Abuzimet me pronat, KLSH zbardh mbivendosjet

Abuzimet me pronat në zyrat e Hipotekës dhe ALUIZNI-t kanë çuar në prokurori 196 punonjës dhe drejtues nga të dyja institucionet, janë larguar nga puna 137 persona dhe kanë marrë vërejtje 134 të tjerë. Të dhënat janë bërë të ditura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport për periudhën 2013 – 2017.  KLSH ka realizuar në këto institucione 40 auditime nga të cilat 22 në ZVRPP dhe 18 në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t.

Përsa i përket rezultateve të këtyre auditimeve KLSH ka konstatuar një sërë shkeljesh e mangësish në pothuajse të gjitha auditimet e zhvilluara në institucionet e sipërcituara. Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet e konstatuara në auditimet e zhvilluara nga KLSH, përgjatë periudhës 2013 – 2017, konsistojnë në:

–  vonesa në administrimin e praktikave dhe trajtimin e kërkesave në proces,

–  regjistrimin e lejeve të ndërtimit mbi truall shtetëror,

–  regjistrimin e pasurive me ndryshime të zërave kadastral,

– regjistrimin në bashkëpronësi të paligjshme të pasurive bujqësore,

–  mos regjistrimin e sipërfaqeve të përbashkëta në ndërtimet e reja duke shmangur taksën e kalimit të pronësisë,

–  regjistrimin e pronave me mbivendosje,

–  mos bërjen e bilancit AMTP-LN, listave printim III dhe listave të trojeve sipas kryefamiljarëve, dhe në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t dhe mos administrimi i të dhënave të sakta mbi vet deklarimet në vite,

– mos evidentimi i subjekteve që do të përjashtohen nga procedurat e legalizimit,

–  pajisjen me leje legalizimi pa paguar më parë taksën e ndikimit në infrastrukturë,

– mosrespektimin e afateve ligjore për procedurat e kualifikimit,

– mungesën e dokumentacionit që pasqyron periudhën e ndërtimit pa leje,

–  legalizimin e objekteve pa respektuar distancat nga brigjet, nga rrugët nacionale e urbane,

–  legalizimin e objekteve pranë linjave dhe shtyllave të tensionit të lartë, kanaleve kulluese dhe brezit mbrojtës,

– ndryshimin e zërit kadastral pa marrë më parë konfirmimin nga autoritet kompetente,

–   legalizimin e objekteve në zonat arkeologjike dhe zonat e mbrojtura mjedisore si dhe objekteve në truall me statusin e territorit publik.