Plasin ujërat e zeza në Ksamil, këmbanë alarmi nga deputeti socialist

Deputeti socialist për Sarandën, Alket Hyseni, ka shprehur indinjatën për ndotjen e plazhit të Ksamilit, ku ujërat e zeza janë hedhur në bregdet. Si një shenjë këmbane, ai i drejtohet Bashkisë Sarandë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, që të stabilizojnë menjëherë situatën alarmante. Po kështu apelon ndaj organeve ligjzbatuese, që të fillojnë menjëherë procedimin penal, gjetjen e autorëve përgjegjës dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore.

“Jam shumë i shqetësuar dhe i indinjuar nga situata skandaloze në Ksamil, si rezultat i shpërthimit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Duke i bërë thirrje urgjente Bashkisë Sarandë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve që të stabilizojnë menjëherë situatën alarmante, kërkoj me forcë nga organet ligjzbatuese, që të fillojnë menjëherë procedimin penal, gjetjen e autorëve përgjegjës dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore, penale dhe civile, të shkaktarëve të kësaj gjendjeje, të cilët me cilësinë e dobët të punimeve, projektin e devijuar apo keqpërdorimin e fondeve, rezultojnë të përfshirë në këtë aferë ulëritëse, me pasoja të rënda për shumë biznese të zonës, për qytetarët, si dhe për dëmtimin e imazhit turistik të Ksamilit dhe gjithë Shqipërisë.

Nga ana tjetër, siguroj çdo të dëmtuar nga kjo situatë, që do të jem në ballë të përpjekjeve për rikuperimin e pasojave dhe dëmshpërblimin e tyre. Keqardhje dhe ndjesë për çdo pushues që përjeton këtë situatë në kulmin e sezonit turistik, në plazhet më të bukura të rivierës sonë”, përfundon ai.