Daja: Dinamo Zagreb? E pashë, por…

Teksa futbollistët e Skënderbeut rikuperonin forcat për të qenë gati për duelin me Dinamo Zagreb, trajneri Ilir Daja ishte i angazhuar në vëzhgime dhe analiza. Tekniku i korçarëve vëzhgoi nga afër Dinamon e Zagrebit, rivalin në fazën “play off” të Europa League. Në një intervistë për “Supersport”, Daja thotë se edhe gjiganti kroat ka disa problem.

“Kishim tri ditë pushim dhe duke qenë se në këtë periudhë luhej derbi i Kroacisë, Dinamo me Hajdukun, në kohë rekord klubi dhe presidenti bën të mundur që unë ta ndiqja ndeshjen direkt. Sepse në çdo moment e shikon fushën në çdo sektor. Është tjetër ta shohësh live dhe tjetër nëpërmjet televizorit.

Nuk do të ndryshoj asgjë nga ato që kam thënë: Është një ekip shumë i fortë, me shumë kualitete, me lojtarë të rinj të rritur në shkollën e Dinamos dhe me traditë në futboll. Nuk do të futemi në lojë të dorëzuar, sepse në futboll shanset ekzistojnë, pavarësisht se kundërshtarët janë favoritë.

Ne do të bëjmë të pamundurën, që me suportin e tifozëve korçarë, por edhe të gjithë shqiptarëve, të jemi ne që të vazhdojmë më tej, pavarësisht se niveli i vështirësisë është në një shkallë shumë herë më të lartë se në herët e tjera. Dobësitë e Dinamo Zagreb? Nuk mund të them asgjë, sepse gjatë qëndrimit tim në Zagreb mora informacion se edhe kundërshtarët do të sjellin njerëz për të vëzhguar si do ta përgatisim ne ndeshjen.

Ndoshta jam i detyruar që pas një bisede me presidentin, të paktën javën e dytë, të stërvitemi me dyer të mbyllura. Por, kanë edhe ata probleme brenda elementëve tekniko-taktikë. Janë shumë të pakta, por ne do të mundohemi t’i shfrytëzojmë. Nëse do të hyjmë në fushë me mendimin se Dinamo nuk është më skuadra e dy vjetëve më parë, do të bëjmë një gabim më të madh.

Këto ekipe lëvizin pak. Mund të ndryshojnë emrat, por prurjet i kanë shumë të mira. Dhe e dyta, ne nuk duhet të hyjmë në fushë me këtë mendim, por që të qëndrojmë të gjithë të bashkuar dhe të luajmë si grup, për të shfrytëzuar ato dobësi që ne do t’i analizojmë bashkë me ekipin” – u shpreh ndër të tjera trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.