Atë Irakli Pylli: Zoti, Abetarja dhe Kombi

Nga: Fahri Xharra

Ai besoi në Zot, në Abetare dhe në Komb. Ky ishte “Ati, biri dhe shpirti i shenjtë”, i këtij luftëtari të paepur të shkollës shqipe.

Altari i Zotit u bë altari i atdhetarisë dhe bekimi i tij përzihej me bekimin e kombit. Në popull filloi të pëshpëritej me krenari urimi për priftin që psalte shqip. Ai thirrej “mjalti i shqipes”. Në këto vite futi edhe mësimin e gjuhës shqipe në Shën Pjetër. Si klasë përdori një nga ambientet e kishës dhe si justifikim përdori mësimin e gjuhës greke. Ati donte t’iu mësonte fëmijëve, ”gjuhën tonë, që është më e ëmbla ndër më të ëmblat”. Ky ishte refreni i tij që krijonte paradigmën filozofike me thënien e Naimit për gjuhën “tënë” “sa e ëmbël, sa e mirë” dhe që shpesh merrte vlerat e përdorimit të një sentence polisemantike për kohën. Dhe me këtë paradigmë u hap porta arsimore e shekullit XX në krahinën e Myzeqesë…

Atë Irakli Pylli u lind në Shënpjetër të Fierit, në prill të vitit 1872 dhe jetoi deri më 1944. Gjithë aktivitetin e tij patriotik e ushtroi i angazhuar në dy drejtime; me penë dhe pushkë. Fillimisht u arsimua pranë shkollës greke në Manastirin e Pojanit së bashku me Llazi Spiro Shënpjetrën dhe mësues Kostandin Mingën. Për arsimimin e tij u kujdes gjyshi nga nëna, kleriku Pjetër Çuni, i cili e ndihmoi për të ndjekur studimet e mëtejshme teologjike në Greqi.

Midis shkollave greke, të Myzeqesë, ishte pikërisht shkolla e Pojanit ajo që nxori dy nga figurat më të spikatura të kësaj krahine: Spiron dhe Pyllin. Dy patriot të rëndësishëm, të cilët së bashku me liderin më të shquar autokton, Jani Mingën, do t’i jepnin tonin të gjitha ngjarjeve të zhvilluara në gjysmën e parë të shekullit XX. Është interesante se të tre këta burra i përkasin të njëjtit fshat, Shënpjetrës, i cili është bërë i njohur pikërisht për faktin se nxori nga gjiri i tij këto tri figura që i bëjnë nder çdo kapitulli të historisë. Mësuesi i Popullit Jani Minga, i mbiquajtur “patrioti me vulë”, patrioti dhe këngëtari virtuoz i folkut krahinor, “bilbili i Myzeqesë”, Llazi Spiro ose Llazi Shënpjetra dhe kleriku mësonjës, “prifti me kobure”, Atë Isaia, ishin jo vetëm bashkëfshatarë por edhe moshatarë, të cilët ndonëse lindën në familje të thjeshta, ditën të gjejnë kahun përparimtar të zhvillimeve bashkëkohore e të ecin drejt progresit duke e kapërcyer aq shumë kohën e vet.

Heroizmi përbën kulmin e aktivitetit të këtij rilindësi. Sepse ky u shfaq në një moment kulmor për nacionalizmin shqiptar, atëherë kur patriotët po legalizonin vendimet e tyre nëpërmjet formave më të larta të organizimit; kongreseve kombëtare. Dhe kjo ndodhi në periudhën e ashpërsimit të kontradiktave me xhonturqit, të cilët, pasi nuk mundën ta frenonin dot vërshimin e nacionalizmit shqiptar, tentuan të ndryshonin drejtimin e tij. “Për këtë qellim ata u përpoqën të zëvendësonin gërmat latine të alfabetit kombëtar shqiptar me gërma arabe, duke shpallur në të njëjtën kohë që shkronjat latine ishin shpikje e të huajve, objektivi i të cilëve ishte të devijonin myslimanët e mirë nga besimi i tyre, dhe që shkronjat arabe ishin të shenjta”. Por edhe kjo propagandë naive dështoi me turp përpara bashkimit të përgjithshëm të popullsisë shqiptare, myslimanë e të krishterë, të cilët nën sloganin kuptimplotë të Rilindjes sonë Kombëtare, “feja e shqyptarit ashtë shyptaria”, kishin sheshuar çdo dasi fetare midis tyre.

