Gjyqtari gabon përmes VAR, Kaka del me të kuq (Video)

Një ngjarje e pabesueshme, por e vërtetë ajo që ka ndodhur në ndeshjen e fundit të MLS të luajtur nga Orlando City. Ricardo Kaka u përjashtua nga loja, pas konsultës së arbitrit me VAR (video asistentin), me motivacionin se i kishte vënë duart në fytyrë kundërshtarit, Aurelien Collin, të New York Red Bull.

Por dy futbollistët po bënin shaka në ato momente. Më parë kishte patur një zënkë dhe mosmarrëveshje mes futbollistëve të Orlando dhe New York për një ndërhyrje të gabuar, dhe pikërisht Kaka, në përfundim të këtij debati të vogël, kishte tentuar të qetësonte mikun e tij kundërshtar, duke qeshur e duke tentuar t’i mbyllë gojën.

Kjo sjellje, gjatë analizimit të aksionit, është konsideruar e rëndë dhe antisportive nga ana e arbitrit që fillimisht ndëshkon me karton të verdhë dy protagonistët e vërtetë të ndërhyrjes dhe nisjes së debatit, përkatësisht një të Orlando dhe tjetri i New York, për t’u drejtuar më pas te Kaka duke i treguar kartonin e kuq.

E kotë dhe e padobishme tentativa e Kaka, madje edhe e Collin, për t’i shpjeguar arbitrit faktin që të dy po bënin shaka. Vetë Collin, duke iu përgjigjur një postimi të MLS, që tregonte skenën ka sqaruar: “Duket që po bënim shaka, jemi vëllezër!”. Tashmë braziliani mund të shpresojë vetëm në një rishikim të vendimit, për të mos humbur ndeshjen e ardhshme.