78-vjeçari Stefan Miha, ciceroni vullnetar i kishës së Labovës së Kryqit

Megjithëse në moshë disi të thyer, 78-vjeçari Stefan Miha vazhdon t’iu shpjegojë grupeve turistike vendase dhe të huaja që mbërrijnë në fshatin Labovë të Gjirokastrës, historinë e kësaj zone dhe veçanërisht të kishës së famshme 1500-vjeçare të Labovës së Kryqit. Si një ciceron i vërtetë, mësuesi i pensionit i informon të huajt për vlerat historike dhe të trashëgimisë kulturore që mbart kjo kishë.

E veçanta është se ai nuk kërkon pagesë apo shpërblim monetar nga turistët, por shërbimin e tij si ciceron e ofron falas. Ndërsa së bashku me Stefanin përshkojmë oborrin e shtruar me pllaka guri të kishës ai na thotë se një jetë të tërë ka punuar si mësues në zonën e Labovës dhe prej rreth 30 vjetësh është në pension. “Duke qenë se shtëpia ime ndodhet fare pranë kësaj kishe mjaft të njohur edhe jashtë Shqipërisë, mendova që ditët e pensionit t’i kaloj në mënyrë aktive. Duke parë që grupet turistike, kryesisht të huajt që vizitonin kishën, kishin nevojë për më shumë informacion vendosa t’iu vij në ndihmë atyre për t’iu mësuar diçka më shumë jo vetëm për kishën, por edhe për vlerat e zonës së Labovës”, thotë ish-mësuesi i njohur. E veçanta është se punën e ciceronit të kishës ai për vizitorët e kryen falas dhe pa asnjë shpërblim monetar”.

Qysh ditën e parë që nisa të punoja si ciceron i Kishës së Labovës së Kryqit, vazhdon bashkëbisedimin Stefani, unë nuk u nisa nga lekët apo nga shpërblimi material. Mbi të gjitha dëshiroja që ata turistë që vinin në fshatin tonë dhe dëshironin të vizitonin këtë kishë, të mernin informacionin e duhur. Në këtë mënyrë unë jo vetëm kaloja ditët e pensionit në mënyrë aktive, por ndihmoja edhe për promovimin e vlerave turistike të zonës së Labovës, për të cilat, po të gjenden mënyrat e duhura, mund të ndihmojnë shumë në zhvillimin ekonomik të saj”.  Prej fillimit të viteve 1990 ai ka shoqëruar mjaft turistë, kryesisht të huaj, duke i njohur me vlerat e kishës 1500 vjeçare.

Ndërsa flet me emocion për këtë kontribut të vlefshën që jep për promovimin e vlerave të rralla të këtij monumenti, ish-mësuesi labovit shprehet se vizitorët kanë ngelur të mrekulluar nga vlerat arkitektonike dhe ikonat e kishës së Labovës së Kryqit. Madje ka nga ata që pasi e kanë vizituar një herë kishën janë kthyer sërish pas disa muajsh me një grup më të gjerë turistësh.

“ Së fundi unë kam marrë një letër nga disa turistë holandezë, të cilët kanë vizituar këtë kishë përpara disa javësh. Pasi shprehen të mrekulluar nga vlerat e saj, mes të tjerash, më premtojnë se vitin e ardhshëm do të kthehen sërish në Labovë me miq të tjerë”, na thotë Stefani, ndërsa na tregon letrën e dërguar nga vizitorët holandezë të kishës së Labovës së Kryqit. Me gjithë vitet e moshës që mban mbi supe, Stefan Miha shprehet se asnjëherë nuk do të heqë dorë nga kontributi si ciceron i kishës së Labovës së Kryqit. “Tashmë kushdo që dëshiron të vizitojë Kishën e Labovës së Kryqit apo këtë zonë e di që mund të trokasë në derën e shtëpisë sime dhe nuk ka për ta gjetur asnjëherë mbyllur. Unë do të vazhdoj të jem i gatshëm të ndihmoj falas grupet turistike derisa të më mbajnë këmbët. Dëshiroj që vlerat e kësaj kishe dhe zonës së Labovës të mos t’i mbulojë asnjëherë heshtja dhe harresa”, thotë ai.

Së fundi, Stefan Miha është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Libohovës” për kontributin e dhënë për promovimin e vlerave të kësaj zone.

 

 

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj