Dopietë e Lukakut, fiton thellë M.United (Video)

Manchester United ka bërë nisjen e duhur në Premier League, duke fituar në shtëpi me West Ham 4-0 dhe duke ndjekur hapin e Arsenal, Tottenham dhe Manchester City. Ndryshe nga ai që shënoi në Superkupën e Europës, golat e Lukakut kësaj here kanë pasur vlerë për “Djajtë e Kuq”. Belgu debuton me dy gola dhe hedh kandidaturën për t’u shpallur golashënuesi më i mirë.

Formacioni i Mourinho-s nuk e ka nisur mirë dhe në minutat e para mund ta kishte pësuar. Megjithatë, më pas United futet në rrjedhën e vet dhe shënon në minutën e 33-të pikërisht me Lukaku-n. Avantazhi qetëson vendasit dhe kishin mundësi të mira për të dyfishuar. Pjesa e parë mbyllet 1-0.

Manchester United edhe në pjesën e dytë futet me të njëjtin ritëm siç e mbylli të parën. Dhe nuk vonon shumë goli i dytë, është sërish Lukaku që shënon në minutën e 53-të. United luan mirë, mbrohet mirë dhe sulmon me logjikë. Në fundin e ndeshjes vijnë dy gola për 2 minuta, në të 87-ën shënon Martial i futur në pjesën e dytë, ndërsa në të 90-ën Pogba “vulos” rezultatin 4-0.

Standings provided by Sofascore LiveScore