Prof. dr. Irakli Premti: Nafta e Dumresë, një bum i sigurt ekonomik për Shqipërinë

Në vitin 2014 një lajm i mirë erdhi për zonën e Elbasanit. Kompania Petromanas Albania GmbH ka njoftuar nisjen e dëgjesave publike me përfaqësuesit lokalë, institucionet dhe komunitetin për kërkimet e naftës sidomos në zonën e Dumresë. Por, nga ajo kohë kanë kaluar tashmë 3 vjet dhe pas dëgjesave nuk ka pasur shpime apo kërkime për naftë në territorin e Dumresë, por edhe në Cërrik e Tregan ku edhe ishte njoftuar.

Gjithsesi studiues të rëndësishëm në këtë fushë deklarojnë se në Dumre ka rezerva të mëdha nafte. Një prej tyre është ish-drejtuesi i Institutit të Gjeologji-Minierave Irakli Premti. Ky i fundit ka përgëzuar Kryeministrin për deklaratat e bëra gjatë Kongresit të Naftës në Stamboll duke kërkuar vëmendje për një prej depozitave nëntokësore më të mëdha të naftës ende e pa zbuluar siç është zona e Dumresë.

Prof. Premti, pse jeni i sigurt që në Dumre ka naftë që mund t’i japë një impuls të ri ekonomisë së vendit?

Në zona të ndryshme ku kanë filluar shpimet mbase ka naftë, ndërsa në Dumre është e sigurt që ka rezerva të mëdha nafte, zbulimi dhe shfrytëzimi i të cilave do t’i jepte një impuls zhvillimi jo vetëm fushës së pasurive nëntokësore, por gjithë impaktit ekonomik të Shqipërisë.
Angazhimi i qeverisë shqiptare për ta nxjerrë vendin nga kthetrat e varfërisë, parazitizmit dhe informalitetit, duhet përgëzuar dhe është një shtytje për ne specialistët e sektorëve jetikë e strategjikë të ekonomisë sonë kombëtare, për të vështruar në veten tonë, se çfarë mund të bëjmë për vendin tonë, që të dalim përfundimisht nga kthetrat e tranzicionit të tejzgjatur.
Unë, si specialist i angazhuar, dua të risjell në vëmendjen e strukturave qeveritare dhe të gjithë opinionit shqiptar, rastin e Dumresë dhe potencialin e lartë naftëmbajtës të kësaj treve.
Të gjitha punimet e mia të vjetra e të reja, të gjitha kërkimet prej gati dyzet vitesh, më çojnë në Dumre.
Pra, unë kam gati katër dekada që kam studiuar Dumrenë, duke bërë kërkime të thella, bazuar në përvojën time të gjatë në fushën kërkimore në sektorin e naftë-gazit, mbasi pas kthimit tim nga specializmi në Itali, më emëruan në Institutin e Kërkimit të Naftës dhe këtu kreva shumë studime e kërkime, ku studimet për zonën e Dumresë, për shkak të resurseve të mëdha naftëmbajtëse këtu, mund të themi se mbajnë kryet e vendit. Kur vajta në këtë institut, ish zv/ministri i Industrisë dhe Minierave më tha se tij je petrolog, prandaj do të caktojmë tek nafta, nuk e kundërshtova megjithëse unë nuk jam petrolog, por mineralogjist. Më caktuan siç e thashë në Institutin e Naftës të studioja Dumrenë dhe nisa punën me intensitet, i bindur se kjo zonë naftëmbajtëse, paraqiste një interes të madh për t’i dhënë një bum jo vetëm sektorit të naftës, por gjithë ekonomisë sonë kombëtare.
Nuk mungonte në këtë drejtim studimi dhe përvoja e të tjerëve, veçanërisht studimet italiane dhe ruse, që kanë vënë piketa të forta për shumë zona mineralmbajtëse në Shqipëri dhe që kanë rezultuar mjaft të suksesshme.
Pse të gjitha studimet ju bëjnë të mendoni se kjo zonë ka depozita të mëdha nafte?

Studimi i zonës së Dumresë, si një zonë me kapacitete të larta naftëmbajtëse, më ka tërhequr gjithmonë dhe ka qenë një ëndërr e imja si inxhinier gjeologjie, për të kryer një studim shterues dhe mbi të gjitha punime shteruese në këtë zonë naftëmbajtëse.
Përvoja e sjellë nga kolegët e mi në kohë, nga brezat më të vjetër të inxhinierëve të talentuar të naftës, ishte një nxitje për mua për të studiuar hollësisht Dumrenë, për kërkimin e naftës dhe gazit në këtë zonë. Vajtja në Itali dhe kontakti me rezultatet befasuese të Porto Alegros në Brazil, nëpërmjet kolegëve italianë, më dhanë një impuls dhe shkëndijë për të kërkuar në trevën e Dumresë, në mundësitë që, sipas meje, dhe disa kolegëve të mi, paraqiste kjo trevë në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit. Mbasi u njoha me materialin nëpërmjet literaturës të profesorëve brazilianë që ishin në Itali, ku unë pata rastin të hyj në kontakt me to, vura re që këto studime përkonin e ngjasonin me strukturën naftëmbajtëse të Dumresë. E thënë ndryshe, këto dy struktura ngjasonin si dy pika uji, në kuptimin gjeologjik-strukturor dhe teknonik. Pra, meqë në Porto Alegro kërkimet që lidheshin me evaporitet (gipset) kishin dhënë rezultat befasuese, unë ditë e natë mendoja se ky rezultat mund të aplikohej me metodën e analogjisë edhe në Dumre. Zona e përfytyruar si naftëmbajtëse në Dumre shtrihet në zonën e Shpirag-Dumresë, në një sipërfaqe prej 400 kilometër katror, nga Shpiragu-Berati e deri në Bënjë.
Në vitin 1989, në revistën e mirënjohur shkencore “Buletini i Shkencave Gjeologjike”, në bashkautorësi me Isa Bajon dhe Lufter Bandillin, botuam shkrimin me titull “Strukturat e brezit antiklinal të Beratit si pjesë përbërëse e zonës jonike nuk ndërpriten por mbulohen nga evraporitet e Dumresë”.
Në këtë shkrim, mbi bazën e përgjithësimit të materialit gjeologjik, sizmik e gjeofizik për rajonin e Dumresë dhe të studimeve të artikujve të botuar në atë kohë për zonën jonike e për albanidet nga autorë të ndryshëm, dhamë mendime mbi ndërtimin gjeologo-strukturor të rajonit të Dumresë dhe marrëdhëniet me zonat kufizuese, mbi mekanizmin e ri të formimit të evaporiteve në këtë zonë naftëmbajtëse.

Në fakt ndërsa ju botonit këtë shkrim në Dumre pati shpime?
Pas botimit të këtij shkrimi, nën shembullin e Porto Alegros, kur u ktheva nga Italia mësova se në Dumre, nën referimin e studimit tim dhe të dy kolegëve të mi, Luftar Bandilli dhe Isa Bajo, nga shoqëria angleze PRIMER, kishte filluar kryerja e shpimit të pusit në Dumre, gjë që unë e mora vesh vonë dhe nuk më erdhi mirë që qeveria e asaj kohe dhe strukturat e gjeologji-minierave nuk qenë konsultuar me mua për këtë shpim.  Shpimi i pusit, mbasi kaloi evaporitet (gispet) vajti në thellësinë 6128 metra dhe mbas kësaj thellësie ra në avari të palikuidueshme. Pyetjet enigmë më mbajnë peng edhe sot: si ndodhi që ranë avari të palikuidueshme (për treqind metra nuk u relizua detyra gjeologjike) dhe pse firma nuk e vazhdoi shpimin edhe për treqind metra të ngelura, mbasi ajo kapi shtresën gjeologjke opima-opima?!
Instituti i Naftës dhe specialistët shqiptarë dhanë mendimin e drejtë që të vazhdonte shpimi, por çuditërisht, firma angleze u tërhoq, duke lënë pas një hije misteri dhe enigme, për një nga zonat e menduara si më produktive në naftë e gaz të cilësisë së lartë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Gadishullin Ballkanik.

Pse mendoni se duhet të fillojnë sërish shpimet pas këtij dështimi?
Të gjithë të dhënat, hartat dhe grafikat që shkojnë deri në 500 faqe grafike të shkallëve të ndryshme, më çojnë në përfundimin shkencor se në Dumre ka naftë dhe nuk ka pak, por një sasi të mundshme që shkon deri në 4 milion metra kub gaz vetëm për një shpim, kur sipërfaqja e evaporiteve është 400 kilometra katror dhe imagjinojeni se sa puse mund të hapeshin e sa rezerva të fjetura mund të viheshin në punë. Ky fakt më vuri në dyshim se rënia në avari e pusit nuk ishte një rastësi.
Nga të dhënat sizmke të strukturave të Dumresë, konstatohet se këto nuk kanë qenë të sheshta por të copëtuara tektonikisht dhe ilustrues për këtë është fakti se vetëm struktura e Dumresë është e ndarë me blloqe, njëzet e katër blloqe të thellësive të ndryshme.
Tani, pas kaq kohësh, unë dua t’i rikthehem këtyre studimeve dhe të tërheq vëmendjen e specialistëve dhe të strukturave, sepse, e para: duhet të angazhohet një shoqëri për shpimet në zonën e Dumresë, një shoqëri japoneze ose kineze, qoftë dhe franceze, që të mund ta çojnë deri në fund realizimin e këtij projekti madhor për të ardhmen e naftës dhe gazit në Shqipëri.

E keni konsideruar qysh në fillim një zgjidhje të mirë ekonomike për Shqipërinë. çfarë rruge duhet të ndjekë qeveria?
Imagjinoni se çfarë bumi të fortë ekonomik mund të sillte zbulimi i rezervave të naftës në këtë zonë, rezerva për të cilat ka aq shumë nevojë ekonomia shqiptare për t’u ngritur dhe zhvilluar në këtë kohë krize dhe stanjacioni global.
Në lidhje me të gjitha këto, është e nevojshme që të ngrihet një platformë që merret me shpimet e thella të naftës, ku të angazhohen specialistët më të mirë dhe firmat më serioze se në Dumre ka naftë dhe kjo naftë nuk ka pse të flejë kot në thellësitë e saj.
Duhet ose të rinisë shpimi aty ku ka mbetur, nëse është ruajtur struktura vertikale, ose të nisë një shpim i ri, pasi çfarëdolloj shpenzimi e kostoje në këtë drejtim ia vlen, kur mendon pasuritë e mëdha të arit të zi, që mund të nxirren e të vihen në efiçencë.
Prandaj si specialist i njohur dhe me kontribute në fushën e gjeologji-minierave, nuk mund të hesht  para asaj që di, që kam studiuar dhe për të cilat mbaj përgjegjësi si specialist, si intelektual dhe si shqiptar, ndaj do të doja që të shihet me përparësi nga strukturat qeveritare zona e Dumresë dhe mundësia e ndërmarrjes së një shpimi të ri, që të mund të zbulohet e të dalë në dritë të diellit, për mendimin tim, një nga vend-burimet më befasuese të naftës, me një impakt të fortë në ecurinë dhe zhvillimin e sektorit të naftës dhe të gjithë ekonomisë sonë kombëtare.