Letërkëmbimi i rrallë Ahmet Daklit, një patriot i madh, që u vetëvra prej komunizmit

Botohen për herë të parë korrespondencat e Ahmet Daklit sidomos me shqiptarë të internuar në Itali, që u ruajtën në arkivin e familjes Dakli në Elbasan gjatë kohës që ai jetoi dhe gjithashtu u internua në vendin fqinj. Në letra tregohet qartë se Ahmet Dakli ishte jo vetëm një personalitet që shqetësohej për lëvizjen brenda vendit, por edhe për problemet që kishin shqiptarët e internuar, për problemet familjare e shëndetësore të tyre duke bërë të pamundurën që ata të lirohen. Ai shndërrua në një bashkëvuajtës gjatë qëndrimit të tij në Itali dhe sidomos në Firence. Këto letra të pabotuara hedhin dritë mbi një tjetër aspekt të veprimtarisë së këtij patrioti të shquar elbasanas. Ai gjithashtu ka korrespondencë me studentë dhe po kështu me personalitete siç ishte Ibrahim Biçakçiu pas vdekjes së Aqif Pashës dhe Lef Nosi.  Ai do të mbante letërkëmbim të vazhdueshëm edhe me studentët në Itali ku studionte edhe nipi i tij Ibrahim Dakli,  që më pas u bë një ndër kimistët më të shquar në vendin fqinj.

 I nderuar zoti Dakli!

Kartolinën e Z. S`uej, e mora. Ju falem ners. Dini qe këtu mbramë dhe sot në mëngjes u nis. Unë do të rrij këtu edhe nja dy javë për provimet, pasi sëmundja që kalova më pengoi mjaft.

Prej Dinit mora vesh se Bimi kishte dalë me sukses, u gëzova shumë dhe uroj që të shkojë gjithnji ma mirë.

Shumë shëndet e Nderime

8 – VI – 1941 IXIX                                   

Ibrahim Kuqi

Bimit shumë përqafime

 

Ja si i shkruan një atdhetar elbasanas i internuar  në pritje të lirimit. Kjo është një letër e Fadil Gurmanit dërguar Ahmet Daklit në vitin 1941. Nga ajo çka shkruhet në letër kuptohet që Gurmani është në burg në Itali bashkë me disa shqiptarë të tjerë. Gurmani e informon Daklin për një vizitë të Hiqmet Bahollit, i cili u premton të burgosurve se do të lirohen sa më shpejt.

“Pse të kam shkrue edhe herë të tjera, që mue nuk mërzitem fare. Kam ndryshue qind për qind sa që ke me u cudit. Letrën ta kam shkrue me qëllim, me at stil shifi datën e atëhere ke me e kuptue mirënjohjen time. Neve na erth Hiqmet Baholli ndejti nji ditë e nji natë na kënaqi. Sa për çështjen tonë na tha je në bisedim e sipër! …. Thamë besa se do të jemi në listën e dytë dhe se kam me u lirue të gjithë, kush ma herët kush ma vonë! Tjetër seç të shkruej s`kam nga “Shejsati” të fala të përzemërta.

Të përqafoj me mall

Fadili

 

Kjo letër i dërgohet Ahmet Daklit nga Ibrahim Biçaku, për ngushëllimet që i kishte bërë Ahmet Dakli për vdekjen e Aqif Pashës. Nga përgjigja kuptohet që Ahmet Dakli i ka cuar ngushëllime me letër Ibrahim Biçakut, për ndarjen nga jeta të të atit, patriotit të madh elbasanas.

“Vijenë 10 – V – 1926

Fort I nershëm Z. Ahmet Efendi,

Me mallëngjim e këndova letrën e zotnisë suaj qi më ngushëllonte për humbjen e babait tem. Ngushëllimet qi na bani, si dhe këshillat miqësore qi na jepni: më ngushëllojnë dhe më bajnë t`u faleminders me gjithë zemër.

Letrën e zotnisë suaj sot e mira se n`at kohë kur kishit @ume Z. juej letrën këtu unë ndodheshje në Elbasan dhe prej këtej e kishte sjellë posta në Elbasan. Dhe sot e mora nga Elbasani.

Pritni Ahmet Efeni nderimet e mija më të nalta.

I juei   Ibrahim Biçaku

 

Në korespondencën e vazhdueshme me shqiptarët në Itali ka edhe letra me nota optimiste që i dërgohen Ahmet Daklit nga të internuarit në Itali, duke e falenderuar për mbështetjen që u ka dhënë atyre ndaj qëndresës antifashiste.  Letra është e 24 prillit 1941. Në fund letra është e firmosur dhe shkruhet edhe “Ramamengo” dhe më posht “Vrenona”. Letërshkruesi që mban nënshkrimin Shkodra duket se është një i njohur i familjes Dakli, por sidomos i atdhetarëve elbasanas.

“Puna e Ismail agajt nuk asht mar vesh ente se si u ba. Se mua nji letër qi mar prej teje ku më shkrun se kam dhan një lutje Ministrisë në Rom me u transferu këtu në Ramanengo bahet mir për ta se këtu asht vend i pa mërzitshëm sado që unë kam dhanë edhe unë që të transferohem ke Hysen Agai, por edhe unë qi të transoferohem ka afër prej tre qilometra Hamdi Frashrin qi qe me ne na burgut Elbasanit etj.

Shokët i kam të gjithë mirë keni të fala.

“Hl”

Ahmet Daklit, Via Kalzaino

Li 11. Presse Ciampi

Firence

Firenze Itali

 

Ahmet Dakli si një nga personalitetet kryesore të Elbasanit por dhe më gjerë, informohej për çdo gjë ndodhte në qytet por edhe jashtë tij. Në këtë letër diktohet informacioni që i përcillet Ahmet Daklit për të vëllanë e tij Hysen Dakli, i cili ishte i burgosur në Romë. Dakli merrte vesh çdo gjë që ndodhte me të burgosurit, për gjendjen e tyre shëndetësore, për kushtet e burgut e etj.

Sant Anatalia di mareo.

30 VI 1941

Fort I dashuni Ahmet Efendi.

Sot mora letrën, atë të datës 27. U gëzuesh që jeni mirë, edhe unë bashkë me Shefqetin gjindemi mirë. Nuk është e vërtet qi letrën ta kam shkrue në nji kohë mërzitje jo.

 Al Siguar

Ahmet Dakli

Presso Ciampi

Via Kalgauali No11

Firenze.

 

Ahmet Dakli shqetësohej edhe për prezantimin e Shqipërisë dhe sidomos Elbasanit para syve të të huajve. Në cilësinë e kryetarit të bashkisë ai ja ngarkon këtë punë duke i kërkuar nder pikërisht Lef Nosit.

Mbretnija Shqiptare

Bashkija e Elbasanit

Me qenë se këto kohë janë tue ardhë turista të huej për me visitue vendin t`onë të cilët nga mosditja e gjuhës nuk janë tue marrë njoftime të sakta.

Andaj ju lutemi në asht se keni kohë, me marrë mundimin dhe me i shoqnuë turistat në vene të ndryshme të qytetit tue ba sa të jetë e mundun edhe nji propogandë të mirë për vendin t`onë.

Kryetar i Bashkisë

Ahmed Dakli

Ahmet Dakli në pak rreshta

Ahmet Dakli lindi në një familje të thjeshtë elbasanase dhe mësimet e para i mori në vendlindje. Shkon në  Manastir ku studion shkollën ekonomike dhe kthehet në Shqipëri në vitin 1907. Merr pjesë në themelimin e shoqërisë Bashkimi. Jep një ndihmesë të çmuar gjatë punimeve të Kongresit të Elbasanit. Ka qenë më pas edhe në komisionin administrativ të themelimit të  shkollës Normale bashkë me figura shumë të shquara të kombit si Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Aleksandër Xhuvani, etj. Në vitin 1912 u rëndit ndër luftëtarët e çetës së Byshekut kundër xhonturqve. Ai ka marr pjesë pas Shpalljes së Pavarësisë në qeverinë e Ismail Qemalit si këshilltar në Ministrinë e Financave. Në qeverinë e princ Vidit më 1914 Ahmet Dakli punon si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku ishte ministër Aqif Pasha por me largimin e Vidit, ai dhe shumë të tjerë emigrojnë në Itali ndërsa Haxhi Qamili i sekuestron pasurinë dhe i burgos të vëllanë.

Kthehet në Elbasan më 1916 dhe emërohet drejtor i zyrës së  financës së qytetit. Më pas zgjidhet kryetar bashkie dhe e gjejmë deri në fund të vitit 1917. Në zgjedhjet e para parlamentare ai dhe disa bashkëqytetarë të tjerë të Elbasanit themelojnë grupimin politik përparimtar-demokrat “As i pashës as i beut”, që ishte kundër feudalizmit dhe kundër Verlacit, veçanërisht. Ahmet Dakli me cilësinë e delegatit të shoqërisë Afërdita dhe Përparimi merr pjesë në krijimin e Federata Atdheu nga Avni Rustemi. Thirret në përbërjen e qeverisë ku ishte edhe Bajram Curri në detyrën e ministrit të Financav,e por pas dy muajsh jep dorëheqjen dhe u kthye në Elbasan ku edhe boton gazetën “Ura e Shkumbinit”. Kjo gazetë ishte zëdhënëse e ideve të grupimit politik “As i pashës as i Beut”. Ura e Shkumbinit u botua vetëm 6 muaj dhe pronar dhe themeltar ishte Ahmet Dakli ndërsa financier ishte Hysen Dakli.

Vrasja e Avni Rustemit u pasqyrua nga gazeta Ura e Shkumbinit. Me dështimin e revolucionit demokratik borgjez të vitit 1924 Ahmet Dakli emigron fillimisht në Bari më pas në Vjenë e Zarë të Jugosllavisë  ku zhvillon aktivitete tregtare deri në vitin 1928. Rikthehet në Elbasan në vitin 1929 duke përfituar nga amnistia pas shpalljes së mbretërisë në Shqipëri nga Ahmet Zogu. Pas kthimit  emërohet nga Ahmet Zogu kryetar i bashkisë Durrës. Dekorohet me urdhrin e Skënderbeut të Klasit të Parë. Më 1937 transferohet si kryetar bashkie në Elbasan por duke patur një armiqësi të përhershme me beun më të fuqishëm të Elbasanit, Shefqet Verlaci, burgoset, internohet në Firence dhe kthehet pas 10 muajsh. Gjatë luftës së dytë botërore nuk lidhet me asnjë parti politike qe u krijua ne atë kohe. Me vendosjen e regjimit komunist filloi goditja ndaj familjes Dakli me gjoba, sekuestrime, vendime për tu larguar nga shtëpia duke bërë që Ahmet Dakli, nën presion dhe i dëshpëruar, të vetëvritet.