Letra e Mark Gjinit dërguar papës për rekrutimin osman të fëmijëve të krishterë shqiptarë…

Për të përforcuar administratën dhe armatën perandorake osmanët i kushtonin rëndësi të posaçme rekrutimit të djelmoshave të krishterë, të ashtëquajtur devsirme.

Ky rekrutim, që për popujt e ndryshëm të krishterë të krahinave të nënshtruara nga osmanët paraqiste haraç në gjak, kishte për qëllim të ushtronte personel për t’i shërbyer shtetit në shumë aspekte.

Si rrjedhim, pjesa dërrmuese e administratës perandorake krijohej nga sistemi i devshirmes që rrëmbente djelmoshat jomyslimanë.

Varësisht nga prirjet dhe zotësitë e tyre, këta djelmosha regjistroheshin në Shkollën e Sarajit Enderun Mektebi në kryeqytet, disa në oborret provinciale dhe të tjerët në radhët e rekrutëve të rinj jeniçeri, të cilët krijonin regjimentet elite të armatës osmane.

Ndërkaq, atyre djelmoshave që ishin nga më të zgjuarit, më të zhvilluarit dhe më të bukurit, që dërgoheshin në Pallatin Perandorak në kryeqytet, u jepej mundësia të arrinin dituri kulminante fetare, shkencore, artistike dhe ushtarake.

Të edukuar në këtë frymë dhe nivel, pas përfundimit të shkollimit dhe caktimit në pozita të rëndësishme civile dhe ushtarake, ata mund të avancoheshin në oficerë, në komandantë, guvernatorë dhe vezirë.

Kështu, duke mos pasur kurrfarë lidhjesh e ndjenjash me atdheun e besimit të tyre të dikurshëm, ata bëheshin shërbëtorët më të besueshëm të shtetit osman.

Ç’është e vërteta, të gjithë sadriazemët (kryeministrat janë rekrutuar si devsirme dhe shumica prej tyre janë martuar me princesha perandorake osmane.

Fëmijët shqiptarë devshirme

I Shenjtëruari dhe i lumturi atë Zotëria,

Tetorin e shkuar, unë kapedan Mark Gjini u paraqita te këmbët e SH.I si i dërguari i kombit tim shqiptar, duke ju lutur që të urdhëroshi të më jepeshin 1000 këmbësorë të paguar dhe me armë që të mund të shtinim në dorë Ulqinin, Shkodrën dhe Krujën, fortesa në Shqipëri, e për të çuar në këmbë të gjithë kombin, krejt të bindur ndaj SH.T. dhe ndaj Kishës së Shejtë, dhe për ta hequr prej robërie shumë mizore të turqve, për lavdi dhe dhe shërbim të Zotit e të Lumturisë suaj. SH.I. më përgjegjet aso kohe se për shpenzimet shumë të rënda që po bënte ushtria juaj e dërguar në Hungari, nuk kishi mundësi të kryenit këtë tjetrën, ekspeditën time, por se shpejt kishi për të na kënaqur. Tani që s’është më ai shpenzim, dhe mbasi ky është viti në të cilin ministrat e sulltanit do vinë, si zakonisht, për të marrë 10.000-12.000 fëmijë për t’i bërë turq, SH. Juaj, si Klement e si babë i përbashkët i krishtërimit kini dhembje për kaq shpirtra që kanë për të humbur…

(Fragment nga letra e kapedanit shqiptar Mark Gjini drejtuar Papë Pali V, shkruar italisht, janar 1596).

 

Miniatura: Rekrutimi i fëmijëve të krishterë

Në këtë kompozicion rrëfimi është i qartë: zyrtari i ngarkuar me punët e rekrutëve (devsirme emini) llogarit monedhat që do t’u japë rekrutëve të rinj për shpenimet e rrugës nga qyteti i tyre deri në kryeqytet (Stamboll)… ndihmësi i tij merr shënimet e domosdoshme për qytetin, krahinën, familjen, emrin, ditëlindjen e fëmijës…zyrtari tjetër me shkop të gjatë në dorë qëndron duke mbajtur rendin para gjashtë fëmijëve të veshur me kostume dhe kësula të kuqe të uniformosura posaçërisht për ta, duke bartur nga një torbë në krah si tërë pasurinë e tyre të kësaj bote… prapa tyre gjenden prindërit (më së shumti nënat) e fëmijëve, një murg ose katolik ose ortodoks.

Një rrëfim piktural kaq ekspresiv ka mundur ta mishërojë vetëm ndonjëri nga artistët nostalgjikë me prejardhje kristiane në Perandorinë Osmane, që e ka ndjerë thellë shqetësimin e nënës së vet, kur edhe atë e kishin rrëmbyer si fëmijë devshirme nga vendlindja e tij e largët ballkanike.

 

Referenca

Arnavud Shyqri Nimani