Kurti: Nga kurthet që u bënte të tjerëve, PDK bie në kurthin e vet

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka vlerësuar se PDK po përpiqet ta bartë krizën e saj të brendshme edhe në institucionet e vendit.

Në një shkrim të afishuar në profilin e tij në Facebook, ai ka theksuar se joshja e deputetëve, kërcënimet dhe lobimet me kriminelë janë “shkelje e ligjit të kushtetutës, janë vepra penale”.

“Ata që i kanë kapur institucionet duan që kriza e tyre t’i kaplojë institucionet. Që populli të vuajë e të presë, si pacient e në spital, të pasivizohet e të rikthehet në spektator, që shikon e dëgjon mjekun, tërë sy e vesh e… pa zemër”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përmendur se kriza e vetme është brenda PDK-së, e cila ka rënë në pikën e saj më të ultë historikisht.

“11 qershori e ka zbritur PDK-në në pikën e saj më të ultë historikisht. 23 deputetë. Vetëm 23 deputetë. Ajo në opozitë kishte më shumë deputetë sesa tash që synon sërish qeverisjen me kaq pak deputetë. Udhëheqja e PDK-së ka gabuar. Një mëngjes të mugët pas një ndeje të harrueshme është zgjuar si djathtiste me parullën ‘Familja, Prona, Shteti’. Ka braktisur qytetarin e shoqërinë, individin e publiken, kombin dhe republikën”.

 Kurti më tej ka shtuar se PDK duke u vënë kurthe të tjerëve ka pësuar vetë, madje nga fitorja në fitore deri në humbjen përfundimtare.

“Prej tri kurtheve që u përgatisin të tjerëve, krerët e PDK-së tashmë bien vetë brenda në katër sosh. Kurthimi bëhet kurth për kurthuesin”, thuhet mes të tjerash në shkrimin e Albin Kurtit.