Mos vallë jeta jonë vlen sa një celular?! Ç’po ndodh me “përbindëshin” tonë?

Vrasja e të riut për një karikues celulari, tronditi mbarë opinionin publik. Qytetarët shpërthyen përmes rebelimit në rrjetet sociale, por kjo nuk u la pas edhe nga faktori politik. Familjarët e autorit ndjehen të frikësuar, e ndërsa shokët e 22-vjeçarit e kanë cilësuar si një djalë model, e shembullor.

Familjarët hapën dyert e mortit, e ndërsa lotët nuk ndahen edhe për shoqërinë e tij, por edhe për njerëzit të cilët nuk e njihnin…Kjo ngjarje banale mori përmasat e pritshme të një reagimi në masë. Për të analizuar faktorët që ndikuan në këtë ngjarje, por edhe për raste të ngjashme, Konica.al ka marë opinionin e sociologes Entela Binjaku.

“Reagimi më shumë sesa për motivin e  marrjes së jetës, duhet të lidhet me shkaqet shumë më të thella që çuan në këtë lloj pasoje. Në radhë të parë, tek njohja e temperamentit. Ne nuk jemi ende në atë të fazë të ngritjes kulturore për vetveten, sa të njohim temperamentin tonë: si reagon një kolerik dhe një sanguin, që janë natyra që janë mjaft të shprehura, ekspresive, si reagon një melankolik dhe flegmatik që janë të mbyllur dhe njerëz më pak të shprehur.

Pse disa njerëz nervozohen për gjithçka dhe shumë shpejt? Çfarë qëndron brenda këtyre natyrave që reagojnë me kaq impulsivitet?

Ne nuk jemi në atë shkallë të zhvillimit kulturor, që të thellohemi mbi mënyrën sesi kultivohet kultura tek ne: çfarë ushqimi shpirtëror marrim, çfarë edukate qytetare na jepet dhe deri kur ushqehet kjo edukatë, cilat janë modelet prej të cilave frymëzohemi për realizimin e dëshirave tona, si përmbushet protagonizmi psikologjik tek secili prej nesh, cila është kënaqësia nga jeta që marrim, a është kultura jonë përfshirëse apo përjashtuese, a ndjehemi të qetë në zhvillimin e personalitetit tonë, a jemi mjaftueshëm të përgatitur për vështirësitë e jetës sociale.

Çdo jetë njerëzore duhet parë si një fakt social, që ndodhet nën ndikimin e një mjedisi të jashtëm ku mbizotëron padrejtësia sociale, ku sheh se shpërblehet i paafti, kur sheh se puna e një jete nuk të jep atë që tjetrit ia ka dhënë pa punuar fare, kur sheh se me mik shkon ku të duash, por pa mik je askushi, kur sheh se gjithë motoja jote në jetë duket absurde dhe jashtë kohe, etj., kur sheh si shteti ligjor nuk ekziston, dhe ku “ligji është i barabartë për të gjithë” është një utopi, etj.

Mbi këtë jetë njerëzore që kultivohet në këtë lloj mjedisi të jashtëm, ndikon edhe presioni i brendshëm i individit që nuk shpreh pakënaqësitë e tij, që hesht dhe shtyp revoltën e brendshme derisa humbet ekuilibrin mendor dhe shpërfaqet në një mënyrë të egër.

Sipas sociologes, shoqëria duhet të punojë me shumë me veten për ngritjen kulturore dhe me edukimin civil, permes studimit, edukimit, rritjes së kërkesave për cilësinë e jetës, etj.

“Përbindëshi brenda secilit prej nesh” mbahet nën kontroll dhe shtypet falë normave që ka  kultura e shoqërisë ku bëjnë pjesë, e cila ndihmon kulturën personale. Kur ky përbindësh nuk kontrollohet, për shkak se kjo shoqëri nuk e ndihmon me respektin ndaj normave dhe me forcimin e normave ligjore, individi i dorëzohet instiktit të agresivitetit, shoqëria devijon frikshëm në antikulturë”.

Shitja e një aparati celular dhe mosdhënia e karikuesit të tij, ishte shkaku i vdekjes së djalit të vetëm të atletit Pavllo Mihalit, Marvi Mihali.

 

 

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutem shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj