Rikthehen arkeologët në Adrianopolin antik

Për të 13 vit rradhazi arkeologët shqiptarë dhe italianë janë rrikthyer në rrënojat e qytetit antik të Adrianopolit, pranë fshatit Sofratikë, në rrethin e Gjirokastrës, Prej disa ditësh në këtë sit arkeologjik misioni kërkimor shqiptaro-italian po punon intesivisht për zbulimin dhe studimin e gjetjeve të ndryshme arkeologjike. Kjo ekspeditë është një bashkëpunim i Institutit të Arkelogjisë me universitëtin e Maceratës ( Itali). Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik, Antigone-Adrianopol, Shkëlqim Guçe, puna kërkimore do të përqëndrohet në të gjithë zonën arkeologjike me qëllim evidentimin e gjetjeve të ndryshme.

“Gjithashtu pjesë e punës së arkeologëve do të jenë edhe elementët e ndryshëm studimorë në lidhje me këtë qytetërim të lashtë”, shprehet drejtori Guçe.. Ndërkohë për profesorin italian Roberto Perna, një rëndësi të veçantë në këtë mision arkeologjik po i kushtohet edhe restaurimit të objekteve të ndryshme që do të zbulohen në rrënojat e qytetit antik. “Krahas elementëve kërkimorë dhe studimorë kjo ekspeditë synon edhe rijetëzimin e qyteti antik të Adrianopolit në shërbim të zhvillimit të turizmit”, thotë profesor Perna.

Krahas kërkimeve në qytetin antik të Adrianopolit arkeologët shqiptarë dhe italianë do të punojnw edhe në sitin arkeologjik të Antigonesë si edhe në disa monumente të tjera të trashëgimisë kulturore në luginën e Drinos. “ Në këtë mënyrë ne mundësojmë jo vetëm pasurimin e hartës arkeologjikë të luginës së Drinos por edhe zgjerimin e guidave turistike në këtë zonë”, shprehen arkeologët.

Pak histori ….

Qyteti antik i Adrianopolit ndodhet në fushë të hapur 14 km në jug të Gjirokastrës, rreth 300 m larg rrugës automobilistike Gjirokastër- Sarandë. Megjithëse gërmimet arkeologjike të kryera në të kanë xjerrë në dritë vlera të reja sërish ky sit simbolizohet me teatrin e gurtë. Teatri antik i Adrianopolit datohet rreth dhjetvjeçarëve të mesit të shek. II p.e.s. Ai ka një kapacitet prej 4000 spektatorësh dhe është i pajisur me 27 shkallë, 4 hyrje dhe një skenë me dy kate.

Teatri për nga mënyrë e punimit të mureve ofron më tepër me teatrin e Butrintit. Gjatë gërmimeve arkeologjike në vite në zonën e teatrit janë zbuluan dhe disa objekte metalike të shek II dhe IV e.s dhe qeramika të shek. IV-VI të e.s. Qeramikat e përdorimit të përditshëm dhe plotësimi i kthinave me mure të dobta gjatë shek IV-VI të e.s dëshmojnë se në këtë periudhë teatri pushoi së funksionuari dhe u përdor për vendosje banesash.Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar në zonën pranë teatrit edhe një nekropol rreth 1.5 ha i shekullit II-III e.s me inventar të pasur si dhe gjurmë muresh nën shtresën e madhe tremetërshe të aluvioneve të lumit Drino.

Kohët e fundit pranë teatrit janë zbuluar edhe fragmentet e një muri rrethues çka i ka nxitur arkeologët të mendojnë se kemi të bëjme me dëshmi historike të egzistencës së një qytetit antik të Adrianopolit. Ky teatër është evidentuar për herë të parë gjatë Luftës së Parë Botërore prej arkeologut austriak Prashniker. Por për këtë qendër romake në luginë e Drinos ka folur në shkrimet e veta edhe studiuesi anglez Hammond.

Gërmiket e para në teatrin e gurtë janë bërë prej Insitutit të Arkeologjisë dhe ka qenë arkeologu Apollon Baçe që në vitet ‘80-të ka drejtuar disa ekspedita arkeologjike të cilat zbuluan pamjen e teatrit që kemi sot.Një kanal drenazhimi i realizuar vitet e fundit për largimin e ujrave nga skena e teatrit ka bërë të mundur verifikimin në një distancë prej 360 m larg teatrit të disa strukturave murresh dhe veglash pune që i referohen këtij qyteti antik. Arkeologët këto gjetje i lidhën me qytetin e lashtë të Hadrianopolit.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj