Eh, eh, të ishte kaq e thjeshtë, Jozefinë!

Ish-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina, para pak ditësh, dhe tani së fundi Gjekmarkaj, bënin thirrje të hapur që Berisha të luante drejtpërdrejt në situatën e krijuar së fundi në PD. E para, që është specializuar në shkencat ekzakte, nuk është ndoshta e pasionuar pas historisë. Dhe për këtë arsye analizat i bën mbi bazën e logjikës matematike, apo mënyrës së drejtpërdrejtë të të shtruarit të një problemi për zgjidhje. I dyti, apo Gjekmarkaj, pasionant i letërsisë, i referohet analizës nga një kënd tjetër, që më së shumti i përket historisë dhe ku letërsia e kulluar hyn apo të ndihmon pak apo shumë pak në analizën praktike të ngjarjeve.

Për qejf të lexuesit, e ca më shumë tani në ditët e verës së nxehtë, historitë, qofshin edhe politike, duhen pasqyruar nga pak edhe me pak qetësi. Po, ndërkaq, analizën do ta bëjmë po referuar këtyre faktorëve.

A mundet Berisha të hyjë drejtpërdrejt në fushën e lojës?

Aty nga viti 1998, në një vizitë me Presidentin Meidani në Ukrahinë, po vija vërdallë dhe në një nga libraritë e Jaltës, më ra në dorë një nga biograftë e shumta të shkruara për Stalinin. Autori ishte modern dhe i përshkruante ngjarjet jo me atë mënyrën e vjetër komuniste që brezi i vjetër i yni i di pothuajse përmendsh…

Ajo që më intrigoi në libër dhe analoge me personazhet tona ishte një fakt që historiografia botërore e quante enigmë prej dyzetë vjetësh. Ku ishte zhdukur Josif Stalini dhjetë ditët e para pas sulmit të Gjermanisë në 1941? Pse nuk dilte hapur në skenë?

Autori i librit e kishte gjetur përgjigjen në një libër të bibliotekës së Stalinit në 1997. Aty ishin cituar disa rreshta nga vetë Stalini për Ivanin e tmerrshëm, që ishte zhdukur në një situatë të ngjashme, kur e kishin sulmuar armiqtë.

Çështja ishte e thjeshtë. Kur gjermanët sulmuan menjëherë, gjeneralët sovjetikë filluan të bënin zhurmë dhe ta ndërprisnin Stalinin e gjithëfuqishëm. Atëherë ai u fut në vilën e tij, ku nuk guxonte të hynte njeri. Pas dhjetë ditësh, në tufë, gjeneralët dhe gjithë byroja politike u duk në derën e tij. Stalini e kuptoi se e kishin pranuar që ai ishte mbreti i plotfuqishëm.

Kur lexova Gjekmarkajn, që kërkonte dje plot pasion që të dilte në skenë Berisha, m’u kujtua përsëri një histori po analoge me atë të Stalinit. Tamurlani i madh e mundi keq Bajazitin e tmerrshëm turk. Ky i fundit i turpëruar para popullit dhe ushtrisë, u fut në shpellë 18 muaj dhe nuk fliste.

Vetëm kur kryeqyeti u bë copë-copë dhe murtaja e vjedhja po bënin kërdinë, ndihmësi i tij erdhi dhe i tha në vesh:

Është koha të dukesh prapë, madhëri… Dhe sulltani u duk.
Shumë njerëzve këto histori u duken kot, apo histori vere. Në thelb ato përsëriten herë pas here, e kohë pas kohe në çdo vend.

I ka bërë dhe Mao Ce Duni apo Enver Hoxha. Qeshja dikur edhe kur i bënte Fatos Nanua. Që dilte nga dera e PS-së kur humbte dhe përpiqej të hynte atje, prapë nga penxherja. Mund ta bëjë edhe Berisha nëse do t’i ngjajë. Ndërkaq, para se ta analizojmë se a do ta bëjë apo jo atë që bënë personazhet e analizuar më sipër, duhet të kujtojmë se ashtu si Nano, edhe Berisha janë tanimë në opozitë dhe jo në pozitë. Pra manovra të këtij lloji, janë gjithnjë me marzh të kufizuar, qoftë edhe për shkak të kësaj specifike.

Asnjë nuk e dyshon se si krijuesi dhe udhëheqësi i PD-së për gjithë këto vite, Berisha, mund ta ndryshojë fatin e kujdo në këtë parti, bile edhe atë të Bashës. Kjo logjikë elementare të bie menjëherë ndër mend edhe kur sheh apo dëgjon Jozefinën, Gjekmarkajn, Patozin apo të tjerë. Bile edhe autori i këtyre radhëve nuk e dyshon këtë gjë. Po problemi nuk është kaq i thjeshtë sa duket.

Basha tanimë është kryetari I PD-së dhe jo vetëm “de jure”, por edhe “de fakto”. Ai ka caktuar me dorën e tij një pjesë të madhe të grupit të ri parlamentar. Ky grup, që para pak kohësh mund të ishte dhe objekt të qeshurash, apo nënvleftësimi, brenda korridoreve të PD-së, nuk është më i tillë por ka fuqinë që jua jep mandati katërvjeçar. Si i bëhet nëse ata edhe të humbë Basha, apo këtë të fundit ta heqë Berisha, të vendosin të rrinë me kryetarin e parë? Është së pari Evropa që nuk do ta mirëpriste këtë sherr.

