Kukan: Puna e gjyqësorit, sprovë për Qeverinë e Zaevit

Deputeti sllovak i Parlamentit Evropian Eduard Kukan në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve të Maqedonisë (MIA) ka përshëndetur lëvizjet e fundit të Shkupit në drejtim të shtensionimit të marrëdhënieve me Bullgarinë dhe Greqinë.

“Mendoj se është strategjia e duhur, por është e nevojshme që të jeni të durueshëm dhe të mos dëmtoni interesat tuaj. Unë përshëndes nismat e reja me Bullgarinë, por e di që janë dy çështje të vështira dhe të ndjeshme të pazgjidhura – çështja e gjuhës maqedone të cilën shumë vetë në Bullgari e cilësojnë si dialekt bullgar dhe kremtimi i përbashkët i ngjarjeve historike”, ka thënë Kukan, transmeton Konica.al.

Sipas tij, edhe Maqedonia duhet të tregojë iniciativë dhe t’i mbrojë interesat e saj.

Ai ka shtuar se anëtarët e Parlamentit Evropian i shohin me sy të mirë nismat për bisedime.

“Por, çmimi që duhet paguar për këto dy marrëveshje nuk duhet të jetë në kurriz të Maqedonisë. Kjo është ajo çka më brengos”, ka tërhequr vërejtjen Kukan.

Eurodeputeti sllovak poashtu ka folur edhe për punën e Prokurorit Special, për të cilën tha se disa druajnë që ajo do të shpërdoret për hakmarrje politike.

“Është e rëndësishme që ta shihni çështjen objektivisht, pa interesa politike. Është e rëndësishme të hetohen rastet objektivisht, pa i shpërdoruar politikisht rastet, por në të njëjtën kohë, ne nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Qeveria e re do të gjykohet varësisht se si i zgjidh këto çështje”, ka përfunduar Kukan.