Po me Kombinatin e Tekstileve ç’patën?

Me ardhjen e demokracisë pushoi nga puna një nga institucionet më të rëndësishme shqiptare siç ishte Kombinati i Tekstileve “Stalin”. Po a duhet të ndodhte kjo gjë? Në momentin që në atë kombinat prodhoheshin teritale, stofra, doqe, të gjitha për eksport, u mor vendimi për të mbyllur kombinatin.

Një nga personat që punuan në këtë kombinat është dhe kimisti Shefqet Daka. Në një intervistë dhënë një gazetari të njohur, kimisti tregon aventurën e vet të punës por dhe historinë e kombinatit një nga strukturat më të rëndësishme në Shqipëri. Duke qenë se praktikën mësimore ai e ka bërë në kombinatin e tekstilit në Moskë ai tregon se ky kombinat, ndër më të rëndësishmit e kryeqytetit rus kaloi nga prona shtetërore në ekonominë e tregut. Ndërsa Kombinati i Tekstileve “Stalin” me 10 fabrika ku ishin të punësuar 7218 punonjës, 23 kuadro me arsim të lartë ku punonin dhe 11 inxhinierë kimistë dhe prodhoheshin 20 ml tekstile në vit u mbyll pa të drejtë.

Sot në mënyrë absurde i gjithë materiali merret nga Kina dhe nga Turqia ndërkohë që shumë mirë mund të funksiononin fabrikat e vendit dhe të përmbusheshin nevojat e konsumatorëve dhe pse jo Shqipëria të vazhdonte të eksportonte. Do ishte një ndihmesë e madhe për ekonominë e brishtë të Shqipërisë.

Sipas kimistit e gjitha varej nga politika shqiptare. “Politikbërësit tanë (Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit kanë qenë plotësisht të pa aftë për të bërë shtet. Le të sjellim në kujtesën e lexuesit, vetëm ato 7 muajt e mbrapsht të vitit 1997. U vodh thesari i Kërrabës 367 kg ar, thesari në Shkodër 6 milion dollarë. U hapën u vodhën depot e ushtrisë. U vodhën banka Elbasan, Gjirokastër etj. U zhdukën shumë ndërmarrje industriale dhe Kombinati i tekstileve “Stalin”. Dhe e gjitha kjo ndodhi për interesa absurde dhe të pashpjeguara.

Kjo sigurisht nuk ndodhi në vendet e tjera ish-komuniste ku fabrikat dhe ndërmarrjet u privatizuan dhe vazhduan punën e tyre, duke punësuar njerëz dhe duke prodhuar.

Qindra mijëra ton hekur dhe çelik, të makinave që kishin fabrikat u çmontuan dhe shkuan për skrap në mënyrë të turpshme. Dhe kjo gjë ndodhi në të gjitha fabrikat e kombinatet e Shqipërisë. Një kaos që i shërbeu vetëm klikave të caktuara dhe jo interesave të punëtorëve dhe mbi të gjitha  popullit shqiptar.

Drejtori fabrikës u tregua i shkathët, u mblodhi punëtorëve letrat me vlerë dhe me ato privatizojë fabrikën, e vetmja fabrikë në kombinat, makinat e së cilës nuk u rrëmbyen për skrap. Fabrikat tjera që shpëtuan, nga zhdukja si ndërtesa qenë ato që u bënë shtëpi banimi.

Kombinati ka mbetur si një ngrehinë. Si një histori lavdie e dikurshme  që i dha emrin një lagje periferike të Tiranës, që siguronte të ardhura të mira për një pjesë të madhe punëtorësh shqiptarë dhe që ishte lavdia e kryeqytetit.

Por që dergjet aty, i shkatërruar si një varrezë ku flinte dikur një nga lavditë më të mëdha shqiptare të industrisë.