E po ashtu, edhe Shqipëria që do të nisë me këtë grup si dhe atë të PS-së negociatat për anëtarësimin e nesërm.

Një betejë më e keqe dhe më e rëndë mund të zhvillohej brenda PD-së, që edhe kështu siç është, duket më e përçarë se kurrë.

Berishës do t’i ngelte në dorë garda e vjetër, që jo vetëm është jashtë parlamentit. Një gardë, që edhe nëse nuk vëmë në përdorim cinizmin, e të themi që është një plaçkë e humbur dhe e gjetur prapë, nuk është se shërben për ndonjë gjë të madhe. Veç të tjerave, ajo mban në kurriz edhe mëkatet e të kaluarës, shkak ky që të mos krijojë ndonjë gëzim të madh edhe për vetë Berishën.

Kjo situatë analoge është përsëritur edhe dikur në PD. Aty nga fundi i nëntorit të 96-s, pak përpara rrëmujës së plotë që sollën piramidat, isha i ftuar në një cermoni të PD-së. E cila, si zakonisht, më ftonte në raste kur të gjithë rrëshqisnin…

Në cepin e sallës, andej nga fundi i ceremonisë, nga garda e vjetër erdhi vetëm Genc Ruli, me të cilin bëra një shaka që autori i njohur i librit të Napoleonit, Tarleja i famshëm, e tregon në librin e tij të njohur. I ardhur në Paris pas internimit në Elbë, apo mbretërimit të tij 100-ditësh, Napoleoni hyri në Paris dhe në darkë shikoi sheshin që bërtiste nga gëzimi. Pas pak ai u vërejt dhe u hidhërua. Turma ishte aty,  por nga garda e vjetër nuk kishte njeri dhe vetëm në darkë, aty nga fundi, ia mbërriti tmerrsisht i lodhur vetëm Fusheja.
Berisha, që natyrisht është një pasionant i madh i historisë, i di përmendsh ngjarjet e përshkruara më sipër.

Në këtë sens, hyrja e tij në këtë moment në betejën që po zhvillohet në PD, ka shumë më pak vlerë sesa mendon Jozefina, apo Gjekmarkaj, Patozi apo mjaft të tjerë.

E gjithë ndërhyrja mund të çojë në një çarje të madhe në PD, çka do të ishte ndryshe një humbje shumë herë më e madhe se ajo e 25 qershorit.

Po çfarë mund të bëjë Berisha?

Për mendjen time, duhet të bëjë atë që ka bërë deri tani. Pra të heshtë dhe të mos mbajë krah për asnjërin nga kandidatët. Atij i duhet PD-ja sot më e bashkuar se kurrë. Bile ndoshta më e bashkuar se viti ’91, kur ai ishte në prag të fitores.

Berisha do të vazhdojë të rrijë i qetë, por edhe me vigjilencën maksimale për të mos lejuar një rrjedhje tjetër. Kjo, siç u tha, do t’i shkaktohej minimumi nga krahu i Bashës, që edhe nëse quhet minorancë, është me mandate deputeti në xhep, apo ndryshe, mban në dorë fatin zyrtar të PD-së, të paktën në sytë e Evropës.

Sa u tha më sipër thekson qartë se Berisha, në rastin maksimal, do të luajë arbitrin e plotë të kësaj ndeshjeje, apo zhurme të krijuar në PD. Dhe besoj do ta luajë këtë arbitër, ndryshe nga rasti i katër viteve më parë, në rastin e betejës Olldashi-Basha, pra me një luajalitet më të madh. Ndoshta do t’i interesonte, pavarësisht dëshirës së brendshme se kush të fitojë, të shohë një garë sa më të hapur, që mundësisht të përfundojë 51 me 49 për qind.

Rrugë të tjera dyshoj se mund të ketë.

Po çfarë mund të themi për Jozefinën? Në një paralele të largët historike (po e bëjmë për shkak të kuriozitetit të lexuesit dhe ditëve të verës, kur ngjarjet sido që të jenë, duhet t’i shohësh me sy të qeshur). Jozefina, që është simboli i PD-së, është po aq besnike si më parë ndaj Berishës, ashtu si Jozefina e Napoleonit… Kur ky i fundit ishte në shtratin e vdekjes, nga të gjithë, tek ai qëndronte vetëm Jozefina.

Rasti i tanishëm mund të jetë i ngjashëm, jo për madhësinë apo vlerën e personazheve dhe natyrisht, Jozefina në krah të Berishës nuk është Jozefina në krah të Napoleonit, pavarësisht se besnikëria çmohet për çdo rast, kushdo që të jetë personazhi.

Problemi është shumë më i komplikuar dhe mund të themi thjesht vetëm kaq në lidhje me dëshirën që Berisha të zbresë në fushë, apo të hapë letrat…

Eh, eh, të ishte kaq e thjeshtë, Jozefinë!