Blerim, me ty nuk lulëzon leximi

Nga Elvis Hoxha

Oh Blerim i mbushur plot, por plot me nuk dihet çfarë. Mendova se do t’i shtoje pak saktësi mendimit në këtë replikë. Por që në titull ti thua diçka pa lidhje, në mos qoftë redaksia e gazetës që e ka vënë një titull të tillë. Cili është avokati i Milosheviçit, ndoshta e ke thënë dhe nuk e kam kuptuar? Cili është or Blerim? Nuk të them i dashur Blerim sepse, siç e kam thënë dhe më parë, fjalët nuk janë të zbrazura prej kuptimit e ndjenjës. Nuk mund të të them as “i dashur” e as “i nderuar”.

E kuptova urrejtjen tënde për Badiounë, dhe për Platonin, edhe për Deleuze-in. I pari sepse është maoist, sepse ka qenë kundër ndërhyrjes së Nato-s në Kosovë. I dyti sepse është “protokomunist”, i treti sepse, siç ti ja fut kot, po ama aq kot, na flet për rizomën mbi të cilën ti nuk di dhe nuk kupton asgjë, duket nga mënyra si shkruan mbi të. Më thanë miqtë që bashkëbisedimi me ty është i pamundur sepse ti përdor vetëm google. Në shkrimin tënd të fundit po e shoh qartë këtë gjë. Pasi ke hedhur fraza pa lidhje me ndonjë përmasë filozofike të mendimit, jo fundosje, jo vendosje, ti shkon e përdor Roger Scrutonin.

Mirë bën, ta thashë një herë se të ndihmon pasi të heq qafe leximin e shumë emrave të lartë të filozofisë, madje dhe të letërsisë. Por po ta lexoje mirë Roger Scrutonin, ndoshta do të kishe lexuar shumë më tepër filozofi. Ama një gjë nuk e kuptoj aspak: si mundesh me e përmendë ti Hegelin, kur është pikërisht ky filozof, vërtetë i madh për mua, që na ka vendosur në listën e popujve të skaduar? Unë nuk jam si ty që t’i kërkojë llogari Hegelit. Jam i sigurtë se ti nuk e ke lexuar Fenomenologjinë e frymës, sepse do të mbeteshe pa frymë kur të merrje vesh se aty nisin të shfaqen dhunshëm ndarjet mes popujve historikë dhe atyre jo-historikë. E pra, filozofë si Badiou dhe Hegel, janë shumë të ndikuar nga ekzistenca e dukshme e popujve në histori, edhe pse Badiou përpiqet ta mbulojë disi këtë përkatësi me Hegelin.

Do të të jepja të drejtë nëse nga një sjellje filozofike ti do të më adresoje shqetësimin se si një filozof e humb ndjeshmërinë mbi fatet e një populli. Por ti nuk je serioz dhe nuk qëndron dot në linja që kanë të bëjnë me vetëvendosje kulturore, politike, sociologjike dhe filozofike të një populli, sado i vogël me qenë ai. Dhe këtu qëndron tërë nyja e indiferencës filozofike të Perëndimit egocentrik ndaj nesh. Sepse, që thua ti, perëndimorët ndahen në shumë grupe, por dy janë më interesantët: ekspertët dhe mendimtarët. Ekspertët perëndimorë duan që të mos jemi, ndërsa mendimtarët nuk na marrin parasysh sepse nuk jemi. Dhe këtu qëndron synimi dhe veprimi praktik i asaj që ti e quan vetëfundosje, të bëhemi të dukshëm. Dhe po kjo ka qenë më e mrekullueshmja e praktikës jetike të UÇK-së, të na bëjë ekzistentë në botë, të na shpëtojë nga kushti njerëzor – mundohu ta reflektosh pak, por jo me google.

Nëse ti dhe shefi yt mund të pranojnë çdo negociatë, siç duan tërë ekpertët, dhe kjo për hir të stabilitetit, mendimtarët nuk të shquajnë më. Përkundrazi ata do të shohin se ekzistojnë vetëm serbë, sepse këta jo vetëm ndihen, e ngrenë zërin, por i shohim kur përfitojnë nga pranimi i çdo lloj kërkese që i bëjnë Thaçit në tryezë, kur përfitojnë nga qenia e mjerë dhe buëqeshja e dhjerë e Petrit Selimit me Daçiçin (mos harrojmë simbolikën: i biri i Petritit në mes). Mos prit nga asnjë mendimtar të mendojë vuajtjet tona kur ne bëjmë sikur nuk i ndjejmë e sikur nuk i kemi. Më duket se çështja e grave të përdhunuara të Kosovës u shua nga burrat e fortë të Kuvendit të Kosovës. Më duket se të zhdukurit e shqiparëve u zhdukën së dyti kur nuk ishin kusht paraprak për negociatat me Serbinë. Më duket se pasuritë e Kosovës dhe njohja e saj, pra ekzistenca e saj, u zhdukën kur, me mohimin e qenies shqiptare në simbolet e Kosovës, nga vetë drejtuesit e Kosovës, u zhduk emri shqiptar i vuajtjeve. Siç e thua ti vetë, nuk mund t’u rekomandosh bijve të Holokaustit Carl Schmid, unë të them nuk mund të përkulesh para varreve të Jasharajve dhe para atyre të “viktimave” serbe. Që në atë çast, thjesht nuk je më në mendim e jo në mendimin e ndonjë filozofi të caktuar.

