Veshja ‘flakëruese’ e Ramës dhe stili i ri i politikanëve shqiptarë

Veshja e politikanëve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri po fiton një vëmendje të veçantë.

Nëse mënyra e veshjes tejçon edhe mesazhe subliminale tek publiku, atëherë në politikën shqiptare po etablohet një imazh i ri duke i dhënë fund kostumit të njëtrajtshëm të politikanit, shkruan Konica.al.

Veshja eklektike e kryeministrit Edi Rama, prej kostumit me kollare deri te atletet e bardha, është komentuar gjër e gjatë në mediat fqinje, dhe jo vetëm.

Moda e kryeministrit shqiptar është interpretuar nga disa si një shije e çuditshme e një ekscentriku, nga të tjerë si përpjekje për të rënë në sy e nga të tjerë si një formë origjinale, aspak e tendosur, e paraqitjes në takime zyrtare.

Stili alla-Trudeau, që është ikonizuar nga kryeministri kanadez, ka krijuar sakaq edhe ndjekësit e tij në Shqipëri.

Fjala bie, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në të shumtën e herëve shihet me këmisha të përvjelura deri në bërryla, rëndom me ngjyra të lehta.

Një version disi më i trashë i Trudeau-izmit u përshtat edhe nga Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Por me gjithë sforcon për të krijuar imazhin e një politikani popullor, paraqitjet e tyre në publik mbetën larg asaj që synohej në krye të herës.

Një përshtypje të veçantë bëri edhe paraqitja e kandidatit për kryeministër të Vetëvendosjes, Albin Kurti, me kollare.

Imazhi i tiposur i një rebeli urban u zëvendësua me një veshje të re, mesazhi subliminal i së cilës rrihte të krijonte përshtypjen e maturimit dhe seriozitetit duke lënë pas krahëve të kaluarën.

Zyrtarët e Vetëvendosjes, madje edhe ata në komunën e Prishtinës, përpiqen të ndjekin një stil të përkorë të kombinimit të veshjes zyrtare, por pa kollare, diçka që gjen shprehje të kryeministri grek Aleksis Cipras.

Ekspertët e komunikimit me publikun i japin rëndësi veshjes, si një kod i caktuar i shpërhapjes së mesazheve.

Në rrafsh global, liderë të ndryshëm kanë stile të veçanta të veshjes, pa kokëçarje nëse kjo thyen rregullat e pashkruara protokollare.

I tillë ishte ish-diktatori libian, Muamar Gadaf, me veshjen e tij alla-libiane; ish-presidenti afgan, Hamid Karzai, me kaftanin tradicional të vendit të tij, apo ish-presidenti iranian, Mahmud Ahmedinnexhat, me veshjen e tij të thjeshtë. Te ky i fundit, më shumë sesa zgjedhje vetjake, ishte një mendësi e veçantë pasi në Iran bartja e kravatës konsiderohet si stil perëndimor, rrjedhimisht është e ndaluar.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj