Kina bën arbitrin mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka kërkuar nga presidenti amerikan, Donald Trump,gjatë një bisede telefonike, që t’i shmangë “fjalët dhe veprimet” që mund ta “përkeqësojnë” edhe më tepër situatën e tensionuar në Gadishullin Korean, ka raportuar të shtunën Televizioni shtetëror kinez.

Shtëpia e Bardhë të shtunën ka publikuar një deklaratë ku theksohet se Koreja Veriore “duhet ta ndalë sjelljen e vet provokuese dhe të ashpër” dhe se sanksionet e reja të Kombeve të Bashkuara kundër Phenianit, ishin “një hap i domosdoshëm dhe i rëndësishëm” kah paqja dhe stabiliteti në Gadishullin korean.

Shtëpia e Bardhë tha se presidentët Trump dhe Xi e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për denuklearizimin e gadishullit.

Trump kërkoi që Kina të bëjë më shumë presion ndaj Koresë Veriore për ta ndalur programin e vet të armatimit atomik.

Kina është partneri më i madh ekonomik i Koresë Veriore dhe, po ashtu, burim i ndihmës, por insiston se nuk mund ta detyrojë Phenianin që ta përfundojë programin e vet atomik dhe raketor.

Biseda telefonike Trump – Xi u bë një javë pas këmbimeve të ashpra të fjalëve ndërmjet Uashingtonit dhe Phenianit, ndërsa Koreja Veriore tha se po e finalizonte planin për zjarr nga raketat e mesme dhe me rreze të gjatë veprimi, kah ishulli Guam, ku është e vendosur një bazë ushtarake strategjike e Shteteve të Bashkuara.

Pheniani tha se këto plane mund të jetë të gatshme deri në mes të këtij muaji për të sulmuar afër Guamit me raketa balistike ndërkontinentale.

Zoti Trump tha se opsioni ushtarak kundër Koresë Veriore është i gatshëm, që ishte ashpërsimi i fundit i retorikës ndërmjet dy vendeve.

“Zgjidhjet ushtarake janë plotësisht të gatshme, nëse Koreja Veriore vepron në mënyrë jo të mençur”, shkroi Trump në rrjetin twitter dhe shtoi se “shpreson se lideri veri-korean, Kim Jong Un, do ta gjejë një rrugë tjetër”.

I pyetur për këtë postim në rrjetin twitter, zoti Trump tha se “shpresoj se ata do ta kuptojnë plotësisht seriozitetin e asaj që thashë, dhe ajo që them është ajo që mendoj”.

Më tutje, duke folur para gazetarëve në pushimoren e tij të golfit në Bedminster të New Yerseyt, ku është në pushim, presidenti Trump theksoi se “nëse Kim bën diçka sa i përket Guamit ose ndonjë vendi tjetër në territorin amerikan ose ndaj ndonjë aleati amerikan, ai do të pendohet sinqerisht”.

Presidenti Trump u tha reporterëve se vërejtja e tij drejtuar Koresë Veriore se çfarëdo kërcënime të mëtejshme nga Pheniani do të “ndeshen me zjarr dhe ashpërsi, që bota nuk i ka parë kurrë”, ndoshta ishte shumë e butë.

Pas një takimi ditën e premte me bashkëpunëtorët e tij më të afërt politikë, Trump tha se Koreja Jugore dhe Japonia, që janë dy aleatët, të cilët më së shumi dhe në mënyrë direkte kërcënohen nga Koreja Veriore, janë “të kënaqur” me mënyrën se si Trump po konfrontohet me Korenë Veriore.

Presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh se situata me Korenë Veriore është “shumë e rrezikshme”, por ai ende shpreson për zgjidhje paqësore.

Në këtë kuadër zoti Trump tha: “Askush nuk e do zgjidhjen paqësore më tepër se presidenti Trump. Ne do të shohim se çka do të ndodhë. Ne mendojmë se shumë gjëra të mira mund të ndodhin, por ne, po ashtu, mund të kemi edhe zgjidhje të keqe”.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, tha se Shtetet e Bashkuara janë të “gatshme” të konfrontohen me Korenë Veriore, por ka tërhequr vërejtjen se lufta do të ishte “katastrofike” dhe se “përpjekjet diplomatike që kjo të jetë nën kontroll” po “mbizotërojnë”.

Donald Trump ka refuzuar të thotë nëse Uashingtoni do të ndërmerrte sulm parandalues kundër Koresë Veriore, por tha se ai ende është i hapur për negociata.