Përplasjet PS-LSI, kur “lufta” prek pushtetin e Bashkive

Kryetari i Bashkisë së Beratit është Petrit Sinaj, i dalë nën siglën e LSI-së. Bashkia e Beratit është e LSI-së. Këshilli i Bashkisë Berat ka 31 këshilltarë, ku 21 ka të majtë dhe 10 të djathtë. Nëse PS del kundër LSI-së, kjo e fundit duhet me patjetër të synojë këshilltarët e PD-së që të dalë në maxhorancë, që të ketë për vete Këshillin Bashkiak. Nëse prishja e koalicionit kalon edhe në rang të pushtetit lokal, atëherë është problem për Bashkitë, si për PS-në dhe për LSI-në.

Muaj më parë kanë qënë evidente përplasjet e vazhdueshme mes PS-së dhe LSI-së në Berat. Nëse kthehemi pas në kohë, gjatë muajit mars, këshilltarët e PS-së bojkotuan  mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në shenjë proteste ndaj kryebashkiakut Petrit Sinaj, nga radhët e LSI-së. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, socialistët u shprehën në atë kohë se kreu i Bashkisë ushtronte presion përmes heqjes së specialistëve të PS-së nga puna.

Bashkia e Gjirokastrës është e LSI-së. Këshilli i Bashkisë Gjirokastër ka 31 keshilltarë, ku 21 janë të majtë dhe 10 të djathtë. Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, ka dalë nën siglën e LSI-së.

Jo vetëm Berati, por edhe Këshilli Bashkiak Gjirokastër ka qënë arenë përplasjesh, sharjesh e kërcënimesh. Një vit më parë debatet çuan në degjenerimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës në përplasje, sharje e kërcënime, ku disa herë mbledhja është ndërprerë si pasojë e konfliktit mes këshilltarëve të LSI-së dhe PD-së, konkretisht Javer Bebejit nga LSI dhe Dasho Alikos nga PD.

Debatet kanë pasur në thelb mungesën e transparencës nga ana e kryetares së Bashkisë së Gjirokastrës, lidhur me numrin e punonjësve të rinj në aparatin e Bashkisë së madhe dhe refuzimin për t’u përgjigjur vetë kryebashkiakia, kërkesave të këshilltarëve të PD.

Bashkia e Përmetit, 15 janë të majtë dhe 4 të djathtë. Këtu gjen teren PD-ja e cila ka fituar Bashkinë e Përmetit, një ndër bastionet historike të së majtës në vend. Kjo bashki drejtohet nga Niko Shupuli, i cili me 1633 vota shënoi fitoren për të djathtën. Rivali i tij nga koalicioni i majtë, Gilberto Jaçe arriti të merrte 3138 vota, ose 38.5 %. Nëse LSI-ja bashkohet me PD-në në Këshillin Bashkiak shkon në 8 këshilltarë, pasi 4 ka LSI-ja dhe 4 PD-ja.