Nuk ndalet KLSH, kallëzon në prokurori edhe tre zyrtarë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht  2 anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave të ish-komunës Dermenas në Fier. Dëmi i konstatuar është 3 milionë lekë ndërsa impakti negativ në të ardhurat e buxhetit, 11.6 milion lekë. KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës i ka rekomanduar Bashkinë Fier masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, në vlerën 1.1 miliard lekë.

Gjithashtu Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori një mbikëqyrës punimesh në Bashkinë Ura Vajgurore pasi ka konstatuar një dëm ekonomik në vlerë 2 milion lekë. KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës i ka rekomanduar Bashkisë Ura Vajgurore masa me karakter organizativ në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, në vlerën 200 milion lekë.

Auditimi

“Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik, në vlerësimin e ofertave ekonomike duke vepruar me dy standarte vlerësimi dokumentacioni për procedurën e prokurimit “Riveshje e dy rrugëve paralele Hidrovor-Bregdet dhe hapje traseje për rrugë paralele me bregdet”, ndër të cilat më kryesoret janë: – Është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 3,085,240 lekë pa TVSH, për  skualifikimin e padrejtë të Operatorit Ekonomik me ofertë me vlerë më të ulët, në kushtet kur Operatori Ekonomik ka plotësuar kërkesat e Dokumenteve Standarde të Tenderimit;  – Janë kryer veprime me efekt negativ në Buxhetin e Shtetit për vlerën 11,574,650 lekë, shkaktuar nga kualifikimi dhe shpallja fitues e Operatorit Ekonomik me ofertë më të lartë, në kushtet kur nuk ka plotësuar kriteret për kualifikim sipas Dokumenteve Standarde të Tenderimit.  Për këto shkelje dhe për të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, ndaj D.B. me funksion ish-Përgjegjës i Zyrës së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave(KVO), në ish Komunën Dërmenas, Fier; J.S. me funksion Specialist Finance, në cilësinë e anëtarit të KVO në ish Komunën Dërmenas, Fier dhe K.B. në cilësinë e anëtarit të KVO në ish Komunën Dërmenas, Fier, për konsumimin e elementëve të veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” “ njofton KLSH.