Pikëpyetjet e betimit të Metës. Dashuria përfundon me një valle…

24 korriku do të jetë një tjetër datë e shënuar në kalendarin e Metës, pasi ai do të betohet për të marrë zyrtarisht detyrën si President i Republikës. Në seancën solemne që do të bëhet, Meta nuk do të jetë më në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, ku me shumë gjasa do të jetë Shpëtim Idrizi. Siç rrodhën gjërat, ky i fundit do të ketë mbyllje të karrierës së tij në Parlament, pasi nuk mori mandatin e deputetit, por në këtë ditë ai do të udhëheqë Kuvendin, duke marrë një shije të mirë nga ky largim.

Ndonëse kryefjala e dy muajve të fundit ka qënë tensionimi dhe gjetja e një gjuhe të përbashkët mes palëve, për tu dakordësuar dhe për rrjedhojë, vijimin e reformave për integrimin, tashmë ne ngremë disa pikëpyetje të tjera, të cilat me shumë gjasë ende do të mbeten mister edhe për shumë orë.

Pyetja e cila na lind krejt natyrshëm dhe kërkojmë të marrin një përgjigje të drejtëpërdrejtë është nëse në këtë seancë do të ketë vetëm betimin e presidentit Meta, apo dhe shkarkimin e ministrave teknikë.

Kjo e fundit le shteg për shumë hamendësime, sikundër është trumbetuar për largimin nga vetë ministrat teknikë. Vetëm dy ditë më parë, Rama konfirmoi se nuk ka ndërmend që ti shkarkojë ministrat teknikë, ndërsa pret që ata të largohen vetë.

“Unë nuk kam thënë asnjëherë që do ti shkarkoj, kam thënë që ata do të ikin. Misioni i tyre tani ka mbaruar dhe mbaroi me sukses dhe unë pres që ata të largohen vetë”, tha Rama, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, për ministrat e PD-së që janë në Qeveri.

Duke i paraprirë edhe qëndrimit të prerë të Ramës, ne me shumë të drejtë mund të hedhim hipoteza të ndryshme, për të parë sa ato gjejnë zbatim. Por me një llogaritje të thjeshtë, me laps e me letër, me shumë mundësi kjo nuk do të ndodhë, pasi duhet të bëheshin publike emrat e zëvendësuesve, për ti zënë postin. Nëse do të shkarkonte ministrat teknikë ekzistentë, ai duhet të kishte emrat mbi tavolinë. Si një njeri mendjemprehtë, ku pas ka edhe një staf të kualifikuar, ai nuk do të dëshironte aspak që të humbiste efektin surprizë tek qytetarët. Ndaj, duke e parë në një këndvështrim tjetër, ai nuk do të lëvizte aspak dorën për ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike pas marrëveshjes Rama-Basha.

Nëse nuk do të ndodhte kjo, atëherë vëmendja do të jetë totalisht tek Meta. Dhe nga lëvizjet që ka bërë para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, e ndërsa tashmë është në një gjum të plotë, të jep ndjesinë se ai ka filluar të ndjehet si president që kur u certifikua rezultati, pasi ai nuk ka folur si kreu i LSI-së. Nëse kthehemi pas në kujtesë, edhe në fjalimin e fundit që ka mbajtur në kampingun e Jalës, ai ka folur si president që përshëndeste forumin rinor.

Meta tashmë po shijon anën tjetër të medaljes. Ndërsa para zgjedhjeve të 25 qershorit ulëriste për marrjen e timonit, ai tashmë ka gjetur paqen brenda vetes, duke lënë pas “armiqësitë”, e pritjen për festimin e një tjetër statusi, që për hir të së vërtetës, është një tjetër betejë për të. Ilir Meta, me qetësi, dashuri dhe … valle, ka qënë vendimmarrës në politikë. Ai është një politikan i cili nuhat mjaft mirë dhe në të shumtën e rasteve ka rezultuar se ai nuk para gabon. Meta është një shahist mjaft i mirë, duke ditur mjaft mirë ku e hedh hapin.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj