Del sheshit manipulimi/ Mbi 1.7 mln dollarë dëm shtetit me birra “Peja”

Birra “Peja”, duke fshehur taksat, i ka shkaktuar mbi 1.7 mln dollarë dëm shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se birra “Peja”, një prodhim kosovar që po konkuron tregun, ka mashtruar autoritetet doganore të Shqipërisë, duke fshehur mbi 1.7 milion dollarë taksa. Sipas KLSH, ngjarja ka ndodhur në vitin 2015, kur kompania përmes importuesit të saj në Shqipëri, subjektit “Kuinda”, ka manipuluar sasinë e prodhimit.

Qeveria shqiptare aplikon dy nivele akcizash për birrën. Për fabrikat që prodhojnë deri në 200 mijë hektolitra në vit, akciza është 36 lekë/litër. Për fabrikat që prodhojnë mbi 200 mijë hektolitra në vit, akciza është 70 lekë/litër.

Politika, edhe pse qeveria ka synuar gjithmonë të ndihmojë importin, është që fabrikat vendase me kapacitet të vogël të paguajnë më pak akcizë dhe ato të huaja me kapacitet të madh të paguajnë më shumë. Ndryshimi i kapaciteteve, pra sasisë së prodhimit, lidhet edhe me kostot e tjera dhe çmimin.

Por kjo ka shërbyer për të kundërtën në dy rastet e zbuluara nga KLSH për birra “Peja”. “Nga auditimi i ushtruar nga KLSH në degën e Doganës Tiranë për vitin ushtrimor 2015, në lidhje me subjektin “Kuinda” sh.p.k., që importon artikullin birra “Peja”, u konstatuan dy dukuri me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit”, thuhet në raportin e KLSH-së.