Priftërinjtë ‘bëjnë kërdinë’/ 547 fëmijë të abuzuar seksualisht

Gjatë një periudhe prej 60 vitesh, të paktën 547 djem të korit Regensburger Domspatzen në Gjermani u abuzuan fizikisht ose seksualisht.

Nga viti 1945 deri më 2015, mësuesit e shkollës së famshme të kishës katolike nuk kursenin dhunën në të gjitha format për të disiplinuar nxënësit, sipas një raporti të pavarur.

Në raportin e hartuar nga avokati Ulrich Weber akuzohen 49 anëtarë të kishës katolike. Por duke qenë se ka kaluar shumë kohë, ekspertët thonë se ata zor se do të përballen me padi. Weber tha se shumica e viktimave kishin pësuar dhunë fizike të përsëritur, diçka që kryhej para gjithë shkollës, ndërsa 67 prej tyre ishin abuzuar seksualisht.

“Viktimat e shkollës ‘Harabelat e katedrales së Regensburgut’, në qytetet Etterzhausen dhe Pielenhofen, e përshkruajnë këtë institucion si një ferr, burg dhe kamp përqendrimi. Jo të gjithë mësuesit ishin përfshirë në dhunimin e tyre, po nuk ka dyshim se çdo anëtar i kolektivit e dinte se çfarë ndodhte”, tha Ulrich Weber, avokat.

Weber tha se si drejtor i korit nga viti 1964 deri në 1994, Georg Ratzinger, vëllai i ish-Papës Benedikt, është fajtor që mbylli sytë dhe nuk ndërhyri ndaj dhunës. 93-vjeçari Ratzinger ka mohuar çdo dijeni për dhunën dhe thonë se nuk pati asnjë diskutim të tillë kur ai drejtonte korin.