Daçiç keqpërdor rastin ‘Panda’ për të fajësuar shqiptarët

Në kohën kur Kosova do të bëjë përpjekjen e dytë për anëtarësim në UNESCO, Serbia ka dendësuar fushatën e saj diplomatike për të pamundësuar një gjë të tillë.

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç ka aktualizuar vrasjen e 6 të rinjve serbë në kafiterinë ‘Panda’ në Pejë, shkruan Konica.al.

Në përvjetorin e vrasjes e të rinjëve serbë në Gorazhdec, Daçiç ka akuzuar shqiptarët për këtë krim, ndonëse drejtësia ende nuk e ka zbardhur rastin.

Sipas tij, këta të rinj u vranë “vetëm pse ishin serbë”.

Sot terroristët dhe dorasit e krimeve të tmerrshme janë liruar në Kosovë dhe Metohi. Nuk ka drejtësi as për viktimat serbe por as për ato shqiptare të UÇK-së”, ka deklaruar Daçiç.

Por cila është e vërteta e rastit ‘Panda’?

Më 14 dhjetor 1998 në kafenenë ‘Panda’ në Pejë u ekzekutuan gjashtë të rinj serbë, tre prej të cilëve në moshë të mitur.

Autoritetet serbe të kohës menjëherë ua kishin mveshur krimin shqiptarëve, duke arrestuar  e keqtrajtuar brutalisht qindra shqiptarë pa asnjë dëshmi të vetme.

Për më shumë se një dekadë, në Serbi besohej gjerësisht se kjo vrasje u krye nga ‘terroristët shqiptarë’.

Por, në vitin 2015 ish-kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tronditi opinionin në Serbi duke thënë se “nuk ka dëshmi se vrasjen e kryen shqiptarët, ashtu siç besohej’.

Ai pati pranuar se shteti serb ka kryer krime monstruoze, duke lënë të nënkuptohet se vrasjen e gjashtëfishtë në Pejë e kryen vetë autoritetet serbe.

Të njëjtën e kishte pohuar edhe kreu i Lëvizjes së Përtëritjes Serbe Vuk Drashkoviç, sipas të cilit, Sigurimi Shtetëror i Serbisë nëpërmjet Millorad Ulemakut, i njohur si Legija, e kryen krimin monstruoz në Pejë.