Nusja e djalit të ish-bosit të VEFA-s: Vjehrri na ka ngritur kurth

Nusja e djalit të ish-bosit të VEFA-s, ka hedhur hije dyshimi se vjehrri i saj i ka ngritur kurth. Bashkëshortja e Artan Alimuçajt, djalit të ish-bosit të “VEFA”-s, që u arrestua disa ditë më parë për “pastrim parash”, ka denoncuar në rajonin e policisë se i shoqi është kërcënuar në burgun e Fierit nga persona civilë, që edhe e kanë dhunuar. Juristja 37-vjeçare, S. Alimuçaj, është rrëfyer se kjo histori ka ndodhur kur bashkëshorti i saj është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë, e t’i kthejë shtetit shumën prej 647 mijë dollarësh qe janë depozituar nga i ati në një bankë në Hungari. Sipas saj, pas gjithë këtij skenari fshihet vjehrri i saj, Vebi Alimuçaj, i cili gjithmonë ka qenë kundra vendimit të të birit për të kthyer paratë.

Sot ju ndodheshit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për një seancë gjyqësore që u shty. Çfarë ndodhi aty?
Ndodhi që burri im, sigurisht pa dijeni dhe pa dëshirën e tij, nuk mundi të ishte i pranishëm në seancë dhe gjyqi u shty për në datë 21 korrik. Në një seancë që ishte vendimtare për lirimin e tij nga burgu, ai nuk u lejua të merrte pjesë.

Nga kush nuk u lejua?
Nuk e dimë se kush nuk e lejoi. Por ai apo ata që nuk e lejuan, normalisht nuk kanë interes që Artani të lirohet nga burgu, por duan ta çmendin aty brenda, edhe pse është i pafajshëm. Përdorin falsifikime që t’i mohojnë atij të drejtën për t’u paraqitur në gjyq.

Për çfarë falsifikimesh bëhet fjalë?
Sot në Gjykatë erdhi një deklaratë e Artanit, por që në fakt nuk kishte si të ishte e Artanit, pasi edhe djali im 11 vjeç e kuptoi që ajo nuk ishte firma e tij, ku thuhej se nuk donte që të merrte pjesë në gjyq. E kush e beson këtë? Sigurisht që nuk ishte dëshira e Artanit kjo. Për këtë arsye, por edhe për shumë e shumë të tjera, menjëherë pas dështimit të gjyqit sot jam nisur drejt burgut të Fierit, për ta parë vetë me sytë e mi Artanin dhe ta pyesja se çfarë kishte ndodhur.

E takuat në burg?
Po, e takova dhe ai sapo më pa, u shtang. Atij i kishin thënë që nuk isha më as unë, as djali. E kishin rrahur, e kishin kërcënuar. Nuk kam asnjë siguri për jetën e tij aty brenda. Në fakt as për vete e për djalin, por ai është aty i izoluar, nuk kupton dhe nuk mëson asgjë se çfarë po ndodh jashtë. Sapo pa dokumentin që i tregova, u bë edhe më keq. Jo vetëm që s’e kishte bërë kurrë atë deklaratë, por besoi edhe më shumë se ato kërcënime nuk janë për t’u neglizhuar.

Pra, ju thoni se bashkëshorti juaj është kërcënuar?
Po, është kërcënuar dhe dhunuar. I janë shkelur të gjitha të drejtat, duke filluar që në Tiranë, ku është mbajtur jashtë çdo rregulli në Drejtorinë e Policisë për 7 ditë e më pas edhe në burgun e Fierit. Para dy ditësh kam folur në telefon me të, pasi nuk komunikoja që pas arrestimit kur e takova në Policinë e Tiranës. Më tha që të largohesha nga Shqipëria, pasi jeta ime dhe e djalit ishte në rrezik. Kam bërë denoncim në Komisariatin nr.4 për kanosje, madje edhe në Policinë e Fierit. Takova edhe drejtorin e burgut atje dhe më tha që t’i drejtohesha SHKB-së së Burgjeve, pasi edhe ai nuk ishte në dijeni të asaj shkrese.

Pse po ndodhin këto kërcënime?
Nuk mund ta them me siguri, pasi nuk kam prova, por kam dyshime se pas të gjitha këtyre fshihet vjehrri im. Ne kemi vendosur të bashkëpunojmë me shtetin, që Artani të kthejë shumën prej 647 mijë dollarësh që janë depozituar nga i ati në një bankë në Hungari. Por Vebiu ka qenë gjithmonë kundër këtij vendimi që ne kemi marrë. Ai nuk do që t’i humbë këto para. Unë ia kam thënë në sy edhe para se të arrestohej Artani, por ai më thoshte që ne nuk mund ta bënim këtë. /Panorama

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj