Çeta e famshme e Kadaresë dhe harta e Shqipërisë!

Në kryeveprën e Kadaresë “Viti i mbrapshtë” ka një pasazh të bukur për një nga çetat e shumta të atyre kohëve që vinin vërdalllë në Shqipëri, pa e ditur mirë nga shkojnë e nga vijnë. Një nga më interesantet prej tyre ka gjetur një hartë austriake të cilën nuk e kuptonin gjëkundi, edhe çfarë thotë për shkak të gjuhës; në skenë janë vërdallë dhe nja shtatë a tetë ushtri pushtuese e jo përfaqësues të BE-së së sotme…

Megjithatë çeta e gjorë e kapedanit që e udhëheq sheh shumë shigjeta të bëra në hartë dhe vendos të ndjekë pa ndonjë qëllim këtë drejtim që shigjetat përcaktojnë…

Këtë përshtypje të çuditshme ndien kur sheh se çfarë është bërë me rrugët tona nga viti 1990 e këtej. Të duket se ata që kanë udhëhequr Shqipërinë e 26 viteve të tranzicionit e kanë rigjetur këtë hartë dhe vijnë vërdallë po ashtu si çetat e vitit 1913 që shkruan Kadareja.

I pari e gjeti Berisha me Nanon, që fill pas 92 –shit i ngarkuan një firme që kishte një pronar, më duket, apo ashtu e quanin firmën që përfaqësonte ai, me emrin Sarandopulis. Ai u vërvit ca kohë andej-këndej deri nga viti i tmerrshëm ’97 dhe pastaj i la të gjitha në mëshirë të fatit. Kërkoi, si të mos mjaftonte batërdia e bërë, pasi ndërtoi dhe ca ura më të dobëta se ato që bënin vullnetarët e Enverit në aksione, shumë para për dëmin që u kishim shkaktuar makinerive të tij në kohën e rrëmujës së atij viti.

Grekët, që ishin në të drejtën e tyre dhe kishin harta të rregullta, e dinin më mirë se ne se ku duheshin vendosur shigjetat e kësaj harte.

Korridori i tetë, që normalisht do të kalonte nga Shqipëria pasi të nisej nga portet e Durrësit dhe të Vlorës, vazhdonte në rrugën e njohur Egnatia dhe pastaj nëpërmjet Shkupit të mbaronte në Stamboll. Ndërtimi e linte Greqinë keq në hartën e përgjithshme të rajonit, ndaj me të drejtë ajo kërkonte të ndërtonte rrugë vertikale që ta lidhnin me Shqipërinë, e cila kishte një pozicion më të mirë gjeografik. E gjitha kjo me qëllimin për të shfrytëzuar edhe ajo dobitë e këtij korridori.

Për interesa të saj, apo se e kuptoi që në këto kohë “çetat e pushtetit” që sundonin në Shqipëri ndiqnin atë “hartën austriake” që përmend Kadareja, Greqia e ndërtoi vetë rrugën analoge që ne e quajmë Korridori i tetë dhe ata “Egnatian e re” të tyren.

Natyrisht, brenda të drejtës së tyre të shenjtë, duke pasur edhe lobe të fuqishme në Bruksel, ata e bënë rrugën analoge shpejt, por pa ndonjë ndikim të madh. Arsyeja ndoshta lidhej me vogëlsinë e Portit të Igumenicës, që nuk e ka fuqinë të mbajë të mbushur këtë rrugë ashtu si yni që kemi në Durrës. Grekët sidoqoftë kanë rifilluar t’i vinë vërdallë prapë këtyre “vertikaleve” duke tentuar edhe në kohën që po flasim ardhjen në Kapshticë…

 

Në periudhën e qeverisjes së Metës, interesi për Korridorin 8 u rishfaq. Ai që kalonte në Bari të Italisë, qoftë edhe për vizitë të thjeshtë, shikonte shumë harta në rrugën kryesore që tregonin hartën e këtij korridori, e që niste prej tyre. Po italianët, në analogji me grekët, edhe ata për interesa të tyret, shihnin zhvillimin vetëm të Portit të Durrësit dhe ndërtimin e rrugës që sot e quajmë Rrugë të Kombit. Kjo si rruga më e shkurtër që i fuste në zemër të Ballkanit. Ata u interesuan për lobim të përbaskët me qeverinë shqiptare në Bruksel. Ne duhej të përkrahnim interesat e tyre për portet e Barit dhe Brindizit dhe ata vetëm të Durrësit. Për Vlorën, jo. Interesi i tyre ishte logjik. Durrësi mund të shihej si zgjatim i Barit, apo Brindizit dhe kështu, edhe Italisë së Jugut; Vlora, natyrisht jo, sepse ndërtimi saj bënte të kundërtën. Ajo zvogëlonte rëndësinë e këtyre porteve ashtu si dhe të një pjese të Greqisë.

Për Korridorin e tetë tanimë nuk flitet më, jo vetëm prej fqinjëve, por edhe në Shqipëri, të shohin me njëfarë zgurdullimi sysh apo me nënqeshje nëse jua përmend.

Ai që sheh hartën e Shqipërisë së gjati e së gjeri, e kupton menjëherë se rruga e saj themelore, por edhe më e shkurtra është ajo që quhet Korridori i 8- të. E nisur nga portet e Durrësit dhe Vlorës, ajo bashkohet diku afër Elbasanit si në kohërat e vjetra dhe vazhdon për në Shkup e Stamboll.

Në një logjikë të thjeshtë apo banale, edhe sikur Shqipëria të mos kishte fare porte në ndërtimin e rrugëve të saj, ajo do të kërkonte atë lidhje me botën që do të kishte distancën më të vogë për t’u ndërtuar.

Për shkakun se eksportet e saj janë më së shumti të natyrës minerare, kjo shkurtësi bëhet domosdoshmëri, dhe në mungesë të porteve do të kërkonte hekurudha, së pakti.

Le të kthehemi te qëllimi i shkrimit.

Qeveria e re e Ramës nuk ka ministrinë normale të transportit dhe funksionin e saj e ka të lidhur me atë të infrastrukturës. Në qëllimin për të bërë rrugë ajo do të ndërtojë Rrugën e Arbërit që në njëfarë mënyre zëvëndëson Korridorin e tetë. Megjithëse jam partizan që kjo rrugë do të ishte më e mirë duke zgjeruar pjesën Elbasan –Qafë Thanë edhe me shpenzime më të vogla, edhe Rruga e Arbërit do të mund të luante të njëjtin rol ndoshta.

Po cila është specifika që na imponon të heqim dorë nga grandomania për të ndërtuar rrugë të mëdha, pa iu kthyer vështrimit të hartës?

Pse Rama nuk duhet të përsëritë gabimet e pararardhësve?

Rrugët e mëdha janë produkt i perandorive apo diktaturave. Në të dyja rastet shfrytëzohet puna e skllevërve, apo thjesht puna e papaguar. Vendet e zhvilluara i realizojnë këto me koncensione me kompani vendëse apo të huaja. Ne nuk i kemi këto mundësi. Mungesa e porteve dhe hekurudhave nuk lejon që të realizojmë koncesione me sukses.

Harta e Shqipërisë imponon vënien në lojë të porteve. Në mungesë të tyre, natyrisht, nuk ka vlerë dhe mundësi ndërtimi i rrugëve të mëdha.

Por pa rrugë nuk shkohet asgjëkundi dhe këtu është drama.

Mbetet të ndërtojmë ato rrugët e vogla dhe efektive që zhvillojnë së pari bujqësinë dhe modernizojnë fshatin. Duket se kjo mundësi, duke pasur gjithnjë në vëmendje Korridorin e 8-të, që duket asnjë nuk e do, apo që fqinjët e shohin me zili, ta kërkojmë ta bëjmë thuajse pa lekë apo me rrugë koncesionare të favorshme, kur në sfond të kemi portin e Vlorës.

Në të kundërt, nuk do të bëjmë tjetër, veçse do t’i ngjajmë asaj çetës së Kadaresë që ka hartën austriake në çantën e komandantit dhe ndjek kuturu ku e çon ajo.

Kritikë të ndryshëm që qëndrojnë djathtas, mendojnë se gabohet në këto lloj vështrimesh duke e konsideruar si gjykim majtist veçanërisht atë që është kritik mbi Rrugën e Kombit. Aq më shumë se këtë e ka bërë Berisha. Natyrisht që një vështrim i tillë është i pakuptimtë apo karakteristikë e militantit qorr.

Në tërësinë e rrugëve që bëri Berisha, duhen vlerësuar veçanërisht rrugët e fshatrave që natyrisht do të ishin akoma më efektive nëse do të kishin një bashkërendim më të madh me shpejtësinë e lëvizjes, apo ndryshe me modernizimin e bujqësisë në zonat përkatëse.

Berisha zgjodhi Rrugën e Kombit. Kritika e bërë ndaj tij në këtë lëvizje është e thjeshtë. Nëse dy prej korsive të saj do të ishin hekurudhë, rëndësia e saj do të ishte njëqindfish më e madhe. Kjo për mineralet dhe qymyrin që do të lidhnin dy vendet me veten dhe të tjerët. Po ashtu, për të stimuluar turizmin, që do të lejonte sasi të mëdha njerëzish me kosto më të vogël, të vinin në plazhet tona apo për të lehtësuar koston e madhe të ndërtimit të hekurudhës që do të shfrytëzonte eksportin e mineraleve. Një mungesë e hekurudhës për shkak të pozicionit gjeografik të Kosovës, bën që sot kjo e fundit të shfrytëzojë rrugë më efektive për të shkuar në Evropën qëndrore dhe jo Rrugën e Kombit.

Shkrimi, si dhe të tjerë në vargun e kësaj serie, është përpjekje për kujtesë jo aq shumë ndaj qeverisë sesa ndaj ekspertëve që e njohin më mirë se unë gjeografinë e Atdheut dhe mundësitë për ta zhvilluar atë në mënyrë harmonike.

Tani që ministria e transportit mungon fare dhe është shkrirë si ministri me atë të energjitikës, kjo kujtesë mund të ketë më shumë vlerë.

Në të gjitha rastet, ashtu siç edhe u theksua në fillim të këtij shkrimi, ne duhet të kthejmë vështrimin mbi hartën e Shqipërisë. Komunisti i vjetër Ramiz Alia, kur e pyeta dikur pse nuk e bënin korridorin e 8-të, qoftë edhe për t’u lidhur shpejt me të tjerët, që pavarësisht se i kishin armiq, bënin tregtinë më të madhe – u përgjigj.

U përpoqëm të bëjmë hekurudhën me Maqedoninë dhe nuk na eci. Për Vlorën nuk ëndërronim apo kuptonim shumë. Ndoshta për shkak të Luftës së Ftohtë, apo se nuk e kuptonim rëndësinë e atij porti, nuk e di. Thjesht kaq vinte gjykimi ynë i lidhur gjthnjë me konjukturat e kohës.

Ndoshta kishte të drejtë në arsyetim politik. Sot ky gjykim është thjesht i gabuar. Ne duhet të mbajmë hartën përpara në një botë të hapur. Përndryshe, ashtu si personazhet e çetës së Kadaresë, do vijmë vërdallë pa shkuar asgjëkundi.

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj