Urtësohet Berisha…Çfarë plani fsheh Basha pas shpërthimit të kritikëve?

Ditë më parë, Basha “masakroi” Selamin, duke u rizgjedhur në krye të PD-së. Kreu demokrat u mbështet nga mbi 91.3 % e votuesve, ndërsa rivali i tij, Eduart Selami, mori 8.7%. Për kryetarin e ri-konfirmuar, pjesëmarrja në zgjedhje të cilën ai e quajti rekord,  dëshmon se demokratët nuk e kanë humbur besimin tek partia e tyre. Por ndryshe nga ai, një qasje tjetër është evidentuar nga kritikët, të cilët nuk ndalen në prioritetet e tyre.

Duke vënë me shpatulla pas murit Bashën, ata i kanë treguar dhëmbët dhe se nuk kanë aspak ndërmend që të ndalen. Duket se misioni i tyre ende nuk ka një kulm, por edhe sot ata kanë kërkuar kthimin e vlerave brenda kësaj force.

Kritikët e Lulzim Bashës, me në krye Astrit Patozin, përmes një deklarate për mediat kërkuan demokratizimin e PD-së dhe kthimin e vlerave demokratike në parti. Ata i mëshojnë faktit se Basha është një kryetar jolegjitim dhe kanë lajmëruar se duhet të mblidhet Kongresi i jashtëzakonshëm i PD-së.

Teksa e kanë cilësuar humbjen në zgjedhjet e 25 qershorit si më të rëndën në historinë 27 vjeçare të PD-së, ata i mëshojnë faktit se kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së reflektimit nga ana e Bashës, mungesa e mbledhjes dhe e vendimarrjes në forumet e partisë, përgatitja e listave zgjedhore duke anashkaluar statutin e partisë, dhe përçarja brenda strukturave të partisë.

Nisja e analizës për humbjen dhe 11 pikat për ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike janë hapa që Lëvizja për ringritjen e Partisë Demokratike i vlerësoi si “jetike për të mbajtur partinë të bashkuar dhe për ta bërë atë konkurruese”. 11 pikat e paraqitura kërkojnë ndryshime në rregullat sesi zgjidhet kryetari i partisë, kur ai jep dorëheqjen dhe dorëheqje të parevokueshme.

Kreu demokrat nuk do qëndrojë në hije, duke mos lëvizuar asnjë gisht. Ka gjasë që edhe kritikët e Bashës të përjashtohen nga forumet drejtuese të Partisë Demokratike, duke i mbyllur gojën përfundimisht.

Këto mbeten në kuadrin e hamendësimeve, ama nga ana tjetër, në një formë apo tjetër Berisha e ka dëshmuar se ka qënë në krah të Bashës.

Lideri historik i së djathtës, gjatë kësaj periudhe zhurme ka qetësuar gjakrat brenda kësaj force, duke i frenuar ata. Nga ana tjetër e medaljes të jep ndjesinë e një kompromisi të pashkruar. Që në krye të herës, Berisha zgjodhi që të ishte në krah të Bashës, duke injoruar kritikët dhe paralajmërimet e tyre. Një largpamës mund të shohë qartë sesi ai bëri avokatin e Bashës. Afërmendësh mund të sjellim edhe tezën e përjashtimit të kritikëve të Bashës, ku me shumë shanse të ngelen jashtë vendimmarrjes, por paçkas kësaj, Berisha nuk ndalet, duke mbështetur besnikun e tij.

Berisha i ka dhënë provat se nuk do të bashkohet me pakicën dhe në të vërtetë nuk është i gatshëm të braktisë linjën e pushtetit të PD-së. Ndonëse Basha zhduku me një të rënë të lapsit gjithë ish-bashkëpunëtorët e Berishës në vite, lideri demokrat nuk goxoi ta kritikonte, por vetëm heshti, duke miratuar kësisoj lëvizjen e Bashës. Nëse Berisha po mbron historinë, çfarë do ndodh me “ujqërit” e tjerë të PD-së, të cilët nuk ndalen? Edhe për këtë ka një përgjigje. Një shprehje e urtë thotë se “Koha i shëron plagët”. Po sikur të kemi një tjetër rebelim? Kjo mbetet për tu parë….