Në Shën Pjetër dhe Radostinë kishte informacion për aktivitet ilegal nga dy patriotët; Atë Isaia dhe Ymer Hoxha. Të dy këta u bën objekt vëzhgimi dhe kontrolli. “Në fillim të vitit 1910, xhonturqit treguan se ishin tiranët më të këqij se paraardhësit e tyre.” Ata u vërsulën me tërbim mbi çdo vatër shqiptarizmi për t’i shuar me çdo kusht zjarret e sapondezur të arsimit shqiptar. Në muajin mars të këtij viti, kjo “tirani” u shfaq edhe në Shën Pjetër. Kur në oborrin e kishës u ndje trokthi i rrëmbyer i kuajve “xhon”, nxënësit të trembur i fshehën pllakat me gërmat e shqipes dhe në vend të tyre nxorën ato me shkrimin grek. Por informacioni ishte aq i besueshëm sa ushtarët u derdhëm me egërsi mbi fëmijët dhe iu zhvatën nga gjoksi pllakat e fshehura. Pastaj u vërsulën mbi mësuesin dhe e goditën barbarisht. Më pas e tërhoqën jashtë prej mjekrre, i rrëmbyen kryqin nga qafa, sahatin, i shkuan litarin në gjoks, e lidhën në shalë të kalit dhe e tërhoqën zvarrë nëpër baltën e udhës së Semanit, deri në qytetin e Fierit. Rrugës njerëzit shihnin të tmerruar masakrimin e mësuesit prift. Kuajt rendnin në galop duke hedhur nga patkojtë, stërkalat e baltës mbi fytyrën e tij. Në Fier njerëzit u stepën. Ushtarët turq e turpëruan mësuesin duke e shëtitur nëpër qytet të zhveshur, me një këmborë të varur në qafë si bagëti. Në krah të tij kishin vënë edhe Ymer Hozhën, akuzuar për përhapjen e librit shqip në Myzeqe. Edhe atij i kishin varur në qafë një këmborë dhe e godisnin duke e shtyrë me përçmim.

Në zonën e Lushnjës, shkruante revista e Mihal Gramenos në Bukuresht, rebelët kishin “përveshur krahët” dhe tmerronin popullsinë e Myzeqesë me masakra të papara. “Rebelët, porsa hynë në Lushnjë, zbritnë flamurin shkabëtor edhe ngritnë flamurin e Turqisë. Dhe pasi u siguruan se Myzeqeja mbeti në duart e tyre, sakaq nisën të ndjekin dhe të mundojnë shqipëtarët atdhetarë… Kështu prishën shtëpinë e z. Llaz Bozos; shtëpinë e të ndershmit Atë Ikonom Dhimës Çipllaka, Atë Spiro Sht-Pjetrasi, Lame Kruati; ç’gjendeshin brenda dhe gjënë e gjallë u rrëmbyen… Tërë shkollat sa qenë në Myzeqe i prishën, duke djegur tërë librat shqip si edhe çdo shenjë atdhetarizmi që gjendej nëpër shkolla. Mësuesit vuajtën shumë nga rebelët, u burgosën dhe u munduan si Krishti, duke dashur t’i frikësojnë që paskëtaj të mos guxojnë të thonë se janë shqiptarë”.

Shkele Abetaren,- i thoshin. Pikërisht këtu është madhështia e njeriut idealist. Maja e piramidës së këtij ideali lëshoi mbi dumbabistët rrufetë e heroizmit . Shkele! – Jo! Shkele – Kurrë! A ka refren më të madh për një komb sesa një qëndrim i tillë manifestuar nga një prej shtetarëve të tijë të frymëzuar? A nuk tregon kjo sjellje vetë palcën kurrizore të kombit? Të kërcënohesh me vdekje përpara abetares dhe të rezistosh përpara saj për ta bërë atë të pavdekshme. Ku e gjente të tillë force ky burrë?

(Sipas Nuri Plakut, Specialist në Muzeun Historik Fier).

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj