Bashkia rikonstrukton Shkollën e Baletit

Me fillimin e vitit të ri shkollor, 230 artistët e rinj, nxënës të Shkollës së Baletit në Tiranë, do mund të studiojnë në një godinë moderne dhe me mjedise të rikonstruktuara. Kjo do t’i japë fund praktikës së mësimit në shkolla të tjera të këtyre nxënësve, të cilët ishin të detyruar të ndiqnin orët e mësimit diku tjetër për shkak të gjendjes së rrënuar ku ndodhej Shkolla e Baletit para se Bashkia e Tiranës të niste nga puna për rikonstruksionin e saj.

“Jam vërtet i kënaqur që kolegët e bashkisë punuan shumë fort gjatë gjithë verës, edhe në temperatura të larta, që të dilnim faqebardhë dhe teksa afron shtatori, të kemi një Shkollë Baleti që ndoshta ka cilësi edhe më të mirë se Liceu Artistik. Sigurisht, pas çdo pune, mësojmë se puna e radhës është akoma më e mirë. Kjo është ndoshta një nga të vetmet shkolla në Shqipëri e cila është e gjitha e kondicionuar, me foni të brendshme, me parket Harlequin dhe 6 salla kërcimi”, tha Veliaj.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ndërtimit të amfiteatrit dhe sistemimit të mjediseve të jashtme të shkollës, duke krijuar një hapësirë të denjë në shërbim të komunitetit. Investimi i ri ka dhënë rezultatet e para, ku si pasojë e përmirësimit të kushteve dhe cilësisë së mësimdhënies, janë rritur edhe kërkesat e prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në këtë shkollë.

“Prindërit shikojnë që nuk janë më ato kushtet spartane ku janë trajnuar yjet e baletit shqiptar, por tani edhe kushtet janë në të njëjtin nivel si talenti i atyre që vijnë dhe konkurrojnë për Shkollën e Baletit. Ndaj, mezi pres që të kemi dy gëzime: hapjen e vitit të ri shkollor, por edhe 60-vjetorin e Shkollës së Baletit. Detyra jonë në bashki është që të bëjmë çmos që talentet të kenë shansin të shkëlqejnë”, shtoi Veliaj.

Në Shkollën e Baletit është bërë rikonstruksioni i fasadës, hidroizolimi i tarracës, rikonstruksioni total i nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik dhe i dhomave të zhveshjeve. Gjithashtu, është shtruar parketi i ri i përshtatshëm për sallat e kërcimit si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes.