Është e gjitha politikë!

Me operacionin “Lavazhi i makinave”, drejtësia në Brazil ka gjetur që miliarda dollarëve u ishte ndërruar destinimi dhe shumë zyrtarë të lartë u patën arrestuar. Sidoqoftë, e vetme, drejtësia nuk mund të çrrënjosë korrupsionin dhe Brazili do ta humbë këtë betejë nëse nuk fillojnë ndryshimet politike – dhe ky është mësimi kryesor edhe për Kosovën.

Brazili është më larg se asnjëherë më parë nga të qenit “shteti i së ardhmes”. Ashtu si në Kosovë, shqetësimet politike dhe skandalet e korrupsionit ia kanë dëmtuar Brazilit imazhin botëror. Skandali i fundit është i pashembullt. Më 26 qershor presidenti i Brazilit, Michel Temer, u akuzua për korrupsion nga prokurori i përgjithshëm, Rodrigo Janot. Është hera e parë e ngritjes së një akuze për korrupsion ndaj një presidenti ende në pushtet. Brazili ka ndjekur shpalosjen e një drame, sikur në “telenovela”, në të cilën qytetarët janë viktimë e klasës vjedhëse politike, ku të gjithë shpresojnë për një fund të lumtur. Një shembull është lufta e gjyqësorit kundër korrupsionit në Brazil. Por vetëm vullneti politik i ekzekutivit dhe i legjislativit mund të përcaktojë suksesin apo dështimin e gjyqësorit. Çfarë e dërgoi Brazilin në sfidat e tanishme politike mund të shërbejë si mësim për Kosovën? Çështja tejkalon rolin e gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit; qytetarët dhe pushtetet e tjera duhet të ndërmarrin aksione për të fuqizuar institucionet e tyre.

Në një ndër kapitujt e fundit të kësaj drame, presidenti Temer është akuzuar për marrjen e ryshfetit në vlerë prej 115,000 dollarësh amerikanë (500,000 R$) përmes njërit prej ish-ndihmësve të tij më të afërt, Rodrigo Rocha Loures. Akuza pretendon se ryshfeti i është dërguar Temerit nga Joesly Batista. Ky i fundit është pronar i bashkësisë më të madhe ushqimore në botë, JBS. Ryshfeti ishte si shkëmbim për ndihmën që Temeri ia kishte dhënë Batistas për të zgjidhur problemet me një nga bizneset e tij. Temer ka mohuar të ketë bërë diçka të tillë, duke e quajtur akuzën të fabrikuar, meqë ai nuk i kishte marrë kurrë këto para dhe lidhja e vetme mes tij dhe ndihmësit të tij ishte shoqëria.

Akuza e ngritur ndaj presidentit nuk është vetëm një operacion drejtuar Presidencës; është pjesë e skandalit më të madh të korrupsionit në historinë e Brazilit, “Operação Lava Jato” – “Operacioni lavazh i makinave”. Ky operacion ka hetuar dhe dërguar në burg dhjetëra politikanë me nam, biznesmenë dhe ish-autoritete të tjera. Joesly Batista, i shndërruar prej një banditi në një bamirës, është një nga informuesit e fundit të operacionit. Brazili është bërë “shteti i korrupsionit”.

Operacioni “Lavazhi i makinave”, udhëhequr nga gjykatësi Sergio Moro, është një pikë kthyese në historinë e shtetit. Duke filluar me një hetim të një karteli në 2014, askush nuk priste se kriminelët me “këmisha të bardha” do të përballeshin me drejtësinë në një shtet të mësuar me padrejtësi. Doli se ata që merreshin me paratë e tregut të zi të kartelit punonin për ekzekutivët e Petrobras. Të kontrolluar nga Qeveria, Petrorbas është simbol i pasurisë së një shteti të pabarabartë. Në 2013, ishte kompania e naftës e 13-ta më e madhe në botë, duke prodhuar 2.5 milionë fuçi naftë për ditë. Brazilianët nuk mund të besonin kur autoritetet vazhdonin të zbulonin një skemë aq komplekse të korrupsionit.

Në shkëmbim të vazhdimit të kontratave me Petrobras, furnizuesit morën një shumë më të lartë të parave publike nga drejtorët e Petrobras. Këta menaxherë ishin caktuar nga ish-presidentët Luiz Inácio Lula da Silva (i njohur si “Lula” në Brazil) dhe Dilma Rousseff, e cila u shkarkua së fundmi. Paratë u përdorën për të korruptuar politikanët, qeveritarët, partitë politike dhe ministrat. Shtrirja e operacionit shpejt u zgjerua dhe u zbulua edhe përfshirja e bashkësive inxhinierike. “Odebrecht”, firma më e madhe e ndërtimit, kishte sektorin e operacioneve të strukturuara. Një nga drejtorët e kompanisë më vonë rrëfeu se, në fakt, ishte “Departamenti i ryshfetit”. Deri tash, operacioni ka rezultuar në vlerë totale prej përafërsisht dy (2) miliardë dollarësh për kompensime të pretenduara. Reputacioni i Petrobras gjithashtu është dëmtuar dhe tani zë vendin e 26-të në botë për kompanitë e naftës.

 

Përderisa gjetjet shkatërruan vlerën e tregut të Petrobras, ato gjithashtu e shkatërruan klasën politike. Fillimisht ka pasur efekt në grupet në pushtet, si Partia e Punëtorëve (PT në portugalisht) e udhëhequr nga Lula dhe Dilma. Partia e Temerit, Partia e Lëvizjes Demokratike Braziliane (PMDB në portugalisht) është kapur gjithashtu nga hetimet. Sipas gjetjeve të “Lavazhit të makinave”, paratë e devijuara ushqyen partitë e koalicionit gjatë zgjedhjeve për të siguruar qëndrimin e tyre në pushtet. Pas një kohe, edhe partitë e opozitës, si Partia Socialdemokrate e Brazilit (PSDB) u gjetën në skemën e korrupsionit. Arsyeja ishte e njëjtë: mbajtja e pushtetit të tyre politik, gjithashtu edhe pozitave publike në shkëmbim për para.

Pastaj “Lavazhi i makinave” filloi të dërgonte mashtruesit në burg. Çdo javë një politikan ose biznesmen i rëndësishëm përballej me fatin e njëjtë. Së fundmi janë arrestuar pesë aleatë politikë të afërt të Temerit, disa prej tyre ish-ministra. Me përfshirjen në skemë dhe dënimin e ish-presidentit Lula, “Lavazhi i makinave” arriti një nga kulmet e tij. Lula është duke u përballur me pesë raste gjykate të lidhura me korrupsion, dy prej të cilave nga operacion. Si pasojë e njërës ndër këto raste Lula u dënua me gati 10 vjet burgim, ndërsa katër vendime të tjera janë ende pezull.

Lula, një nga liderët politikë më karizmatikë dhe me më së shumti ndikim në vend dhe në Amerikën Latine, shef i Qeverisë së Brazilit për dy mandate, prej 2003 deri 2010, u shpall fajtor për shpëlarje parash dhe korrupsion. Prokurorët e akuzuan për marrje të 1.1 milionë dollarëve në shpenzime për një apartament në plazh nga një firmë ndërtimi, në shkëmbim që firma të siguronte kontrata me Petrobras. Është hera e parë në historinë e Brazilit që një ish-president të shpallet fajtor për korrupsion. Dënimi i Moros, një dosje prej 218 faqesh, krijoi një përçarje mes ekspertëve ligjorë. Disa prej tyre e konsideruan atë si jo të plotë. Përderisa korrupsioni rrallë herë lë gjurmë, Moro përdori një dozë goxha të mirë të interpretimit për të krijuar lidhje mes krimeve të korrupsionit dhe përfshirjes së Lulas në skemë. Lula do të mbetet i lirë derisa një trup i dytë gjykues të rishikojë apelin eventual. Tani Lula dhe aleatët e tij kanë filluar një fushatë ndërkombëtare kundër operacionit dhe e cilësojnë atë si diskrecionale dhe pretendojnë të jenë viktima të persekutimit politik. Gjykatësi Moro shkroi se shqiptimi i dënimit për Lulan nuk i sjell atij kënaqësi personale. “Është për të të ardhur keq që një ish-president të dënohet penalisht”, shkruan gjykatësi Moro. “Një fjalë thotë ‘kurrë mos ji shumë lart, sepse ligji është mbi ju’”.

Duke dënuar Temerin – autoritetin më të lartë në shtet – reputacioni i të cilit ka rënë në 7%, më poshtë se kurrë më parë sipas sondazheve lokale, “Lavazhi i makinave” lë pak vend për të dyshuar se është i njëanshëm. Në mes të këtij kaosi ligjor e politik, Temeri dhe qeveria e tij po luftojnë për mbijetesë.

Me rënien e klasës tradicionale politike në Brazil, e cila është e mbytur në korrupsion, topi është në fushën e gjyqësorit. Gjetjet e gjyqësorit kanë nxitur një valë protestash: për parime morale, kundër korrupsionit, pro-transparencës, kundër Partisë së Punëtorëve dhe pro Sergio Moros, i cili është shndërruar në heroin e kombit. Roli i tij duke u koordinuar me “Lavazhin e makinave” konsiderohet si moment historik ligjor dhe shpjegon pjesën më të madhe të suksesit të hetimeve.

Moro, 44-vjeçar dhe gjykatës i shkallës së parë, ka specializuar në krime financiare. Më 2004, ai shkroi një ese duke lavdëruar një hetim italian lidhur me korrupsionin, “Mani Pulite” (Duar të pastra). Nisur në fillimet e viteve ‘90, “Duar të pastra” i dhanë fund “Republikës së parë” të Italisë; shumë parti politike u shkatërruan dhe u shpërbën para zbulimeve të tyre.

Zbuloi një skemë që arriti vlerën prej katër (4) miliardë dollarësh, la gjysmën e Parlamentit nën akuzë dhe arrestoi 3,000 persona. Diku rreth 10 persona që ishin nën hetime bënë vetëvrasje. Si veproi një operacion kaq i madh? Për të zbuluar, paditur dhe arrestuar një numër kaq të madh keqbërësish, gjyqësori llogariti shumë në marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Ata që kërkonin imunitet pranuan të dorëzonin prova shtetërore në shkëmbim për dënime më të lehta. Më pastaj plot informues treguan gjithçka që dinin për skemën. Rrëfimet e tyre zbuluan lidhjet ilegale mes autoriteteve publike dhe biznesmenëve privatë në një përzierje të paligjshme të interesave publike dhe private.

Gjykatësi Moro dhe personeli i “Lavazhit të makinave” kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Marrëveshjet për pranim të fajësisë, edhe pse të themeluara kudo në botë, ishin risi në jurisprudencën e Brazilit. Ato u zbatuan në një pako masash të propozuara nga Dilma Rousseff menjëherë pasi që Brazilin e kapluan një valë protestash kundër korrupsionit dhe klasës politike. Protestat dëmtuan popullaritetin e përfaqësuesve, të cilët përgjigjeshin me politika populiste dhe pak rregulla kundër korrupsionit. Që atëherë, marrëveshjet për pranim të fajësisë kanë qenë arma kryesore e Moros në “Lavazhin e makinave” kundër keqbërësve. Për të evituar shkeljet e drejtësisë, ai i mbajti të dyshuarit në burg, përderisa rastet e tyre ishin në shqyrtim. Shumë prej tyre nuk mund t’i bënin ballë burgut dhe kështu nënshkruanin marrëveshje duke treguar gjithçka që dinin. Për ironi, kështu u godit edhe fushata politike e Dilmas nga informatorët. Ata zbuluan se paratë publike po përdoreshin për të paguar ryshfete. Brazili gjithashtu është bërë “shteti i marrëveshjeve për pranim të fajit”.

Marrëveshjet për pranim të fajit kanë udhëhequr hetimet. Jo vetëm kaq: ato kanë mbajtur vëmendjen e popullit përmes mbulimeve të përditshme mediatike dhe e kanë vendosur në një pozitë mjaft të vështirë klasën politike. Njëjtë si në Itali, shumë nga rrëfimet e informuesve janë publikuar në media. Mbulimi mediatik u ka dhënë qytetarëve ndjenjën se “Lavazhi i makinave” është legjitim. Si pasojë, kjo e ka detyruar gjyqësorin t’u japë dënime të akuzuarve si asnjëherë me parë. Në esenë e tij, Moro i konsideroi publikimet si esenciale ashtu që operacioni “Duar të pastra” të siguronte vazhdimësinë e hetimeve të tyre. Ai gjithashtu pranoi se nganjëherë nderi i politikanëve të hetuar e të padënuar mund të jetë në rrezik: “Megjithatë, vlen të theksohet nevoja e kujdesit në zbulimin e fakteve të lidhura me hetimin, dhe jo konceptin e ndalimit të lirimit të tyre, meqë publiciteti ka qëllime legjitime të cilat nuk mund të arrihen me mjete të tjera”. Në Brazil ligji ndalon publikimin e përmbajtjes së marrëveshjeve të pranimit të fajësisë, meqë ato nuk mund të shërbejnë si prova të keqbërjes. Ato janë më tepër një mënyrë për të ndihmuar gjyqësorin për të mbledhur më shumë fakte dhe prova. Publikimet kanë nxitur debate të pafundme mes ekspertëve ligjorë në media, prokurorëve shtetërorë dhe ministrave të Gjykatës Supreme, pra, pothuajse kryesisht mes atyre që akuzojnë dhe atyre që fajësohen, në lidhje me procedurat e “Lavazhit të makinave”.

Debati është i dobishëm, meqë mund të përshtatej me mospërputhjet teknike në operacion. Pavarësisht nga temat e diskutueshme, “Lavazhi i makinave” ka arritur të përgatisë shoqërinë dhe gjyqësorin për reagim. Duke u bazuar në iniciativën qytetare, Ministria e Publikut ka hartuar një ligj me përmbajtje të masave të reja kundër korrupsionit. Në mes tyre është fuqizimi i mjeteve të kthimit të parave të keqpërdorura ose rritja e ndëshkimeve dhe gjobave për raste të larta korrupsioni. Pastaj në vitin e kaluar Ministria e dërgoi projektligjin në Kongres për ta diskutuar. Nga ana ligjore, operacioni ka dënuar më shumë se 150 persona, dënimi i të cilëve kalon 1500 vjet burgim. Deri më tash “Lavazhi i makinave” ka rikthyer 3.49 miliardë dollarë që ishin vjedhur nga fondet publike.

Këto para mund të ishin përdorur nga shteti në raste urgjente. Për këtë shkak debati për korrupsionin është kritik. Paratë e devijuara përmes korrupsionit e dobësojnë aftësinë e shtetit për të krijuar mundësi dhe politika publike. Arsyeja pse duhet mposhtur korrupsionin bëhet e qartë nëse marrim parasysh se këta tre (3) miliardë dollarë të rikthyer nga “Lavazhi i makinave” do të mundë të përdoreshin për ndërtimin e 5.100 qendrave mjekësore për raste emergjente. Brazili është ekonomia e 9-të më e madhe në botë për nga BPV-ja, mirëpo kur është fjala për pabarazinë e të ardhurave, ajo është shumë e pazhvilluar. Sipas indeksit GINI të Bankës Botërore në vitin 2013, i cili mat pabarazinë prej 0 (barazi perfekte) deri në 100 (pabarazi perfekte), Brazili ka shënuar 52.9 pikë. Kosova, në anën tjetër, me BPV shumë më të vogël (është shteti i 146-të më i pasur në botë), në indeksin GINI ka shënuar 26.7 pikë.

