Ahmeti i kundërpërgjigjet kritikave të PDK-së

Kohëve të fundit, dega e PDK-së në kryeqytet është treguar mjaft e zëshme në kritikat ndaj qeverisjes së Shpend Ahmetit në komunën e Prishtinës.

Me rastin e afrimit të zgjedhjeve lokale, PDK ka akuzuar Vetëvendosjen për keqqeverisje, favorizim të të afërmëve në tendera dhe punësim të militantëve në administratën komunale, njofton Konica.al.

Sipas degës së PDK-së në Prishtinë, kryetari Ahmeti po punon nën urdhrat e ‘komisarëve’ të Vetëvendosjes, duke apostrofuar veçanarisht emrin e Dardan Molliqajt.

Por, kryetari Ahmeti i është kundërpërgjigjur akuzave të PDK-së, duke i quajtur kundërshtarët e tij si të akuzuar për korrupsion dhe uzurpatorë tokash.

“Kur të akuzuar për korrupsion e uzurpatorë të tokave flasin me akuza për komunën tonë e di që jemi mirë e në rrugë të drejtë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.