Merveille te Getafe, Tirana mbush arkën

Ishin disa pista të tjera, por mesfushori kongolez i Tiranës, Merveille Ndockyt, ka firmosur për ekipin e Getafes në Spanjë, që është rikthyer në La Liga këtë sezon. Talenti 19-vjeçar pritej të bëhej pjesë e kroatëve të Osijekut, por sot klubi bardheblu ka arritur marrëveshjen për shitjen e tij në Spanjë.

Lajmin e konfirmon zyra për shtyp e Tiranës. Nga ky transferim, arka e klubit bardheblu do të pasurohet me 400 mijë euro, shto faktin që nëse shitet diku tjetër, do të ketë edhe përqindje të kartonit, por ende nuk është mësuar se sa është kjo. Megjithatë, 400 mijë euro nuk janë pak si fillim, kur priten të shiten edhe të paktën 2 futbollistë të tjerë.