Kundër korrupsionit e gjyqësorit nuk e ka bërë Brazilin vend më pak të korruptuar. Si shtet, Brazili është më i vjetër se Kosova. Por kur flasim për sundim të ligjit, ata janë mjaft të ngjashëm. Sipas Treguesit Botëror të Qeverisjes nga Banka Botërore, në shkallë prej -2.5 deri 2.5, në vitin 2015 Brazili ka shënuar -0.2 në sundim të ligjit. Kosova ka shënuar -0.5 në të njëjtin vit. Ky tregues e përshkruan shkallën në të cilën agjentët respektojnë rregullat e shoqërisë. Ai gjithashtu kap cilësinë e zbatimit të kontratave, të drejtat e pronësisë, policinë, gjykatat dhe ndodhjen e krimit dhe dhunës. Përderisa Kosova në mënyrë progresive ka rritur rezultatin gjatë viteve, rezultati i Brazilit është më i keqi prej vitit 2009. Sipas Treguesit të Kontrollit të Vlerësimit të Korrupsionit, përfaqësuesit e të dy shteteve nuk arrijnë të bëjnë ndarjen mes interesave publike dhe atyre private. Ky tregues tregon deri në ç’masë përdoret pushteti publik për të arritur përfitime personale, gjithashtu edhe ndikimin që elitat politike dhe interesat personale kanë mbi shtetin. Duke filluar nga -2.5 deri 2.5, Kosova shënoi -0.5, përderisa Brazili shënoi -0.4 – edhe pas “Lavazhit të makinave”.

Këto shifra si duket ilustrojnë një kontradiktë: Brazili duket se është duke u bërë shtet më i korruptuar përderisa gjyqësori bëhet më efektiv. Në fakt, këto shifra tregojnë se rezultatet e mëhershme të Brazilit nuk kanë arritur të kapin shtrirjen e rrjetit korruptiv. Ky rrjet doli në pah falë punës së gjeneratës së re të prokurorëve dhe gjykatësve në Brazil. Puna e tyre ka bërë që gjyqësori të punojë së bashku, gjë që në shkëmbim ka përmirësuar efikasitetin e tij. Ky element kyç ende i mungon Kosovës, e cila së pari duhet të zbatojë reforma strukturore.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian (KE) në Kosovë, i publikuar në dhjetor, thotë se gjyqësori ka bërë progres gjatë viteve, por është shumë larg të qenit funksional. S’është çudi që ngadalshmëria, joefikasiteti, mënyra sesi nuk financohet sa duhet dhe dobësia e tij ndaj ndikimeve politike zvogëlojnë aftësitë e tij për të luftuar korrupsionin.

Raporti i KE-së gjithashtu vë në dyshim nivelin e profesionalizmit dhe aftësitë e gjyqtarëve në Kosovë. Kjo përfshin edhe prokurorët të cilët janë po aq të rëndësishëm sa gjyqtarët. Në mungesë të një organi ekspertësh të aftë dhe të pavarur në gjyqësor, hetimet për korrupsion ka shumë gjasa që të harrohen. Kjo, sepse hetimet janë të varura në kohën, ekspertizën, mundin, paratë, pavarësinë dhe mbrojtjen ligjore.

Politikat drejt vlerësimit dhe trajnimit ligjor të gjykatësve duhet rishqyrtuar dhe zbatuar në mënyrë që të përmirësohet gjendja e tanishme ligjore në Kosovë.

Përkrahja me mbrojtje ligjore e prokurorëve dhe e gjyqtarëve të rinj dhe efikas është një hap i domosdoshëm që duhet të merret në mënyrë që të arrihen hetime me rezultate. Ligji kosovar parashtron një kohë të shkurtër për hetimin e rasteve në lidhje me korrupsionin. Kur kemi të bëjmë me zyrtarë publikë të dënuar ose të akuzuar për krime të lidhura me korrupsionin ose mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të informuesve, kjo nuk është në harmoni me standardet evropiane. Këta janë mekanizma me të cilët ka punuar “Lavazhi i makinave”.

