Pse PD duhet t’i qëndrojë larg qerres së pushtetit të vjetër

Nga Fatmir Ali Guda

LSI, ose ish-partia e Ilir Metës, fill dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve, pasi “sistemoi” tëk e tëk edhe hallin e udhëheqësisë të vet, po ngutet që me deklaratat politike të njëpasnjëshme të deklarojë pozicionimin opozitar për 4 vitet e ardhshme.

A thua se po i lutet kush për të ndenjur në qeveri!

A thua se shqiptarët nuk e morën vesh se “surpriza” e bashkshortit të Monika Kryemadhit rezultoi gjithë-gjithë 19 mandate. Dhe ato të përfituara në mënyrë të dyshimtë me anë të krimit elektoral të shitblerjes së votës!

Komiciteti i figurës së kryetares së trashëguar të LSI-së arrin kulmin me deklaratat, ku si “shpëtimtarja” e kombit kërkon krijimin e një fronti të përbashkët për të shpëtuar Shqipërinë, sipas saj nga qeveria e votës së blerë nga paratë e drogës dhe krimit. Kësaj or tungjatjeta i thonë: “Bërtet hajduti, kapeni hajdutin”! Dhe normal që kjo është mënyra më e mirë që LSI duhej të përdorte për t’iu vjedhur të vërtetës në dritën e diellit, asaj të vërtete që më shumë sesa sytë e shqiptarëve nuk mund ta fshehin xhepat e tyre në trajtë lekësh ose eurosh të servirura prej sekserëve socialistë për integrim.

Në fakt, deklaratat e bashkshortes së Ilir Metës, përveçse thirrje për mobilizim, mbruhen jo pak nga paniku, që natyrshëm vjen prej të mos qenët më në pozicionin e karakëzit pushtetonjës dhe si e tillë bëhet prezente frika e rrjedhjes së elektoratit nga kjo parti. Madje në kushtet kur LSI, s’ka çfarë të humbasë, duke shpresuar tek një dobësim i PD-së prej debatit të ashpër dhe sherrnajës që ka shpërthyer brenda partisë e demokratëve, nuk do të gjente rast më të përshtatshëm që të mundte t’i gërryente edhe një dorë tjetër të elektoratit të saj.
Kjo situatë, pavarësisht realitetit kokëfortë numerik të opozitë-bërjes parlamentare, e vendos PD-në në një pozicion ku i duhet të zgjedhë në raport me LSI-në, nëse me të do bëjë bashkëpunim të koordinuar apo thjesht bashkëpunim spontan për çështje të veçanta të agjendës së ditës.

Megjithatë, PD e LSI, me përjashtim të interesit të përbashkët për t’u bërë faktor politik duke goditur qeverinë Edi Ramës, nuk duket të ketë asnjë gjasë t’i bashkojë ato ndonjë aksion i njehsuar politik. Përkundrazi, ato do e shohin njëra-tjetrën si objekt për rrëmbim elektorati. Ndërkohë që edhe të dyja bashkë do të kenë në qendër të objektivit të tyre, jo vetëm elektoratin që do pakënaqësohet prej mungesës së pritshmërive të qeverisë, por edhe atë trupë elektorale e cila bojkotoi zgjedhjet e fundit parlamentare. Pa dyshim që PD sheh gjithashtu tek partia e Monika Kryemadhit njërën pjesë të problemit, pikërish atë hallkë të kalbur të sistemit të korrupsionit elektoral që kjo forcë politike e zotëron me anë të mekanizmit të blerjes së votës, pavarësisht se pas kalimit të saj në opozitë ka humbur armën kryesore të saj, atë të përdorimit të pushtetit. Pra shprehja “LSI të zgjidh punë” në mos ka filluar, do të harrohet si vapa me gushtin dhe si e tillë nuk do të mund të joshë më elektorat në këmbim të “punësimit” në administratë.

