Nikola Tesla – Tomas Edison: Një përballje gjigandësh apo garë për patenta?

Nga: Tia Ghose

Shkencëtari serbo-amerikan ishte një gjeni i shkëlqyer dhe i çuditshëm, shpikjet e të cilit mundësuan fuqinë energjitike të kohëve të sotme, dhe sistemet e komunikimit në masë.

Rivali dhe ish-shefi i tij, Tomas Edison, ishte shpikësi i famshëm amerikan i llambave të ndriçimit, gramafonit dhe kamerës.

Të dy gjenitë zhvilluan mes tyre një “Luftë Rrymash” gjatë viteve 1880 mbi sistemin më të mirë elektrik që do pushtonte botën – sistemi i Tesla i rrymës alternative (AC) apo ai i rrymës së drejtpërdejtë që propozonte rivali Edison.

Ndër shumë çudi shkencore, pak debate qenë më të nxehta se ajo mes Nikola Teslës dhe Tomas Edisonit. Pra, cili ishte shpikësi më i mirë? Ata janë shpikës të ndryshëm, por s’mund të them realisht që është njëri më i madh se tjetri, për shkak se shoqëria amerikane ka nevojë për disa Edisonë dhe për disa Tesla- thotë U.

Bernard Karlson, autori i librit Tesla¨Shpikësi i Epokës Elektrike. Nga personalitetet e tyre tmerrësisht të ndryshëm në raport me trashigiminë e tyre të përjetshme, më poshtë po paraqesim përplasjet mes dy shpikësve.

Më i shkëlqyeri

Tesla kishte një kujtesë eidetike, që do të thoshte se ai mund të kujtonte me saktësi shumë të madhe imazhe dhe objekte. Kjo e lejoi atë të vizualizojë saktë objektet e ndërlikuara në  3D, dhe për rrjedhojë mundi të ndërtojë modele përmes pak vizatimeve paraprake. Ai punonte mbi shpikjet me imagjinatën e tij –thotë Karlson për Live Science”.  Nga ana tjetër, Edison ishte më shumë i fiksuar pas skicave.

Nëse do të shkonit në laboratorin e tij për ta parë teksa punonte, ju do të gjenit të gjitha gjërat në stol, tela dhe izolantë dhe pjesë të ndryshme shpikjesh” –shton Karlson.

Megjithatë deri në fund të jetës Edisoni arriti të mbajë 1.093 patenta, sipas Parkut Historik Kombëtar Tomas Edison. Tesla mori më pak se 300 patenta në të gjithë botën, sipas një studimi të publikuar në vitin 2006 në Simpoziumin e gjashtë Ndërkombëtar Nikola Tesla.

(Sigurisht, Edisoni pati më shumë ndihmë nga asistentët, në një kohë që bleu disa nga patentat e tij.)

Mendimtari në pararojë

Edhe pse llamba elektrike, gramafoni dhe kamera mbrohen si shpikjet më të rëndësishme të Edisonit, njerëz të tjerë qenë duke punuar mbi teknologji të ngjashme, shprehet Leonard De Graaf, arkivist në Parkun Kombëtar Historik Tomas Edison në Nju Xhersi, dhe autori i librit Edisoni dhe ngritja e inovacionit. Nëse Edisoni nuk do t’i kishte shpikur ato gjëra, këtë do të bënin njerëz të tjerë” –deklaron De Graaf për “Live Science”.

Me një lëvizje dritëshkurtër, Edisoni e hodhi poshtë si “jopraktike” idenë e Teslës për një sistem të rrymës alternative të transmetimit të energjisë elektrike, në vend të promovimit të sistemit më të thjeshtë por më pak efikas të rrymës së drejtpërdrejtë. Në të kundërt, idetë e Teslës ishin shpesh teknologjitë më pëçarëse, që nuk qenë krijuar bazuar tek kërkesat e tregut.

Dhe motori i tij me rrymën e alternuar, si dhe hidrocentrali në kaskadën e Niagaras – i pari i këtij lloji në botë – në fakt elektrifikoi botën. Tesla kaloi ndërkaq vite të tëra duke punuar mbi një sistem të projektuar për të transmetuar pa zëra pa tel, fotografi dhe imazhe në lëvizje – duke e bërë atë një futurist, dhe babain e vërtetë të radios, telefonit, celularëve dhe televizionit. “I gjithë sistemi ynë i komunikimit masiv është i bazuar tek sistemi i Teslës –thotë Mark Sifer, autori i librit “Magjistari: Jeta dhe epoka e Nikola Teslës”.

Mjerisht, skema madhështore e Teslës dështoi kur mbështetësi  i tij financiar, J. P. Morgan, u ngop me vitet e dështimeve të njëpasnjëshme.

Ndikimi i madh

Trashëgimia e qëndrueshme e Edisonit nuk është një patentë e veçantë apo teknologji, por fabrikat e tij të shpikjeve, të cilat e ndanin procesin e inovacionit në detyra të vogla, të cilat kryheshin nga repartet e punëtorëve, shprehet De Graaf.

Për shembull, Edisoni mori idenë e një aparati me lëvizje imazhesh, ose kinetoskopin nga një bisedë me fotografin Eduard Majbrixh, por pastaj ai la në dorë kryerjen e shumicës së eksperimenteve dhe krijimin e modelit ndihmësit të tij Uilliam Dikson dhe të tjerëve.

Pasja e patentave të shumta dhe shpikjeve që zhvilloheshin paralelisht, bëri që Edisoni të siguronte që ndihmësit e tij të gëzonin një situatë të qëndrueshme financiare, për të vazhduar me eksperimentet dhe hartimin e sa më shumë modeleve. “Ai shpiku risi moderne siç  i njohim ato sot – tha De Graaf.

Shpikjet e Teslas janë shtylla kurrizore e fuqisë energjitike dhe komunikimit të sistemeve moderne, por ai u la në errësirë më vonë gjatë shekullit XX-të, kur shumica e shpikjeve të tij humbën në rrjedhën e historisë.

Dhe pavarësisht nga patentat dhe inovacionet e shumta, Tesla ishte i varfër kur vdiq në vitin 1943.

Mysafiri më i mirë në një darkë

Në kulmin e karrierës së tij, Tesla ishte karizmatik, qytetar dhe i mprehtë. Ai fliste disa  gjuhë dhe numëronte shkrimtarë si Mark Tuein dhe Rudjard Kipling, si dhe natyralistin Xhon Muir si miqtë e tij, sipas Sifer. “Ai u transferua në qarqe shumë të larta sociale” –thekson ai.

Por Tesla ishte me raste edhe kryeneç, dhe i njohur si një maniak pas higjienës. Në vitet e fundit të jetës, frikërat e tij obsesive (si ndaj vathëve të grave) u bënë më të mëdha, dhe ai vdiq pa para dhe i vetëm në një hotel në New York.

Ndërkohë, Edisoni kishte vështirësi në dëgjim dhe u izolua me vetëm disa miq të ngushtë. Ai kishte gjithashtu një dell ligësie, që e shfaqi me bollëk në sulmet e tij të egra kundër Teslas gjatë Luftës së Rrymave. Edisoni thqa gjithashtu se si të ndërtohej karriga e parë elektrike, duke përdorur rrymën e drejtpërdrejtë (DC), dhe dhënë detajet në lidhje me teknikat e nevojshme për të kryer ekzekutimet e të dënuarve.

Më në modë

Tesla ishte i gjatë, i hollë dhe imponues, me një palë mustaqe të lezetshme dhe ndjesinë e një stili të pagabueshëm –thotë Karlson. Kapela dhe shkopi i tij gjenden edhe sot në një muze në Serbi. Përkundrazi, Edisoni ishte i njohur të ishte paksa i çrregullt në paraqitjen e jashtme.

“Ne nuk jemi të interesuar të shohim se çfarë mbante veshur Edisoni, pasi kjo ishte shumë e harrueshme –tha Karlson. Edisoni madje vishte këpucë dy numra më të mëdhenj në mënyrë që të mund t’i hiqte pa patur nevojë të përkulej për t’i zgjidhur ato, shton Karlson.

“Live Science”/ bota.al