i Qeverisë, Mile Boshnjakovski ka thënë: “Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë është avancimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve ndër-fqinjësore, kurse në një të ardhme të afërt janë planifikimet dhe intensifikimet e takimeve dypalëshe. Për të gjitha takimet në nivel të tillë, që janë në fazë të planifikimit do t’ju informojmë kur do t’i përcaktojmë datat e sakta”.

Kryeministri maqedonas Zaev, në kuadër të Samitit të Triestes, u takua me homologun shqiptar, Edi Rama dhe delegacionin e Shqipërisë dhe që të dy u angazhuan për forcimin e bashkëpunimit dhe politikave konstruktive, në interes të qytetarëve të dy vendeve.