PD, nga ana e vet, sfidë të ditës, pas caktimit të lideshipit të ri, ka përfshirjen në agjendën urgjente politike për reformimin e sistemit zgjedhor që me anë të votimit dhe numërimit elektronik të shtojë elementet e garancisë së votës, reformimin administrativ territorial, ku vëmendje merr rikonfigurimi i hartës së bashkive, si dhe reformimi tërësor kushtetues. E gjitha kjo, jo domosdoshmërisht në zbatim të marrëveshjes PD-PS të 18 Majit, të shkelur që në fillim nga kyetari socialist me mosmbajtjen e zgjedhjeve larg procesit korruptiv të blerjes së votës, më shumë sesa një nevojë demokratike në detyrim ndaj atij vullneti elektoral edhe pse të deformuar, dalë prej zgjedhjeve të 25 qershorit.

Sigurisht që ky bashkërendim reformash ka gjasa të kryhet vetëm në vigjilje të legjislaturës kuvendare dhe vetëm në sajë të një sjelljeje të përgjegjshme serioze të Partisë Socialiste, e cila dhe në referim të marrëveshjes në termat kombëtarë, nënshkruar midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës duhet të japë dakordësinë për bashkëpunim vetëm në nivel parlamentar. Serioziteti dhe realizimi i këtyre reformave brenda sesionit legjislativ të vjeshtës, në rastin më mirë do të ishin dhe vija e kuqe që do përcaktonte detyrimisht sjelljen e demokratëve në opozitë. Pasi cedimi i kësaj marrëveshje do ia devijonte apriori agjendën e PD, duke i legjitimuar qëndrimin e mëtejshëm drejt një përplasje shumë herë më të fortë me pushtetin e Edi Ramës, mbase dhe me pasoja fatale për këtë të fundit. Sepse qeveria e “Rilindjes”, vërtet ka një siguri të shtuar prej të ashtuquajturit “timon”, që i dha ajo shumicë e pakicës së shqiptarëve pjesëmarrëse në zgjedhjet më të fundit, por s’duhet harruar se pas 25 qershorit 2017, ajo ka një pushtet shumë herë më dobët dhe të rrudhur numerikisht, gjë që ia pamundëson shfaqjen e të njëjtës arrogancë të 4 viteve më parë. Ndaj dhe tashmë në rastin më të parë, çdo vendimmarrje e paqëlluar dhe jo në interes të publikut, do ta përballte Edi Ramën përkundrejt gjithë faktorit politik dhe shumicës së “heshtur” dhe bojkotuese elektorale të shqiptarëve.

Në mes gjithë kësaj fushe veprimi, ajo që për momentin shfaqet si ironi therëse në vëmendjen e opinionit publik dhe shumë larg të qenët serioze për t’u marrë në konsideratë është sjellja e LSI. Me “alarmin”, që ka vënë pasardhësja bashkshorte e Ilir Metës, reket të shfaqet në rolin e protagonistit duke marrë iniciativën e faktorit politik opozitar për bashkim kombetar, sipas saj kundër pushtetit të blerë me paratë e drogës dhe krimit. Pra trupa politike e LSI aq e përfolur, e kompromentuar saç dhe e kriminalizuar elektoralisht është, duhet ta ftillojë PD për mosbërjen palë me të, nëse do të duhej të vazhdonte të mbante gjallë një nga kartat më të rralla që ajo ka sot për sot, atë morale. Rrjedhimisht vetëm për çështje të veçanta të politikës së ditës, PD dhe LSI mund t’i qëllonte të kishin bashkim agjende antiqeveri, sepse përndryshe çdo hap për institucionalizim të bashkpunimit mes tyre, sigurisht që do i njehsonte që të dyja moralisht përballë vëmendjes së elektoratit dhe do u jepte demokratëve të njëjtën kosto, mbase me pasoja akoma më katastrofale se dy palë zgjedhjet e fundit.

Pra, PD, nisur dhe prej konstatimit të defekteve të opozitës së bërë gjatë 4-vjeçarit të mëparshëm, i lind nevoja për aktivizimin dhe motivimin e të gjitha strukturat e veta, me qëllim që çdo ditë, t’i jetë pranë çdo qytetari në nevojë e të nëpërkëmbur. Dhe s’duhet ta ketë fare zili qerren e pushtetit të vjetër apo aq më tepër të ushqejë simpati për secilin prej dy qeve (kryeministër a president qoftë), të cilët janë zhvendosur tashmë në dy kahe të kundërta të qerres dhe që do e tërheqin pashmangshmërisht atë drejt shyerjes me gjithë ngarkesë.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj