Nuk ka më artist rebel. Nuk ka më Bujar Lako!

Buajr Lako lindi artist!

Me një shpirt që nuk iu thinj kurrë, ai jetoi jetën ashtu siç i kishte hije një rebeli.

Mund të themi se ishte i vetmi shqiptar që jetoi jetën nën një koncept poetik. Ai mbetet një prej artistëve më interesantë të teatrit dhe filmit shqiptar, nga ata që të shëtitin në parqe, bare, apo fletë të verdha romanesh. Nga ata që ne fakt i rikthehesh në çdo moshë dhe sa herë të mundesh.

Ai ishte njeriu i pasioneve të jashtëzakonshme.

Rolet e Bujos janë të gjitha shumë të dashura për kinematografinë shqiptare. Do të doja të kujtoja shfaqjen e tij të fundit ‘Kush e solli Doruntinën’, novelën e famshme të Ismail Kadaresë, sjellë në dramatizim dhe regji të Laert Vasilit, zanafilla e së cilës ceku mëtime të mëdha.

Për Konica.al ekskluzivisht Vasili u shpreh:

‘’Skena dhe ekrani shqiptar humbën në mënyrë të parakohshme jo vetëm një artist, por së bashku me të, një vlerë morale, njerëzore dhe artistike. Do ta mbaj mend gjithmonë korrektësinë e tij. Rrugës për në prova, ngase i zhvillonim në Durrës, Bujo dilte çdo ditë 10 minuta para. E dimë të gjithë që sot nuk ekziston një korrektësi e tillë. Në vend ta prisja unë, më priste ai! Nuk e prisja.’’

E ndërsa pyesim se si ishte Bujar Lako gjatë procesit të punës, ai vijon:

‘’ Kur ti kishe nevojë për mbështetje, do të mjaftonte vetëm ta shikoje në sy. Syri i tij ishte kudo! Apo nëse do e pyesje: – Bujo, ç’mendim ke për këtë? Atij dhe sikur të mos i pëlqente, gjente mënyrën e duhur për të thënë po ose jo, duke mos fyer dhe përçmuar. Bujari ruante një virgjëri emocionale saqë shpeshherë në skenat e tij ti mund të rrugëtoje çdo herë ndryshe. Marrëdhënia skenike me të ishte çdo natë një udhëtim i ri. Aftësia e Bujos për të dalluar të bukurën, talentin, ishte përtej kufijve njerëzorë. Përtej imagjinatës’’.

Bujar Lako lindi më Tiranë. Ishte viti 1948.

Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë per ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçojmë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët”.

Në vitin 1975 nderohet me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë per filmin “Ballë per ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë per ballë”.

Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur”. Në vitin 1985 fiton titullin “Artist i Merituar” Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku…ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A.

Kush nuk e mban mend Halit Beratin? Kush është ai që nuk rrëqethet? Emocionohet? Apo qan nën atë intërpretim magjik të këtij kolosi? Çfarë ishte ky gjeni? Ky talent? Ky epikurian i gëzimeve dhe këndelljes? Ky kryengritës i dogmave shterpe? Bujar Lako, rasti më i veçuar dhe i pavdekshëm i shëmbëllimit të artit tonë.

Ky burrë simpatik, me hijeshinë që Zoti i kish falur, kalonte vërtet çdo cak përtej ekranik apo skenës. Ajo timbrikë zëri e veçantë ishte perfekte në çdo rol. Sikundër dhe në çdo tavolinë të jetës prej një bohemi tipik. Ai nuk harroi kurrë të shikonte ndryshe kohezionin emocional të një figure letrare, një njeriu në skenë dhe një njeriu real. E çuditshme! Si ia dilte Bujo t’i përfshinte të gjitha bashkë, duke na sjellë pranë metodologjinë e tij krijuese?

E shihje shpesh tek ecte në rrugën Myslym Shyri, aty ku dhe jetoi. Binte në sy menjëherë dhe përveç famës, rrugëve bërtiste stili i tij i të veshurit. Për estetikën e tij regjisori Vasili citon: ‘’ Nuk e vishte ai kostumin, por kostumi atë. Mënyra si e vishte Bujo gjënë ishte e një tjetër lloji.’’

Sepse ky ishte Bujo! Dallonte edhe nga kolegët e tij.

Një njeri që nuk e humbi kurrë besimin tek njerëzit, duke të dhënë gjithmonë dhe një tjetër shans. Një njeri aq dashamirës me të gjithë, sikundër dhe quheshe. Me një forcë dhe energji me aq pathos, të cilën në fakt e transmetoi edhe në çdo karakter që luajti.

Duke qenë një aktor i preferuar për kohën, brezi e donte. Imitonte! Dhe këtu jo vetëm njeriun artist. Njeriun energjik. Por dhe atë pasional dhe aventurier, duke u bërë pjesë e natyrshme e guximit dhe kokëshkrepjes së shumë shqiptarëve.

Në vitin 2013 iu akordua titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Ai u nda nga jeta më 2016, si pasojë e një ataku kardiak. Ishte vetëm 69 vjeç. Duke lënë pas një një mori rolesh në arsenalin e Kinematografisë dhe Teatrit Shqiptar.

Enigmë mbetet, ndoshta kur ishte mirë, amaneti tij thënë famijes: “Jo homazhe përtej shtëpisë time!”

Pse, lind pyetja. Përgjigja mbetet e hapur për këdo nga ju.

Sepse ai dha shumë. Por çfarë mori në këmbim?