Në anën tjetër, shifrat e korrupsionit në Brazil ndihmojnë të sqarojnë kufijtë e gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit. Hapat e nevojshëm që duhet të ndërmerren drejt fuqizimit të tij, si rritja e buxhetit, krijimi i një organi funksional mbikëqyrës dhe kuptimi i pushteteve të pavarura, varen shumë nga vullneti politik i ekzekutivit dhe legjislativit. Edhe gjyqësori më i fuqishëm nuk mund të eliminojë korrupsionin nëse pushtetet e tjera nuk mbështesin reforma që fillimisht mund të parandalojnë dhe dënojnë individë të korruptuar.

T’ua rikujtoj operacionin “Duar të pastra” që inspiroi Brazilin. Ky operacion nuk e bëri Italinë më të pastër. Në indikatorin “nuk ka korrupsion në legjislaturë” të projektit botëror për drejtësi, Indeksi për Sundim të Ligjit, Sundim të Ligjit për Projektin e Drejtësisë Botërore 2016, Italia shënoi rezultat 0.29 në shkallë prej 0 deri 1, ku 1 nënkupton se ka mungesë totale të korrupsionit. Ky është rezultat shumë më i keq sesa shtetet e tjera me të ardhura të larta. Kur flasim për radhitjen e shteteve më së paku të korruptuara në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Italia zë vendin e 60-të. Është më afër Ganës (e 70-ta) sesa shteteve evropiane fqinje. Për shembull, Gjermania dhe Britania e Madhe zënë vendin e 10-të. Si e arriti Italia këtë realitet të zymtë pas operacionit “Duar të pastra”?

Në një studim të operacionit “Duar të pastra”, Alberto Vannucci, politolog italian, shkroi se politikanët lokalë nuk mbështetnin politikat administrative të cilat do të mund ta parandalonin rikthimin e agjentëve të korruptuar në politikë. Me rritjen e populizmit gjatë vakuumit të operacionit “Duar të pastra” dhe ardhjen e Silvio Berlusconit në pushtet ndodhi e kundërta. U votuan ligje amnistie për krime politike. Puna e gjyqësorit u ngulfat. Në fund të fundit, klasa e njëjtë politike, e cila dikur ishte në rrezik, u kthye me parti politike dhe diskurse ideologjike të ndryshme për të rivendosur të gjitha interesat e tyre private.

Shumë ekspertë kanë thënë se fatin e Brazilit mund ta kaplojë e njëjta tragjedi si e Italisë. “Korrupsioni [në Itali] tani është më i sofistikuar. Asnjë kompani nuk konkurron më për fonde publike. Askush nuk spiunon për njëri-tjetrin. Është rritur heshtja e mafisë”, i tha Luiz Flávio Gomes, ekspert brazilian ligjor për çështjen italiane, revistës braziliane EPOCA. “…nevojitet më shumë sesa një dënim për të rregulluar një shtet”.

Ka dëshmi që tregojnë se po shkojmë drejt kësaj rruge kërcënuese. Politikologët kanë pohuar se operacioni “Lavazhi i makinave” në Brazil ka arritur pikën kulminante. Dhe kjo ka ndodhur jo se është zhdukur korrupsioni, por falë përpjekjeve politike për ta zvogëluar atë. Vullneti politik në Brazil graviton në drejtim të interesave të njëjta të grupeve politike – shumë prej tyre të ndikuara nga “Lavazhi i makinave”.

Sjellja e Qeverisë ndaj ruajtjes së “Lavazhit të makinave” është më shumë simbolike. Mandati i Rodrigo Janot si prokuror i përgjithshëm përfundon në shtator të këtij viti. Meqë zyra e prokurorit publik ka mandat të hetojë kongresistët, ministrat dhe presidentin e Brazilit, pjesa më e madhe e suksesit e “Lavazhit të makinave” i atribuohet atij. Është presidenti ai që e përzgjedh prokurorin e përgjithshëm nga një listë me tre emra – listë kjo e cila aprovohet nga Kongresi. Janot ka thënë se do ta përdorë “fuqinë e lapsit” për “Lavazhin e makinave” deri në ditët e fundit të mandatit të tij. Disa mendojnë se do të ngre edhe dy padi të tjera kundër Temerit.

