Kontributi i çmueshëm i shkodranit të gjithanshëm

Kolë Kamsi dha kotributin e tij të çmuar në disa fusha me rëndësi jetike për periudhën kur ai jetoi. Ndër to, veçojmë:

  1. Arsim

Sipas Jup Kastratit në një artikull të botuar në revistën “Shkenca dhe Jeta” në vitin 1991 me rastin e 105 vjetorit të lindjes, Kolë Kamsi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkollës shqipe e të arsimit kombëtar. Ai njihet si hartues i disa teksteve shkollore të cilët po i paraqesim më poshtë:

a) Jeta e re (1935, Bari)

b) Mësime përmbi natyrë (1917, Vlorë)

c) Lulet e Mendimit (1919, Vlorë)

Ndërsa si bashkautor i teksteve shkollore ka bashkëpunuar me Ernest Koliqin dhe Ndue Palucën për të botuar “Shkollë e Jetës” në vitin 1945 në Shkodër.

Ka bashkëpunuar me Karl Gurakuqin për të botuar “Te parku i jetës” në vitin 1940 në Tiranë dhe pjesën e dytë të “Shkrimtarë Shqiptarë”.

Me Eqrem Çabejn dhe Aleksandër Xhuvanin bashkëpunoi në hartimin e “Bota Shqiptare” e cila u botua në vitin 1943.

Tekstet që ai hartoi ose bashkëpunoi në hartimin e tyre janë përdorur nga viti 1915 deri në vitin 1945.

Gjithashtu ishte autor edhe i dhjetra shkrimeve në fushën e arsimit ndër të cilët vlen të veçohen:

“Nevoja e mësimit”

“Rëndësia e shkollës”

“T’i mësojmë fëmijët me folë”

“Historia”

“Gjeografia”

“Rendi që duhet me ndjekë në mësimet e gjeografisë”

“Edukimi moral” e shumë të tjerë.

2. Gjuhësi

Në po të njëjtin artikull të shkruar nga Jup Kastrati paraqitet kontributi i Kolë Kamsit edhe në gjuhësi. Vepra e tij kryesore në këtë fushë studimore ishte “Manual praktik i gjuhës shqipe” i cili u shkrua në italisht e në shqip mbi strukturën gramatikore të gjuhës sonë. Pati mbi tre botime. I pari ishte në Zara në vitin 1930 e dy të tjerët në Shkodër në vitet 1940 dhe 1942.

Ballina e versionit italisht të “Manual praktik i gjuhës shqipe”

Rëndësi të madhe pati edhe kontributi që ai dha në përpilimin e “Fjalorit Italisht-Shqip” të Fulvio Kordinjanos.

Me interes shkencor janë edhe artikujt gjuhësorë “Do karaktere të veçanta të dijetarëve”, “G. I. Askoli”, “Ortografia”, “Rreth ortografisë shqiptare” e të tjerë.

Ishte përkthyesi i parë i veprave të albanologëve të njohur, Gaetano Petrota, Karlo Taljavini e Françesko Ribeco.

3. Monografia

Kolë Kamsi është autori i monografive të para të dinastisë Bardhi, të cilat i botoi në dy vepra:

a) Jeta dhe vepra e Frang Bardhit

b) Disa vërjetje gjuhësore mbi veprën e Pashko Bardhit.

4. Folklori

Kolë Kamsi ishte njëri nga studiuesit më të mirë të proverbave të shqipes, studime të cilat i përmblodhi në veprën “Goja e popullit tonë”, botuar në vitin 1943. Libri përmbledh thënie popullore të shkurtra, në të cilat populli ynë gjatë shekujsh kristalizoi përvojën, mendimin dhe mësimin e tij në raste të ndryshme që  jeta i dhuronte.

Ballina e “Goja e popullit tonë”

Vepra është e para e këtij lloji në plan krahasimtar me gjuhët e tjera evropiane.

Ai mblodhi edhe përralla e këngë nga goja e popullit dhe i botoi në organe të ndryshme të shtypit. Ndër to veçohen:

a) Këngë popullore të Marko Boçarit

b) Variante të këngës së Ymer Agës

c) Këngë të Rexhës

d) Këngë të Halilit e të tjera.

5. Krijimtaria letrare

Kolë Kamsi ishte autor i disa poezive për fëmijë, disa tregimeve edukative të cilat në vetvete ishin përshtatje në shqip të shkrimtarëve të huaj. Këtu futet edhe kontributi i tij si përkthyes. Ndër përkthimet më artistike të tij mund të përmendim përkthimet që ai i bëri Andersenit, Lesingut, Vëllezërve Grim, Hygoit, Bokaços, Tolstoit e të tjerë.

6. Historia

Kolë Kamsi është autor i mjaft artikujve historikë, mes të cilëve Jup Kastrati veçon:

a) Udhëtimi i Skënderbeut në Romë

b) Dita 28 Nëntori

c) Kryengritja e Malësisë së Madhe

d) Fatosat e Traboinit që u vranë në kryengritjen shqiptare të vitit 1910-1911

e) Një letër Abdyl Frashërit e Françesk Krispit e të tjerë.

Botoi “Dokumenta të Agimit të Lirisë” me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë. Ky botim përfshinte promemorie, protesta, peticione, memorandume të kolonive shqiptare në Egjipt, Rumani e Turqi si dhe artikuj të dërguar nga shoqëritë e klubet shqiptare që vepronin në emigrim. Gjithashtu ishin një pjesë e madhe e të gjithë dokumenteve e letrave që i ishin dërguar Fuqive të Mëdha për njohjen e Shqipërisë.