Ti i kërkon llogari Badiou-së pse nuk të sheh, kur t’i vetë fshihesh. Kështu pra, qeverisja që ti këshillon e ka zhdukur dukjen e shqiptarëve në histori. Nuk mund t’i kërkoj Alain Badiou-së ta dojë Kosovën si popull historik, kur institucionet e Kosovës pranuan se historia nis më 1999-n dhe se shkëputet përmes simboleve nga tërë viktimat që janë lëndë shqiptare. Pra simbolet e Kosovës sot e shuajnë sakrificën e shqiptarëve. E di se do të më kujtosh se Badiou ka shkruar më 1999, dhe se institucionet këto gafa i kanë bërë më vonë. Por, tema historike e popujve nuk është çështje ditësh. Ajo është punë dekadash e shekujsh.

Përkundër kësaj, unë e përkthej filozofinë e Badiou-së sepse është shumë e dobishme në rendin e mendimit, më së pari që t’i them se ne jemi në présentation dhe jo në représentation, pra nuk jemi produkt i përkohshëm i NATO-s, por ekzistencë historike – e sulmoj me termat e tij. Së dyti, i deklaroj Badiou-së se ata që nuk i njeh e nuk i shquan, e flasin filozofinë e tij, ndaj herë tjetër, kur të bjerë rasti, mos të guxojë të mos i marrë parasysh. Sepse Blerim, unë kam zgjedhur rrugën e gjatë të themelimit të shumëfishtë të një populli – mos u tremb nga qëllimi im aspak modest – kurse ti rrugën e shkurtër të fitimit veselian që rrënon e privatizon ndjesitë, njerëzit dhe pasuritë. Me rrugën time të gjatë themelohet një universitet i fortë, një dije e gjerë, një shoqëri e drejtë, një shpresë pozitive dhe një vullnet afatgjatë. Por ky mision aspak modest është shumë i thjeshtë kur realizohet nga një numër i madh, rritja e numrit të votuesve për VV-në është shembulli më i mirë. Pra qëllimi im është në të vërtetë modest sepse ne jemi shumë.

Nën tekst po të rrëfej një strategji tjetër: një vend ku ka biblioteka, teatro, kinema, shtëpi që i kanë muret me libra, digjet më me vështirësi. Sepse filozofi nuk do të të mbrojë si shoqëria civilie, në emër të humanitarizmit, por si shoqëria politike, në emër të humanizmit. Ai nuk të mbron si viktimë, por si subjekt i të drejtës.

Po them këto dhe e di që në fakt nuk të drejtohen ty. Ashtu si shkrimi yt që nuk më drejtohet mua, por tërë klientëve të klanit Pronto që nuk kanë patur as shpresë, as vullnet, sepse ndryshe nuk do të rrënonin çdo gjë. Ti nuk shkruan nga meraku i mendimit, por i mundësimit me qenë sa më gjatë këshilltari i Veselit.

Pra, Blerim, nëse do të jesh, duhet të jesh dhe jo të fshihesh. Të mos pranosh të jesh “thumb i ngulun në tru të njerëzisë”, thotë Migjeni. Sepse thumbi, kjo metaforë e mrekullueshme e Migjenit, ka vetinë me ndejtë në tru të njeriut pa i cënuar aspak aftësitë cerebrale. Ekzistenca e këtij thumbi është vetëm një bezdi, të cilën njeriu, pronar i trurit, kërkon ta heqë qafe. Dhe ky thumb është një popull jo-historik. Viktimë e dashurisë së të tjerëve për stabilitet. Ekspertët pyesin: ç’të bëjmë me këtë popull?, ndërsa mendimtarët nuk dinë si ta marrin për Subjekt këtë lloj populli që ëhstë vepër e jotja, popull refugjat i trojeve të vet. Ndaj pra ekziston Lëvizja Vetëvendosje! Por, ndërkohë, ti bën sikur di ndonjë gjë.

