Letra e rrallë: kur intelektualët e kohës falenderonin Fan Nolin dhe qeverinë e tij

Lef Nosi është një nga ato personalitete që e kuptoi shumë mirë periudhën historike, në të cilën po jetonte duke i bërë një dhuratë të madhe historisë së vendit të tij me ruajtjen e dokumenteve të rëndësishme, që kanë vlerë të madhe kombëtare. Ndër shumë dokumente është edhe Deklarata e Pavarësisë të vitit 1912. Botimi i saj nga Lef Nosi solli edhe ruajtjen. Ne kemi sot prej Nosit një dokument historik për mëvetësinë e Shqipërisë.

Në arkivin e Nosit gjenden dhe dokumente të rralla  që hedhin dritë mbi momente të tjera historike. Një prej tyre është letra që intelektualët elbasanas i kanë drejtuar Fan Nolit, klerikut të lartë ortodoks, duke e uruar për zgjedhjen e kryeministër pas Revolucionit të Qershorit. Letra konsiderohet një dokument i rrallë sepse tregon  dhe pozicionimin politik të emrave të shquar të Elbasanit, kuptohet me Lef Nosin në krye.

Vetë Nosi renditet në mbështetje të Kryeministrit të ri duke vendosur emrin e tij në fund të letrës së gjetur në arkivën personale. Emrat që kanë firmosur letrën e urimit janë: Lef Nosi, Hysen Dakli, Ibrahim Hastopalli, Abdullah Tirana, Emin Haxhiademi, Mehmet Ali Stringa, Ibrahim Dedej, K. Shabanaj, Tasim Myftiu, Rrapush Demeti dhe dy intelektualë të tjerë me firma jo lehtësisht të dëshifrueshme. Në letër shprehimisht intelektualët kanë nënshkruar:

Shkëlqesia e tij Emzot Nolit

Lajmi i formimit të kabinetit prej Shk. suej me burrat idealistë që janë gjithë të frymëzuem prej principesh demokratike shkaktoi nji gëzim të pamasë në zemër të popullit të kësaj prefekture. Tue shpresue se ky kabinet do të hapi rrugën e përparimit e të përmirësimit ekonomik të atdheut të dashun paraqesim urimet tona të përzemërta për triumfin e veprës që shkëlqesia e juej keni marrë përsipër me krye.

Noli është akuzuar vazhdimisht për rolin e tij në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Qeveria e tij pati jetën e shkurtër, vetëm 6 muaj, por që përfaqësoi në atë kohë shpresat e intelektualëve dhe atdhetarëve. Ai vetë asnjëherë nuk është penduar për përfshirjen e tij në një lëvizje, e cila u përkrah nga liberalë e demokratë të padyshimtë si:  Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Ali Këlcyra dhe vetë Faik Konica, apo nga figura me emër e prestigj të madh në popull, si Bajram Curri e atë Gjergj Fishta, si edhe nga emra të shquar nga Elbasani siç e dëshmon letra e botuar për herë të parë. Nga ana tjetër, në shkrimet e mëvonshme, Noli ka pranuar përgjegjësitë e tij e të shokëve në dështimin e revolucionit të vitit 1924. “U armiqësova me çifligarët, kur thashë se do të bëj reformën agrare, u armiqësova me fshatarësinë kur nuk e bëra atë”, frazë kjo e Nolit që i jep kuptim karrierës së tij të pafat politike.

Disa mbështetësit në letrën drejtuar kryeministrit të atëhershëm  janë tregtarë të njohur elbasanas e me pozita të rëndësishme ekonomike, por që dashurinë për vendin e vendosën mbi interesat e tyre personale dhe e njohën Nolin si Kryeministër duke e përgëzuar edhe për “triumfin e veprës” që ai kishte marrë për sipër duke përfaqësuar edhe interesat e tyre.

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj