Partizani më i shtrenjti, ja formacioni më i kushtueshëm i Superiores

Portali i specializuar “Transfermarkt.com”, që merret me vlerat e kartonëve të futbollistëve dhe të ekipeve në total, ka publikuar edhe Kategorinë Superiore në Shqipëri dhe vlerat e futbollistëve të kampionatit shqiptar të futbollit. Në total, Partizani është ekipi që kushton më shtrenjtë.

Të kuqtë kanë në përbërje futbollistët me vlerën më të lartë në tregun e transferimeve, 6.73 milionë euro. Alban Hoxha është futbollisti që vlerësohet me shifrën më të lartë në merkaton e Partizanit, 600 mijë euro, por nuk është ai lojtari më i shtrenjtë i Superiores, por Liridon Latifi i Skënderbeut, që kushton 825 mijë euro.

Edgar Çani, afrimi i bujshëm i Partizanit në këtë merkato vere, kushton vetëm 350 mijë euro në tregun e transferimeve. Në vendin e dytë si skuadër, me vlerën më të lartë të futbollistëve në merkato, renditet Skënderbeu, 6.63 milionë euro. Në vendin e tretë renditet Vllaznia, që kushton 4.23 milionë euro.

Kampionët në fuqi të Superligës, verilindorët e Kukësit kushtojnë 3.78 milionë euro. “Transfermarkt” ka publikuar edhe formacionin më të shtrenjtë të Kategorisë Superiore, duke iu referuar lojtarit me vlerën më të madhe, për pozicionin respektiv. Në total, 11-shja më e shtrenjtë e Superiores kushton 5 milionë e 150 mijë euro.