Dhe përmend Debré-në, të cilin të them të drejtën nuk e kam lexuar kurrë, sepse ky njeri është problem i vërtetë, një tezë doktorate të dikujt mbi këtë autor. Është problem i vërtetë sepse erdhi në Kosovë, ishte në Kosovën që zbrazej, dhe po ashtu si revizionistët e kampeve të shfarosjes, mohoi krimin në mënyrën më të paturpshme. E megjithatë po e përsëris: faji pse ne nuk ekzistojmë si problem për mendimin e Perëndimit e ka shkakun në mënyrën se si ekzistojmë. Ne nuk kemi universitet, sepse universitetin e bëjmë në lartësinë e shefave të tu. Për këtë ti nuk flet. Me mënyrën tënde ti i jep lëndë mendimtarëve për harresën e tyre ndaj nesh. Sa më shumë ti krijon Veselë, aq më shumë ata do të na mbajnë për qenie jo-historike.

Pjesën më të madhe të tekstit tënd e ke kundër leximit të Badiousë. Sa për Debrénë ia fut kot, po e përsëris. Edhe për tezën e një studenti mbi të, edhe me titullin krejt rrenacak e idiot që vendos mbi shkrimin tënd. Por po t’ia heqësh këto pjesë tekstit tënd, si dhe budallallëkun mbi Deleuze-in, shto dhe frazat rrokopujë mbi Albinin, vetëfundosjen, etj., nuk di i në të vërtetë se ç’mbetet prej shkrimit tënd. Në mos dallimi mes ne të dyve: ti që e lexon një mendimtar për mos me lexu të tjerë mendimtarë – prej ku dhe afria jote me Veselin – dhe meje, që lexoj Deleuze, Foucault, Badiou e Rancière ku gëlojnë emra filozofësh, shkrimtarësh, kompozitorësh, muzikantësh dhe personazhesh, që lëxoj Leibniz, Kant e Platon, Berkley e Hobbes, sepse nuk kanë skaduar aspak.

Pra, lexojmë njëri një botë ku fshihet, privatizohet dhe korruptohet një popull. Tjetri, që sigurisht jam unë, ku bota përmban shumë personazhe që, tek i njeh, një popull a shoqëri ndan emrin historik të botës. Nuk po kërkoj të bësh si unë. Këtë kërkesë e kisha në letrën e parë. Pastaj, përderisa nuk të ka bindur Platoni apo Kanti ta bësh një gjë të tillë, nuk mund të të bindë unë. Po përpiqem të tregojë për të tjerë se mendimi është shumë më i gjerë se sa ai që fabrikon cinizmi për të legjitimuar cinizmin. Unë nuk mund të kërkoj ty të shkruash, siç bën Badiou, ndonjë vepër me titullin Veseli, emri i ç’gjëje është? Imagjino dhe që Vesel e Sarkozy janë shumë larg.

 

Ta njoha, pozitivisht e jo sipas stilit tënd, kritikën mbi qëndrimin e Badiou-së në rastin e Kosovës. Por në këtë pozicion mbetet çdo njeri që mëton t’i vijë ekistenca e gatshme. E këtë ekzistencë të gatshme nuk e pret njeriu që punon me studentë në universitet. Sepse atij i intereson më shumë të kuptojë se përse gjermanët zgjodhën Greqinë si djep të perëndimit, se përse Badiou nuk na sheh kur ne vrapojmë me çdo kusht pas paqes, se përse institucionet e Kosovës kanë frikë të shprehen për bashkimin e shqiptarëve, kur administrojnë shqiptarë. Mund të bëje shumë pyetje në tekstin tënd, nëse do të ma adresoje vërtet mua. Në këtë rast do të ishim kolegë të nderuar. Por ti, ndërsa shkruan imagjinon përkëdheljet e Veselit, tamam si një qen i lumtur tek shpreson të meritojë përkëdheljet e të zot.

 

Pra, nëse do më adresohesh ndonjëherë, të lutem më thuaj diçka që ndërton mendim. Mos guxo më të më sugjerosh të mos lexoj Platonin meqë qenka proto-komunist. Sepse pastaj kuptoj që studentët e tu në universitet e paskan të ndaluar të lexojnë traktatin e parë më të madh mbi filozofinë politike. Pasojat do të ishin katastrofike mbi ty vetë, sepse nuk do të dije të arsyetoje ndonjë marrëdhënie mes filozofisë e politikës, prej ku ti merr emrin këshilltar filozofik i politikanit. Gjithnjë zgjero mendimin që sa herë që flet të biesh në një zonë të mendimit. Përndryshe do të shkruash prapë marrëzi që suksesin do ta kenë vetëm tek ata që kanë vendosur të mos lexojnë. Këta janë shumë, ndoshta shumica. Por me tipa si puna jote ata do të shtohen dhe ti nuk do të mundësh kurrë, në vetminë e natës, ta përgëzosh veten pse janë zhdukur lexuesit falë teje.

Gjithsesi jam i lumtur për ty që Scruton nuk e merr vesh se si e ke përdorur kundër Platonit dhe në mbrojtje të Veselit.