Për Temerin është e qartë se s’do të ketë tërheqje nga ana e “Lavazhit të makinave”. Ballafaqimi me Janot është bërë brenga kryesore e Temerit dhe gjetja e pasardhësit të tij është bërë prioriteti i tij; në më pak se 24 orë pas marrjes së listës së kandidatëve, ai zgjodhi Raquel Dodge si zëvendësim për Janot. Dodge është e besuar nga kolegët e saj në gjyqësor. Sidoqoftë, ajo njihet të ketë mospëlqim ndaj Janotit dhe sjelljes së tij ndaj “Lavazhit të makinave”. Më 6 korrik, Policia Federale vendosi të shpërbënte ekipin e operacionit. Hetuesit lokalë i konsideruan dy vendimet si tentime të Qeverisë për ta penguar punën e “Lavazhit të makinave”.

Nga ana politike, Temeri është duke bërë manovra në Kongres për të shpëtuar reputacionin e Qeverisë së tij. Partitë politike që bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës janë nën presion që në Kongres të votojnë kundër akuzave të Janotit. Votimi do të bëhet në gusht, dhe nëse ndodh kjo, atëherë Gjykata Supreme nuk do të mund ta gjykojë Temerin. Është ende e paqartë nëse Temeri do të mundë t’ia dalë kësaj, mirëpo strategjia politike e Qeverisë së tij thotë se në demokraci të gjitha pushtetet kanë rëndësi të barabartë. I gjithë mundi i gjyqësorit kundër korrupsionit mund të politizohet brenda sekondash nëse qytetarët e lejojnë të ndodhë kjo. Kjo ndodhi në Itali. Mund të ndodhë në Brazil ose në Kosovë, ose kudo.

Në shtetet si Brazili ose Kosova, anëtarët e gjyqësorit dhe përfaqësuesit kryesorë të gjyqësorit përzgjidhen nga dy degët e tjera të Qeverisë. Sidoqoftë, në një demokraci është votuesi ai që i zgjedh anëtarët e legjislaturës dhe nganjëherë edhe shefin e shtetit. Prandaj janë votuesit ata të cilët në mënyrë indirekte i zgjedhin edhe anëtarët e gjyqësorit. Si në Brazil, ashtu edhe në Kosovë qytetarët mund të zgjedhin përfaqësuesit ose koalicionet e tyre duke u bazuar në punën e tyre kundër korrupsionit. Ata mund të shmangin ata politikanë të cilët përdorin ndikimin e tyre politik për të arritur interesat e veta të paligjshme personale, para interesave ideale të republikës. Pas zgjedhjeve, qytetarët mund t’i bëjnë presion Qeverisë që të përkrahë reforma politike dhe administrative në mënyrë që të rritet llogaridhënia. Pra, lufta kundër korrupsionit kërkon mund të përditshëm.

Kosova veçse i ka disa mjete për ta arritur atë. Agjencia Kundër Korrupsionit ka nevojë për përmirësime, por puna e saj mund të përdoret për të kapur shkelësit e ligjit. Ndërsa kyç për rritjen e vetëdijesimit dhe ndihmesën e qytetarëve për të bërë zgjedhje të drejta është puna e organeve mbikëqyrëse – si OJQ-të dhe mediat – të cilat i tregojnë problemet dhe ofrojnë zgjidhje për to. Në fund të fundit, demokracia ka të bëjë me zgjedhjen. Dhe e tillë është edhe lufta kundër korrupsionit. E gjitha ka të bëjë me politikën.

(Autori është duke bërë studimet master në Politika Publike në Universitetin e Evropës Qendrore në Hungari. Më parë ka qenë gazetar në të përjavshmen më të madhe “Epoka Magazine” në Brazil. Në Kosovë ai bashkëpunon me organizatën Demokracia Plus – D+. Qëndrimet në artikull janë të autorit dhe jodomosdoshmërisht paraqesin ato të D+. “Koha Ditore” mban të drejtën për botimin e këtij vështrimi në Kosovë)

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj